14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Fondacioni i partisë së Merkelit kritikon ashpër qeverisjen e PDK-së

Thaci Merkel(E plotësuar)Fondacioni politik gjerman “Konrad Adenauer” i Partisë Kristiandemokrate të Gjermanisë (CDU), parti kjo në pushtet ka realizuar një analizë për Kosovën të titulluar: Kosova në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare. Analiza është realizuar nga analistja Anja Czymmeck.

Analiza e plotë për skenën politike të Kosovës para zgjedhjeve të reja parlamentare:

Vitin e kaluar, më 19. 04. 2013 është arritur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, e cila ka kontribuar për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe e cila njëkohësisht shtron rrugën evropiane. Se si do të zhvillohet ky proces i dialogut këtë vit, që në fakt kushtëzohet nga jetësimi në praktikë i marrëveshjeve të arritura, kjo do të varet shumë nga rezultati dhe konstituimi i parlamenteve dhe qeverive në të dyja vendet, që do të dalin nga zgjedhjet e reja që mbahen këtë vit.

Më 17 .03.2014 u mbajtën zgjedhjet në Serbi nga të cilat partia përparimtare e Aleksandër Vuçiqit prin me një rezultat absolut shumicë. Njeriu i fortë, Vuçiq dhe partia e tij pritet të vazhdojë kursin evropian drejt BE që i ka dhënë vendit edhe statusin e kandidatit.

Edhe në Kosovë përgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare janë në vlug. Ndonëse ende nuk është përmbyllur plotësisht reforma zgjedhore dhe nuk është sqaruar ende se çfarë do të ndodh me vendet e rezervuara të minoriteteve në parlamentin e Kosovës, partitë më të mëdha parlamentare janë marrë vesh që zgjedhjet e radhës të mbahen kah mesi i qershorit. Dhe është pikërisht kjo marrëveshje e bërë në prapavijë midis partive politike që ka bërë Kosovën të përgatitet për zgjedhje. Rezultati i zgjedhjeve në Serbi si dhe diskutimet që po zhvillohen për ngritjen e një Tribunali ndërkombëtar për hetimin e krimeve të supozuara se janë kryer gjoja nga pjesëtarët të UÇK-së, do luajë një rol në skenën politike të Kosovës.

Themelimi i një Tribunali të tillë po refuzohet nga shumica e parlamentarëve në Kuvendin e Kosovës me arsyetimin e UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare dhe jo grupe terroriste. Shumica e deputetëve të Parlamentit të Kosovës e konsiderojnë të padrejtë që ish pjesëtarët e UÇK-së të akuzohen jashtë Kosovës dhe frikësohen se kjo do ti shkaktonte dëme të pariparueshme imazhit të vendit.

Faktorët e brendshëm që kanë kontribuar për mbajtjen e zgjedhjeve në mes të qershorit, mes tjerash është situata e brishtë e krijuar brenda PDK-së e cila udhëheq me qeverinë. Aktualisht kjo parti ka vështirësi të vazhdueshme për të krijuar shumicën në parlament për shkak të përçarjeve dhe zënkave midis anëtarëve prominent të të parisë si janë kryetari i parlamentit Jakup Krasniqi dhe ish ministri i transportit Fatmir Limaj, gjë që ka dobësuar partinë në mënyrë ekstreme.

Në Kosovë ekziston besimi megjithatë se përkundër disa problemeve në veri të vendit, zgjedhjet komunale që u mbajtën më 2013 do të kenë një efekt pozitiv në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe se këto zgjedhje do të jenë më të mira se zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, të cilat, sipas vlerësimeve ndërkombëtare ishin përcjellë nga mashtrimet dhe manipulimet e votës.

Kosova nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë për sa i përket reformës zgjedhore. Kjo çështje është evidencuar edhe si sfidë nga raporti i progresit i BE-së për vitin 2013, ku thuhet se kryerja e reformës zgjedhore do të garantonte mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane. Për një reformë të re nuk ka kohë por pas zgjedhjeve kjo çështje do të duhej të ishte prioriteti kryesor i Kosovës. Është me shumë rëndësi që Bashkësia Ndërkombëtare ashtu si në zgjedhjet komunale të tregojë një prezencë të fuqishme monitoruese në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë vend për manipulim të zgjedhjeve.

Një problem tjetër që ka mbetur i pazgjidhur është çështja e ulëseve të rezervuara për minoritetet në Parlamentin e Kosovës. Në Parlamentin e Kosovës prej 120 vendeve, 20 janë të rezervuara për minorite (dhjetë për serbë dhe dhjetë për minoritete të tjera). Përveç kësaj, minoritetet mund të fitojnë mandate shtesë edhe në zgjedhjet e drejtpërdrejta. Aktualisht ka një debat për çështjen e vendeve të rezervuara. Përfaqësuesit e minoriteteve në anën tjetër po kërkojnë ti mbajnë këto vende dhe thonë se mbajtja e vendeve të rezervuara do të ishte një dëshmi se ata janë të dëshiruar në institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër ka një kundërshtim në radhët e partive shqiptare që thonë se minoritet përbëjnë më pak se dhjetë për qind të popullatës se Kosovës, ndërsa me Kushtetutë atyre u sigurohet 17 për qind të vendeve në Parlament. Gjithashtu ekziston frika se përmes një mobilizimi të serbëve në zgjedhjet e drejtpërdrejta, duke pasur parasysh edhe vendet e rezervuara, minoritet mund të marrin shumë fuqi politike në Parlament dhe mund të rrezikojë demokracinë edhe ashtu të brishtë në Kosovë.
Përfaqësuesit e minoriteteve në Parlament ndërkaq, me qëllim të ushtrimit të presionit për të mbajtur vendet e rezervuara kanë kushtëzuar votimin e tyre për vendimin e shndërrimit të FSK-së në ushtri të ardhshme të Kosovës.
Për më tepër në zgjedhjet e reja parlamentare do të tregohet nëse integrimi i i veriut dhe shpërbërja e strukturave paralele serbe ka qene një proces i suksesshëm dhe nëse minoriteti në veri është integruar vërtetë në strukturat shtetërore të Kosovës.

