18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Ferri im në Bataclan

Britaniku rrëfen kasaphanën në rock-koncertin e Parisit: Isha i qëlluar dy herë dhe zvarritesha mes trupash, teksa luftoja për jetë.

Mark Backwell, 50 vjeç, ishte goditur në shpatull dhe kyçin e dorës së majtë teksa po zvarritej këmbadoras – në tentim për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave të shkrepur nga terroristët në Paris.

Me plagët që i kullonin gjak, kishte arritur të dilte nga Salla e Koncerteve “Bataclan” ndërkohë që xhihadistët po masakronin 87 veta që atë natë kishin zgjedhur të kënaqeshin me muzikën rock të bendit Eagles Death Metal.

Marku, që është një punëtor spitali nga perëndimi i Londrës, ka treguar për të përditshmen britanike The Sun tmerrin e përjetuar, rrëfim të cilin e sjell Politiko.net.

“Të shtënat nuk pushonin. Isha me aq shumë fat. Lavdi Zotit, kam qenë në pjesën e përparme, pranë podiumit. Sikur të kisha qenë më mbrapa, do të isha i vdekur”.

Ai kishte shkuar në koncert me disa miq francezë dhe kishe zënë vend në afërsi të skenës.

Bendi amerikan po shkonte drejt fundit të performancës kur terroristët nisën ta përplasin përtoke secilin që lëvizte brenda sallës me kapacitet prej 1.500 vetash.

“Ishte natë e këndshme. Po pinim birra”.

“Gjashtë prej nesh planifikonim që të nesërmen të shkonim edhe në Lille, për ta ndjekur një tjetër koncert të tyre, e pastaj të ktheheshim në shtëpi të shtunën”.

“Dëgjova një krismë që u duk si fishekzjarr, por që u përcoll tutje me britma femrash. Bendi ndali muzikën”.

“Të gjithë rreth meje filluan të shtriheshin në tokë. Teksa po shtrihesha edhe vetë, kuptova që ishin të shtëna armësh. Isha në konfuzion të plotë dhe nuk mund ta besoja çfarë po ndodhte”.

“Ndodhi tepër shpejt – crack, crack, crack, crack”.

“Po përpiqesha ta qetësoja veten, por kokën e kisha lëmsh”.

“Kishte një dalje afër podiumit, ndoshta 10-15 hapa larg. Dhjetëra veta po përpiqeshin të shkonin andej duke u zvarritur – pa u hetuar që po lëviznin. Iu bashkova atyre, por ishte ecje para tepër e ngadaltë”.

“Në një çast, dikush më kapi për këmbësh dhe ma pamundësoi lëvizjen. Nuk guxoja t’i bërtisja, që të më lëshonte, sepse do ta kisha tërhequr vëmendjen dhe do të bëhesha shënjestër e plumbave”.

“Aq shumë po provonin të shkonin drejt daljes saqë largimi bëhej pothuajse i pamundur. E të shtënat po vinin drejt nesh. Ishte ferr”.

“Në një moment, ia hodha sytë ballkonit. Mendova që aty s’do të kishte ndonjë të armatosur, pasi njerëzit ende ishin në këmbë atje. Por, kuptova se ishin persona të armatosur, të veshur me të zeza, që mbanin automatikë. Njëri kishte flokë të zeza dhe mjekër të zezë, dukej i ri. Shkrepte në turmën e mbledhur në pjesën e prapme të sallës. Pastaj, pashë një tjetër si ai – i cili po shtinte drejt njerëzve në ballkon”.

“M’u liruan këmbët që m’i kishin zënë dhe fillova të zvarritem sërish”.

“E ndjeva që diçka ma goditi shpinën. Isha qëlluar në shpatull. E kuptova menjëherë këtë, sepse çfarë mund të ishte tjetër pos plumb? Thashë me vete – kaq e pata, mora fund”.

“Për fat, plumbi nuk më depërtoi në thellësi, kështu që munda të lëviz më tej”.

“Në këtë pikë, isha i tmerruar nga frika. Personat e armatosur ishin para dhe prapa. Vazhdova të zvarritesha. Por, përnjëherë ndjeva që një tjetër plumb më qëlloi në kyçin e dorës së majtë”.

“E shihja sa afër daljes isha. Isha afruar tepër. Ngjitur me derën, ndodhej trupi i një djali të ri. Nuk besoj që ishte gjallë. Gjaku ia kishte mbuluar fytyrën dhe nuk lëvizte. Kishte edhe të tjerë trupa, nuk e di sa. Isha i koncentruar vetëm si të shpëtoja vetë, gjë që mund të tingëllojë egoiste, por çfarë mund të bëja tjetër?”.

“Më kishin mbetur vetëm edhe dy hapa që t’i bëja, në mënyrë që të arrija te dera. Të shtënat ende vazhdonin. I dhashë edhe disa të shtyra vetes, duke kaluar sipër tyre”.

“Nuk di për sa kohë i kam bërë ata dy hapa, duke shkuar zvarrë. Ndoshta një minutë, ndoshta pesë. Dukej si pafundësi. Por, kurrë s’jam ndjerë më i çliruar sesa kur kam arritur aty”.

“Zbrita në një rrugicë prapa dhe fillova të vrapoj. Atëherë pashë një njeri të armatosur, por vura re që nuk po shtinte dhe kuptova që ishte polic. Shyqyr Zotit, polic ishte”.

“Përfundova në një dyqan aty afër – vërtet nuk e di si – dhe qëndrova aty i fshehur për dy orë. Më rridhte gjak pa pushim. Një grua që s’e njihja, e cila quhej Katie, m’i shtrëngonte plagët me duar”.

“Pastaj, erdhën mjekët’.

Katër nga shokët e Markut, po ashtu, janë plagosur, por pritjet janë që do të mbijetojnë, ndërsa nëna e njërit prej tyre ka vdekur.

Duke folur nga Spitali George Pompidou, Marku e thotë edhe këtë fjali.

“Dikush atje lart u kujdes për mua. Megjithatë, ndjehem tmerrësisht keq për ata që nuk ia dolën. Ende i dëgjoj krismat e armëve dhe britmat e njerëzve”. /Politiko.net

Më Shumë

Kërkohet drejtësi për 77 martirët e Korishës

Me një manifestim përkujtimor, është shënuar 25 vjetori i vrasjes së 77 civilëve në Korishë, të cilët ishin përdorur si mburojë njerëzore nga serbët...

25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më...

Lajmet e Fundit