Nga 80 ushtarë gjermanë sa janë aktualisht në Kosovë në kuadër të KFOR-it, numri i tyre do të shkojë në 300 së bashku me stafin mbështetës.

Ky kontingjent gjerman i këmbësorisë do të zbarkojë në Kosovë në pranverë. Për këtë çështje ka folur edhe gjenerali gjerman, Bernd Schutt, i cili ka thënë se ata do të bëjnë patrullime, detyra të sigurisë dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe de-përshkallëzim në rast të trazirave dhe protestave.

Ky vendim i Gjermanisë është mirëpritur nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, i cili ka thënë se njoftime të tilla tregojnë vendosmërinë e shteteve aleate për t’u siguruar që KFOR-i ka kapacitetet e nevojshme për të përmbushur mandatin e vet. “Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, ka thënë Ulutas.