10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Informacionet e CIA-s: Gjermani, spiuni amerikan punonte edhe për rusët

Merkel-siguria-320x180Në Gjermani është ndezur një debat i madh dhe një valë zemërate publike, pas informacioneve se një spiun me nënshtetësi gjermane ka mundur të depërtojë në radhët e Shërbimit Informativ Gjerman, BND, duke përcjellë informacione për CIA-n amerikane. Presidenti gjerman, Joachim Gauck, e cilëson këtë aferë si një rrezik për marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF, Presidenti Gauck tha se po qe se akuzat vërtetohen, kjo është një lojë me miqësinë dhe lidhjen e ngushtë. “Pastaj vjen vërtet momenti që të thuhet. Kaq, jo më tutje”. Po ashtu, qeveria gjermane ka kërkuar sipas informacioneve të mediave vendase, që të ndërrohen agjentët e “Joint Intelligence Staff” (Shtabit të integruar të shërbimeve sekrete) në ambasadën amerikane. Nuk përjashtohet edhe mundësia e ndërrimit të ambasadorit. Prokuroria e kishte lëshuar urdhërarrestin për 31-vjeçarin gjerman, spiun të amerikanëve që të mërkurën e kaluar. Një ditë më pas u thirr në Ministrinë e Jashtme gjermane edhe vetë ambasadori amerikan për të dhënë shpjegime në lidhje me rastin në fjalë.

Gjatë një vizite në Pekin, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh në lidhje me çështjen në fjalë se “nëse vërtet është kështu, bëhet fjalë për një rast të rëndë”. “Nëse akuzat vërtetohen, kjo bie ndesh hapur me atë çfarë unë kuptoj si bashkëpunim në mirëbesim mes shërbimeve të jashtme dhe partnerëve”.

Ministri i Jashtëm në kabinetin e zonjës Merkel, Frank Walter-Steinmeier, gjatë një vizite që po zhvillon në Mongoli, u shpreh dje se “në rast se dyshimet vërtetohen, atëherë nuk mund të kthehemi aq shpejt tek axhenda jonë normale e punës”. Megjithatë, Steinmeier kërkoi respektimin e kritereve. “Fillimisht sqarim, pastaj vendimin se çfarë duhet të bëjmë”. Gjithashtu mësohet se politikanë të ndryshëm nga radhët e CDU/CSU-së gjermane në Bundestagun Gjerman, janë shprehur për hapa më konkretë e të vendosur në lidhje me këtë çështje, duke folur qartë për një vendosmëri kundrejt SHBA, e cila pas skandalit me përgjimet ndaj Kancelares Merkel, vitin e kaluar, tashmë ndien se e ka kaluar masën dhe sipas politikanëve gjermanë, ka ardhur koha të japë shpjegime e të kërkojë falje publike, pasi kjo dukuri deri kohë më parë ka qenë e pamendueshme dhe e pazakontë mes partnerësh e aleatësh.

U zbulua nga e-maili për rusët

Gazeta “Bild am Sonntag” njoftonte dje se punonjësi i BND-së ka punuar për CIA-n. Sipas Bild, ai ka arritur të dërgojë dokumente të punës së komisionit hetimor për NSA-në, i cili merrej me aferën e mëparshme të përgjimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në SHBA. Shërbimet gjermane janë të mendimit se CIA ka qenë e përfshirë në këtë çështje. Agjenti i dyfishtë duket se ka pranuar para autoriteteve gjermane dërgesën një herë në javë të informacioneve drejt SHBA-së. Po sipas Bild, nga 218 dokumente të dërguara, dy transfertat e fundit kanë qenë dokumente që lidheshin me punën e komisionit hetimor për NSA-në.

Por Agjencia Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës gjithashtu bëri të ditur se kishte regjistruar edhe një e-mail të punonjësit të BND-së, dërguar shërbimeve sekrete ruse, ku ai ofronte shërbimet e tij kundrejt pagesës. Për të nxjerrë më në pah rëndësinë e punës së vet, spiuni gjerman kishte bashkangjitur edhe dy dokumente, që kishin të bënin me punën e komisionit hetimor për NSA-në. Paradoksalisht, përmbajtja e këtij e-mail-i u bë shkas për zbulimin e tij edhe si spiun i amerikanëve. Por, përtej kësaj, afera për spiunin gjerman, që punonte për amerikanët, nuk duket se do të ketë një jehonë të gjerë, siç parashikohej.

Sipas deklaratave të kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar në Bundestag për përgjimet e NSA-së, Patrick Sensburg, puna e komisionit nuk rezulton të jetë dëmtuar nga kjo aferë. Sipas Agjencisë së Shërbimit Inteligjent Gjerman, spiuni në fjalë ka qenë thjesht një asistent në Departamentin për “Misionet e Jashtme” dhe jo agjent i Shërbimit të Jashtëm Informativ. “Sipas vlerësimeve paraprake, kuptohet se afera nuk është aq shokuese”, u theksua të shtunën. Një funksionar i lartë i BND-së ka konfirmuar se një agjent i BND-së ka punuar për shërbimet sekrete amerikane. “Të gjithë treguesit flasin për atë, që ai ka punuar për amerikanët”, citonte dje ndërkohë gazeta “Frankfurter Allgemeine” funksionarin në numrin e saj të fundjavës.

Më Shumë

Kurti: Nëse dëshiron opozita e shpërndajmë Kuvendin dhe shkojmë në zgjedhje, qeveria s’ka arsye të rrezohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për deklaratën e tij se është i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje. Kurti ka thënë se...

Policia shqipton 1.521 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1521 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit