16.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Gërxhaliu kërkon një laborator të ADN-së (Video)

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se që nga e hëna ekipi është në terren në Rudnicë në një minierë ku po dyshohet për varrezë masive, bashkë me ekspertët e EULEX-it dhe palën serbe në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Etapa e parë është përfundim e sipër. Janë tri etapa, sepse është një terren shumë i vështirë meqenëse edhe kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen, po tentojmë që sa më shpejtë të vijmë deri tek gjetjet mortore”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai në emisionin”Kontakt” në Tribuna Channel, ka shprehur shqetësimin e tij për mos themelimin e laboratorit të ADN-së.

“Duhet të ulemi me institucionet që të diskutojmë, edhe më herët i kam paralajmëruar që në vend se të na vijnë ditët më të mira, po na vijnë më të këqija, me vetë faktin që Komiteti Ndërkombëtar do të largohet prej Ballkani do të kenë projekte të mëdha në Irak e Siri, dhe për laborator jemi të varur në këtë aspekt. Momenti i fundit është që të ulemi me institucionet dhe të trajnohen njerëz për këtë punë, ngase për fat të keq nuk ka kapacitetet dhe për të krijuar një profil të tillë njerëzit duhet dërguar jashtë për shkollim më të gjatë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai tha se sipas informacioneve që kanë në vendin ku po bëhen gërmimet dyshohet për afër 20 persona .

“Ka informacione të ndryshme, mund të jenë mbetjet mortore mbi 14 persona ose mbi 20, por pa marrë parasysh nuk kisha dashur të predikojë sepse shpesh edhe informacionet nuk po na dalin të sakta”, ka thënë ai .

Gërxhaliu në këtë emision ka folur edhe për dy lokacione tjera në Kosovë ku po dyshohet për varreza masive.

“Kapacitetet nuk janë ashtu çfarë duhet të jenë mirëpo në njëfarë forme duhet të organizohemi apo të ndahemi në dy gjysma që të kontrollojmë edhe këtë pjesë në Kosovë, në fshatin Kqiq të Mitrovicës, kam informacione prej medieve edhe për një pjesë në Llugagji me dyshime se mund të ketë varrezë masive”, ka thënë Gërxhaliu.

Më Shumë

Lajmet e Fundit