PDK
Partia qeverisëse e kryeministrit Thaçi në zgjedhjet e fundit lokale humbi disa komuna, po ajo ia doli megjithatë të mbetej paria më e madhe në vend. PDK në zgjedhjet e radhës shpreson të marrë votën e elektoratit besnik, por jo edhe të atyre që janë të pakënaqur me gjendjen e keqe ekonomike, papunësinë dhe korrupsionin. Partia qeverisëse PDK, për shkak të përçarjeve të shkaktuara brenda saj nga kryeparlamentari Krasniqi dhe ish ministri i komunikacionit Limaj, ka qenë objekt i shumë titujve negativ në media. Të dy politikanët tani kanë themeluar partinë e tyre me emrin NISMA (Nisma për Kosovën), e cila mund t’i sjellë vështirësi PDK-së, sepse do të marrë nga elektorati i saj. Kryeministri Thaçi njëherazi kryetar i partisë, po përpiqet që këtë trend negativ të tejkalojë me një paralajmërim popullor për rritjen e pagave për 25 për qind, gjë që nuk e është e qartë se si do të financohet.

LDK
LDK në zgjedhjet e fundit komunale ka humbur Prishtinën, kryeqytetin e vendit, por ka fituar në disa prej komunave të rëndësishme, duke u etabluar si forca e dytë në vend. Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa ka shfaqur shpresën për fitore në zgjedhjet parlamentare dhe pret të marrë përgjegjësinë e qeverisjes.
Se me çfarë koalicioni mund ta arrijë ai këtë, ende nuk është e qartë, sepse përditë ka zëra dhe thashetheme të reja. Pas ndarjes nga kjo parti të një krahu që themeloi LDD në vitin 2006, që quan në humbjen e kësaj partie në zgjedhjet e vitit 2007, kryetarit të kësaj partie Isa Mustafa i ka shkuar për dore të rregullojë strukturat brenda partisë dhe të anëtarësojë LDK-në në Partinë Popullore Evropiane (EVP) ku në vitin 2012 LDK është pranuar në cilësinë e partisë vëzhguese.
Nëse atij dhe LDK-së di ti shkojë për dorë që në zgjedhjet e radhës të kapitalizojë dobësitë e shfaqura në PDK para së gjitha për shkak të Nismës, duke mobilizuar elektoratin e LDK-së, se PDK-ja ka qeverisur gjatë – atëherë mbase kjo mund ta ndihmojë suksesin e LDK-së në këto zgjedhje.

AAK
Kjo parti jeton nga personaliteti karizmatik i ish kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili momentalisht duket ende i pavendosur nëse do ta mbështesë Thaçin dhe PDK-në, apo do ta luftojë atë. AAK në zgjedhjet e fundit komunale mund të konsiderohet se ka rritur votën e saj elektorale, por megjithatë, ajo ka humbur disa komuna kryesore. Në fund kjo parti mbase mund të dalë si një forcë kyçe për koalicion qeverisës

Vetëvendosje
Në zgjedhjet e fundit komunale me zgjedhjen e Shpend Ahmetit kryetar i komunës së Prishtinës VV ka arritur një sukses të konsiderueshëm. Por asaj tani i ka mbetur të dëshmohet nëse di të qeverisë mirë dhe të dëshmohet si një parti e etabluar. Vota e Prishtinës do të jetë vendimtare për VV në zgjedhjet parlamentare, pasi në zgjedhjet komunale kjo parti ra nga 13 për qind në 8 për qind. Ajo duket se po tërhiqet vazhdimisht midis rrymave përparimtare dhe pikëpamjeve nacionaliste ekstreme . VV aktualisht po sulmon në të njëjtën masë si qeverinë ashtu edhe opozitën. Me gjasë kjo parti do të luftojë për vend të tretë me AAK-në në zgjedhjet parlamentare

AKR
Partia e ish presidentit që në detyrë ishte për një kohë shumë të shkurtë Behxhet Pacolli në zgjedhjet komunale ka shënuar sukses në komunat Gjakove dhe Mitrovicë. Megjithatë, do të jetë shumë vështirë që ajo të tejkalojë pengesën prej 5 për qind që të hyjë në Parlamentin e Kosovës.
Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë kaluar tashmë në modusin e përgatitjes për zgjedhjet e reja parlamentare dhe retorika elektorale po bëhet përditë më e ashpër. Se kush me kë do të bëjë koalicion ende mbetet e hapur. Mbetet të shpresohet se në parlamentin e ri dhe në qeverinë e re të Kosovës do të fitojë dhe do të përfaqësohen forcat politike që do të vazhdojnë kursin e dialogut me Serbinë dhe të procesit të Stabilizm asociimit, gjithashtu forca që do të angazhohen për liberalizimin e vizave dhe që seriozisht do të angazhoheshin për tejkalimin e problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi.

Më Shumë

27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur...

Arrestohet një person në Rahovec, ushtroi dhunë në familje nën ndikimin e alkoolit

Një person në Rahovec është arrestuar, pasi i njëjti nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë në familje. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së...

Lajmet e Fundit