16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Fillojnë të shqyrtohen paditë e arsimtarëve të larguar të Malishevës

MalishevaDega në Malishevë e Gjykatës Themelore të Gjakovës tërë javën shqyrtoi paditë e arsimtarëve të larguar nga procesi mësimor në Malishevë.

Mbi 30 arsimtarë malishevas të larguar nga puna në shtatorin e vitit të kaluar kanë paditur Komunën e Malishevës duke kërkuar anulimin e konkursit që la pa punë, kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave. Mustafë Krasniqi njëri nga këta paditës thotë për KALLXO.com se gjykatës iu drejtuan pasi shteruan të gjitha mundësitë tjera administrative.

“Pas protestave dhe pakënaqësive tona që janë shfaqur, ne kemi ndjekur edhe rrugët ligjore, duke ndjekur procedua administrative, e deri te procedura gjyqësore, kemi ngritë padi ndaj komunës,” shpjegon Krasniqi.

Ai është shumë optimist se gjykata do të vendosë në favor të tij dhe të kolegëve.

“Ne mendojmë, që do të ketë sukses për shkak se e drejta është me ne dhe përveç që kemi kualifikimet e nevojshme, neve na janë bërë disa padrejtësi të mëdha me largimin tonë, largimet tona kanë qenë shumë diskriminuese, për shkak se nuk janë këqyrë, kualifikimet dhe kriteret për punësim,” thotë Krasniqi.

Besnik Gegaj, arsimtar i larguar i gjuhës angleze që e kishte të caktuar seancën për orën 13 e 30 të së mërkurës, kishte ardhur që në mëngjes në gjykatë për të përkrahur kolegët e tij.

Ai bën me dije se për vendin e tij të punës janë pranuar edhe kandidatë me Fakultet të Edukimit

“Padi është thjesht që unë, që posedoj kualifikim bachelor të Fakultetit të Filologjisë , largohem nga vendi i punës, ku kam pas marrëdhënien pune në Qendrën e Kompetencës në Malishevë dhe në të njëjtën kohë, pranohen me fakultet të edukimit dhe me fakultet privat, me çka kjo bie menjëherë ne kundërshtim me ligjin apo udhëzimin administrativ, që janë thirrë në shpallje të konkursit,” thotë ai.

Vetëm nga Qendra e Kompetencës janë larguar 27 punonjës.

Por, avokati i komunës së Malishevës, Mujë Sahitaj, të gjitha pretendimet e arsimtarëve i kundërshtoni nëpër seanca. Ai kërkoi që padia e paditësve të refuzohet si e pabazuar, pasi Drejtoria e Arsimit sipas tij veproi konform ligjit.

Avokati Nuhi Krasniqi që përfaqëson 17 nga profesorët paditës të Komunës së Malishevës thotë se largimi i tyre masiv nga procesi mësimor është politik.

“Kryesisht bëhet fjalë për një pjesë thuaj më të shkolluar të Komunës së Malishevës, të cilët janë larguar nga vendet e tyre të punës dhe mund të them se arsyeja kryesore e largimit është arsye politike, thjesht nuk i kanë takuar një subjekti politik që është në pushtet edhe janë largua prej vendeve të punës,” deklaron Krasniqi.

Ai tregon se profesorët që kanë bërë padi kanë kryer trajnime edhe në Norvegji.

“Shumica e tyre që janë larguar, përveç trajnimeve që i kanë kryer në Kosovë, për me punuar në Qendër të Kompetencës, ata janë trajnuar edhe në Norvegji, ku e kanë kryer një trajnim të jashtëzakonshëm, për me ardhë me punuar në këtë shkollë,” thotë avokati

Vitin e kaluar, shumica këtyre profesorëve u larguan nga puna, me arsyetimin se nuk i plotësonin kushtet.

Arsimtarët e larguar patën protestuar disa herë para Komunës së Malishevës me arsyetimin se padrejtësisht janë larguar nga procesi mësimor, por komuna mbronte qëndrimet e veta, se kishte bazë që këta profesorë ishin larguar.

Ata kishin ngritur kallëzim penal edhe kundër kryetarit të Komunës së Malishevës Ragip Begaj.

Shqyrtimi i padive të mësimdhënësve filluan të shqyrtohen nga e hëna, ndërsa vetëm të mërkurën u mbajtën tetë seanca./kallxo.com/

Më Shumë

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Totaj e Lladrovci diskutojnë për një bashkëpunim ekonomik

Në një takim zyrtar sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prani të miqve anglezë. Diskutimet u fokusuan...

Lajmet e Fundit