5.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Gjykata e dënon avokatin Esat Gutaj me 500 euro gjobë për mungesën në seancë,

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, gjykatësja Raima Elezi ka dënuar me 500 euro gjobë, avokatin Esat Gutaj, se nuk ka respektuar ftesën e gjykatës për mbajtjen e seancës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Naser Koqinaj, Ihsan Fetahaj, Arlinda Krasniqi dhe Kujtim Gjilani.

Sipas aktakuzës, Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënia e ryshfetit dhe mashtrimit, i akuzuari Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale marrja e ryshfetit, Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e akuzuara Krasniqi për veprën penale mashtrimi.

“Pasi që kryetarja e trupit gjykues vlerëson se sjellja e avokatit dhe mosrespektimi i ftesës mundet me qenë pengesë për mbajtjen e seancës, dënohet avokati Esat Gutaj me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, të cilin dënim obligohet të paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit”, ka thënë gjykatësja Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Asociation “Loyola–Gymnasium” shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve të rinj

Gjykatësja Elezi tha se, avokati Gutaj ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt, mirëpo i njëjti mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

E njëjta tha se përmes recepsionit ka kontaktuar me avokatin Gutaj dhe se i njëjti ka deklaruar se gjendet në Prishtinë dhe se do të angazhojë avokat zëvendësues.

Ndërsa, i dëmtuari Mirsad Badalli, tha se me avokatin Gutaj nuk ka kontaktuar.

Tutje, seanca ka vazhduar me deklarimet e mbrojtësve të akuzuarve dhe të akuzuarve lidhur me kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Mbrojtësi i të akuzuarit Koqinaj, avokat Nazmi Mustafi tha se qëndron në tërësi pranë kërkesës për kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhjen e aktakuzës të parashtruar me shkrim.

I njëjti ka propozuar që të aprovohet kundërshtimi dhe kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe në tërësi gjykata t’i shpall të papranueshme provat në të cilat mbështetet aktakuza.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fetahaj, avokat Sylë Hoxha tha se qëndron në tërësi pranë kërkesës për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, duke shtuar aktakuza është e pa argumentuar dhe ka kërkuar që e njëjta të hedhet si e pabazuar.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarës Krasniqi, avokat Blerim Cakolli ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë kërkesës së dorëzuar për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Gjilani, avokat Skender Morina ka qëndruar pranë kërkesës për hedhje të aktakuzës.

Të akuzuarit Koqinaj, Fetahaj, Krasniqi dhe Gjilani kanë deklaruar se pajtohen me fjalët e mbrojtësve të tyre.

Pas kësaj, në seancë është paraqitur avokatja Hana Canaj, e cila tha se avokati Gutaj ka kërkuar që e njëjta ta zëvendësoj në këtë seancë.

Canaj tha se nuk posedon autorizimin zëvendësues dhe se nuk ka dijeni lidhur me rastin dhe se nuk mund të deklarohet në cilësinë e përfaqësueses së palës së dëmtuar.

Tutje, i dëmtuari Badalli ka thënë se deklaratat të cilat i ka dhënë në Polici dhe në Inspektoriat Policor i ka dhënë nën presion nga personi Nexhmedin Ajazaj.

Badallai tha se në deklaratën me shkrim që e ka dorëzuar pranë kësaj gjykate ka treguar të vërtetën. Ai ka shtuar se nuk e ndjen veten të dëmtuar nga të akuzuarit Koqinaj, Fetahaj, Krasniqi dhe Gjilani.

“Po të mos kish qenë Naser Koqinaj dhe Ihsan Fetahaj unë kam mund me qenë në rrezik të madh”, ka thënë Badalli.

Në fund, gjykatësja Elezi ka refuzuar kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës të parashtruar nga avokatët Mustafi, Hoxha, Cakolli dhe Morina.

E njëjta tha se me kërkesën e palëve vendimi i gjykatës do të iu dorëzohet me shkrim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 21 dhjetor 2022 nga Prokurorisë Themelore në Prizren, Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënia e ryshfetit dhe mashtrimit, i akuzuari Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale marrja e ryshfetit, i akuzuari Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e akuzuara Krasniqi për veprën penale mashtrimi.

Sa i përket veprës penale “Fajdeja” nga neni 331 i KPRK-së, prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim deri në arrestimin e tij, fillimisht e ndihmon të dëmtuarin Mirsad Badalli që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive si B.P dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike, e pikërisht të pandehurin e dytë Ihsan Fetahu i cili e punon lëndën ku është i dëmtuar Naser Koqinaj, e pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.

Për veprën penale të “Detyrimit” nga neni 328 i KPRK-së, prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej vitit 2018 e në vazhdim, ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e “Raiffeisen Bankë” nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ ia dorëzojë atij, e që të njëjtit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.

Tutje, sipas aktakuzës, Koqinaj ngarkohet se më 12 dhe 26 korrik 2019 në Prizren, për të dëmtuarin Mirsad Badalli jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit Ihsan Fetahu në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare lidhur me kallëzimin penal që e ka ngritur në Prokurori ku Mirsad Badalli ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit Ihsan Fetahu dy vetura, “WV Tauran” dhe “WV Golf”, të marra përmes kontratave të Lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Koqinaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj po akuzohet se nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetuesi Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pranon nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran”, dhe veturën “WV Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Fetahaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani po akuzohet se më 9 gusht 2020 në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, i mundëson drejtuesit të automjetit Pezho kalimin e kufirit edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid – autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit, në mënyrë të njëjtë vepron edhe me datat 17 dhe 30 gusht 2020 dhe 16 tetor 2020, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjit me nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjin nr. 05/L-132 për automjetet.

Për këto veprime, Gjilani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj, akuzohen se nga 29 gusht 2020, e deri 09 dhjetor 2020 në Prizren, në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin, ku fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi, që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin Badallaj dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep autorizim të pandehurës Arlinda Krasniqi, kështu e njëjta kur është autorizuar nga i dëmtuari Mirsad Badalli nga xhirollogaria e të njëjtit ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 euro, e të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material për po të njëjtën vlerë.

Për këto veprime, Koqinaj dhe Krasniqi në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 323 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Luhet në Malishevë, Gjilan dhe Lipjan, ndeshje interesante në xhiron e 25-të në Albi Mall Superligë

Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet në aksion me ndeshjet e xhiros së 25-të që do të zhvillohen në mesjavë. Në program janë tre sfida...

Kushner publikon megaprojektin miliarda dollarësh në bregdetin shqiptar

Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump përmes një postimi në llogarinë X – dikur Twitter ka ndarë pamje nga projektet e “zhvillimit që kemi...

Lajmet e Fundit