13.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Gjykata kërkon prova origjinale në rastin ku ish-inkasanti akuzohet për përvetësim në detyrë

Gjykata Themelore në Prizren, e ka obliguar organin e akuzës, që të sigurojë provat origjinale në rastin ku ish-inkasanti nga “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, Hafir Gallopeni, po akuzohet për përvetësim në detyrë.

Ai akuzohet se duke punuar si inkasant ka përvetësuar para në shumë prej mbi 20 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, në seancën e së hënës, ka konstatuar se dëftesat që gjenden në shkresat e kësaj lënde, të gjitha janë në fotokopje.

“Me shiqimin në shkresat e lëndës, trupi gjykues konstaton se dëftesat që gjenden në shkresat e lëndës, të gjitha janë në fotokopje dhe se nuk figurojnë në emër të këtu të akuzuarit Hafir Gallopeni, por për të akuzuarit e tjerë për të cilët është veçuar procedura dhe ka përfunduar me aktgjykim të formës së prerë”, ka thënë gjykatësja Skenderi.

Kurse, prokurorja e këtij rasti, Ervehe Gashi, trupit gjykues i ka ofruar në shikim librin e pranimin të administratës së Prokurorisë së Prizrenit, për të cilin gjykatësja Skenderi, ka konstatuar se provat nga pala e dëmtuar, “Hidroregjioni Jugor”, organi i akuzës i ka pranuar në fotokopje, dhe se si të tilla, janë dorëzuar edhe në gjykatë.

“Duke marr parasysh që provat për të akuzuarin Gallopeni, nuk janë dorëzuar në origjinale e as Prokuroria e Shtetit nuk i ka pranuar në origjinale, por në fotokopje, trupi gjykues e obligon prokurorinë që deri në shqyrtimin e radhës, të kërkojë nga pala e dëmtuar provat origjinale – dëftesat për të akuzuarin Hafir Gallopeni”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 1 korrik 2019, prej orës 9:00.

Për më tepër, gjykatësja Skenderi, ka thënë se nëse deri në seancën e radhës, prokuroria nuk i dorëzon dëftesat në origjinale për të akuzuarin Gallopeni, do të konsiderohet se organi i akuzës ka hequr dorë nga shikimi i këtyre provave.

Ndryshe, në seancën e 13 marsit 2019, mbrojtësi i të akuzuarit Gallopeni, avokati Asman Hoxha, kishte bërë vërejtje në administrimin e provave, konkretisht në 964 kopje të dëftesave të inkasantit Hafir Gallopeni, për të cilat ka thënë se nuk i ka pasur në shikim asnjëherë, as origjinalet, e as fotokopjet.

Më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, nga periudha mars 2013-maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.

Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Hamza në Rahovec: Ne jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, ekonomisë dhe zhvillimit të Kosovës

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim të madh edhe me qytetarët e Rahovecit. Hamza ka thënë se vreshtarët, verëtarët dhe...

Vetëvendosje në Prizren ndriçon hapësirat e saj me portokalli në solidaritet me viktimat e dhunës gjinore

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore,” qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka ndriçuar hapësirat e saj...

Lajmet e Fundit