6.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Rigjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Komunës së Prizrenit, aprovohet propozimi për dëgjimin e ekspertit financiar

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka aprovuar propozimin e prokurorit Mehdi Sefa, për dëgjimin e ekspertit financiar, Agim Sheqiri, në rigjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu.

Këtë propozim, e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Edhe një herë të ftohet dhe të dëgjohet eksperti financiar Agim Sheqiri, meqë i njëjti është hartues i ekspertizës financiare në këtë çështje penale dhe gjatë elaborimit të tij lidhur me ekspertizën, është ndërprerë për arsyet e vërejtjeve që ka pasur mbrojtësi i të akuzuarit”, ka thënë prokurori Sefa.

Paraprakisht, gjykatësja Elezi ka thënë se palët në procedurë kanë pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të 22 dhjetorit 2022.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi ka deklaruar se aktvendimi i Gjykatës së Apelit është i pakuptimtë dhe se gabimisht i është referuar ankesës së Prokurorisë në raport me ekspertizën financiare, të cilën kjo gjykatë e ka veçuar si provë të papranueshme.

“Nëse ka jurist në botë që mundet me kuptu këtë aktvendim në kuptim të aprovimit të ankesës së Prokurorisë, në raport me ekspertizën të cilën kjo gjykatë e ka veçuar si provë të papranueshme unë s’e veshi togën e avokatisë kurrë në jetë. Kjo për arsye se në faqen dy, Gjykata e Apelit i referohet ekspertizës së propozuar në aktakuzë, e ju e keni veçuar ekspertizën e dorëzuar pas ushtrimit të aktakuzës”, ka thënë Kërveshi.

Kërveshi ka thënë se Gjykata e Apelit i është referuar aktakuzës e cila në provë kërkon mendimin e ekspertit financiar të 29 gushtit 2017, e që sipas tij është vërtetuar që me këtë provë gjykata është shërbyer në një rast tjetër penal që nuk ka të bëjë me këtë çështje.

Po ashtu, Kërveshi e ka kundërshtuar dëgjimin e ekspertit Sheqiri dhe ka shtuar se qëndron pranë të njëjtave kundërshtime që kishte dhënë në seancën e 30 shtatorit 2022.

“Unë besoj që gjykata nuk ka arsye ta dëgjojë të njëjtin për eksperzitën e përgatitur me datë 29 gusht 2017, e që për vëmendjen e juaj në seancën e fundit na është dorëzu kjo ekspertizë të cilën nuk e keni pasur në shkresa të lëndës, as gjykata e as unë si mbrojtës. Të njëjtën unë e kam pranuar  në atë seancë nuk gjej arsye për ta ripërsëritur asnjë nga kundërshtimet që i kam dhënë në atë seancë më 30 shtator 2022, të dhëna pranë këtij trupi gjykues duke qëndruar pranë të njëjtave”, ka thënë avokati Kërveshi.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarës, Komuna e Prizrenit, avokati Blerim Mazreku ka deklaruar se lidhur me propozimin e prokurorit Sefa, ia lë në vlerësim gjykatës. I njëjti ka kërkuar nga gjykatësja Elezi të lirohet nga kjo seancë dhe ka deklaruar se gjykimi mund të vazhdojë pa prezencën e tij.

Pas kësaj, gjykatësja Elezi tha se do të ftohet eksperti financiar Agim Sheqiri.

E njëjta, seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar më 28 prill 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarin Kryeziu më 21 shtator 2021 e ka liruar nga akuza për korrupsion, mirëpo Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 1 janar 2015 e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7 mijë e 200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Fulham do t’i paguajë Chelseat 4 milionë paundë për Brojën

Fulham është vendosur të paguajë 4 milionë paundë te Chelsea për sulmuesin Armando Broja sipas kushteve të marrëveshjes së tij të huazimit të janarit. “Cottagers”...

Mos mbani kontakt me ishin, prish lidhjen e re

Një studim i ri thotë se shumica e njerëzve që mbajnë kontakte me ish të dashurin/ën, mund të kenë probleme dhe t’i shkaktojnë dëme...

Lajmet e Fundit