Arlind Braha, i cili akuzohet se ka ndezur zjarr në një lokal në pronësi të Komunës së Prizrenit, të martën, nuk e ka pranuar fajësinë, duke deklaruar se ai nuk e ka bërë një gjë të tillë, por dikush tjetër.
Gjatë kësaj seance gjyqësore, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, prokurori i çështjes, Shpend Binaj, ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari Braha, ka deklaruar se ndihet i pafajshëm rreth akuzës që ngarkohet.
Pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, gjykatësja e rastit, Teuta Krusha, ka mbyllur shqyrtimin fillestar, ndërsa shqyrtimin e dytë e ka caktuar të mbahet më 31 korrik 2018, në ora 09:00.
Para përfundimit të shqyrtimit fillestar, gjykatësja Krusha, ka njoftuar të akuzuarin për të drejtën e tij në mbrojtje profesionale dhe se deri në shqyrtimin e dytë ka të drejtë të paraqesë kundërshtimin e aktakuzës dhe provave mbi të cilat mbështetet ajo.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën, i pandehuri Arlind Braha akuzohet se më 13 mars 2015, në orët e mbrëmjes, me qëllim të dëmtimit, ka ndezur zjarr në një lokal të qendrës tregtare “Meridian Express” në Prizren, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit, e cila është pronare e lokalit të djegur.
Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “zjarrvënia”, nga neni 334, paragrafi 1, i KPRK-së./betimiperdrejtesi.com/