18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ish-këshilltari i Thaçit, Dukagjin Gorani: PDK do ta humbë primatin

Dukagjin_Gorani1Dukagjin Gorani , sociolog dhe analist politik, në një intervistë për Express, ka folur për fushatën zgjedhore dhe rezultatin e mundshëm të partive në zgjedhjet e 8 qershorit. Sipas tij, gjithçka është enigmatike, por, në rast të një basti , ai i jep përparësi Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke komentuar rreth koalicioneve të mundshme, Gorani ka thënë se AAK, në secilin variant, insiston që ta ketë postin e Kryeministrit.
Z. Gorani, ekziston përshtypja se fushata e sivjetme, e të gjitha partive, ka qenë e përqendruar tek oferta e tyre, programet qeverisëse. Nuk kemi pasur sulme ndër-personale dhe akuza të forta – siç ndodh zakonshëm në fushata zgjedhore. A është ky një “standard demokratik” që e kemi arritur apo është sinjal se qeveria e ardhshme do të jetë qeveri me bazë të gjerë përfaqësimi?

Gorani: Kjo fushatë zgjedhore dëshmoi për dy ndryshime të mëdha: partitë hoqën dorë nga gara tradicionale për ‘të kaluarën e lavdishme’ dhe e pranuan se zhvillimi ekonomik është obsesioni i vetëm i shoqërisë kosovare. Ky ndryshim kaq i madh i kursit nuk do të kalojë pa viktima – meqë tash e 15 vjet, pushteti në Kosovë është ndërtuar mbi ‘merita historike’ dhe ‘vlera të luftës’. Tash po dëshmojmë se, për vetëm disa muaj, të gjitha këto u hodhën në plehërishte. Sot, politikanët e dikurshëm ‘heroikë’ po përpiqen ta rizbulojnë veten si teknokratë dhe ekspertë ekonomikë me ndërgjegje sociale. Deri dje, pushteti i tyre sigurohej me theksim të ‘epopejave’ dhe ‘martirizmit’, kurse sot e tëra sillet rreth premtimeve për vende të punës dhe politikave reformuese fiskale. Paksa banale, por çfarë të bësh? Në shoqëri të lirë njeriu ka të drejtë ta prezantojë veten sipas dëshirës. Diçka tjetër është se sa do t’i besohet. Më duhet ta pranoj se sikur atëherë, ashtu edhe sot, këto tregime mbetën amatore dhe jobindëse.

Mendoj se kjo metamorfozë ideologjike është pasojë e traumës së shkaktuar gjatë zgjedhjeve lokale në dhjetorin e kaluar. Aty, për herë të parë, u kuptua se kah po anonte interesimi i popullit. Të gjithë e kuptuan se modeli i parapëlqyer i përfaqësuesit publik ishte ai i zyrtarit të ndershëm, bashkëkohor dhe modest. Kudo që pati këso oferte, ajo triumfoi pavarësisht përkatësisë partiake. Ishte ky një leksion depresiv për partitë e mëdha të cilat pushtetin e krijuan mbi meritokraci ‘historike’. Sot, liderët e tyre prezantohen si ‘të ndryshuar’ duke u përpjekur që me këtë t’i ikin mundësisë që nesër të jenë ‘të ndërruar’ e ‘të zëvendësuar’.

Zgjedhjet e fundit lokale rrëzuan pothuajse gjitha parashikimet që u bënë gjatë gjithë fushatës. A mund të ndodhin përmbysje të mëdha edhe të dielën?

Gorani: Është situatë tejet enigmatike. Vështirë është të dihet se si do të reagojë elektorati ‘tradicional’ i partive të mëdha karshi kësaj metamorfoze ideologjike. Parashoh luhatje të konsiderueshme të elektoratit, si dhe përpjekje nga partitë e tjera për të përfituar nga ky lëmsh. Nëse procesi zhvillohet si duhet – pra, pa vjedhje e falsifikime – pres befasi të mëdha. Përndryshe, vjedhja dhe falsifikimi i votave do ta prodhojë një raport të forcave shumë të ngjashëm me atë që ekziston sot. Këtu kemi një paradoks: po del se vjedhja e votave do të prodhonte stabilitet partiak, kurse votimi i rregullt rrezikon destabilizim të skenës politike. Është kjo një dilemë e madhe për të gjithë ata që e vëzhgojnë Kosovën prej së jashtmi.

Sidoqoftë, gjëja e parë të cilës nuk duhet besuar këto ditë janë – sondazhet e partive. Mendoj se ato paraqesin pasqyrë të shtrembëruar të disponimit të votuesve, jo vetëm pse ka të ngjarë të jenë të falsifikuara – por edhe për faktin se është tepër vështirë të zhvillohen sondazhe kredibile në situatë të ngatërruar me transformime ideologjike e diskursive. Sot, partitë po përpiqen ta rifitojnë elektoratin e njëjtë me fjalë të tjera. Ta shohim se sa do të jetë kjo e mundshme – dhe sa, në fakt, do t’i shkojë për shtati subjekteve të tjera dhe më të reja.

A humb PDK’ja më 8 Qershor?

Gorani: Kjo është më shumë kërkesë për bast, se sa për ndonjë përgjigje kredibile. Megjithatë, për aq sa po shoh, PDK është një parti e kritikuar si kurdoherë më herët nga po thuaj të gjitha partitë e tjera. Madje, edhe ato që janë në koalicion me të kujdesen që – së paku – mos ta lavdojnë. Duket të jetë një front i gjerë i pakënaqësisë me PDK edhe brenda shoqërisë civile, si dhe brenda një numri të konsiderueshëm të mediave lokale. Doemos, e gjithë kjo do ta ketë efektin e vet. Mirëpo, vetëm sa për punë basti, do të deklaroja se PDK ka gjasa ta humbë primatin e partisë më të madhe në vend. Mendoj se, në përqindje, dallimi mes saj dhe LDK-së do të jetë tejet, tejet i vogël – e kjo vetëm sa do ta vështirësojë tutje çështjen e legjitimitetit të fitores në periudhën pas 8 qershorit.

Çka do të ndodh nëse PDK do të fitojë edhe një mandat?

Gorani: Nëse kjo ndodh, do të mbizotërojë përshtypja se zgjedhjet nuk ndryshuan gjë në Kosovë. Madje, edhe nëse përbërja e Kuvendit do të jetë tjetër, edhe nëse koalicioni qeverisës do të jetë më cilësor – bindja që do të dominojë është se asgjë nuk ka ndryshuar nëse PDK dhe Thaçi do ta kryesojnë administratën e ardhshme. Këtë po e vërej nga shkalla e kritikës publike që i bëhet qeverisë aktuale. Kjo shkallë do të ulet vetëm nëse PDK dhe Thaçi e humbin pushtetin. Përndryshe, në rast të fitores së sërishme, kjo kritikë ka të ngjarë të eskalojë dhe kësisoj të rrezikojmë të futemi në një periudhë të jostabilitetit politik i cili mbase do t’ia shkurtojë edhe jetëgjatësinë e qeverisë së tillë të ardhshme.

Nisma për Kosovën ka arritur ditët e fundit që të përçojë mesazhe se është lojtar serioz në këtë garë, duke mbushur sallat me përkrahës dhe duke e sulmuar PDK’në në bastionet e saj, siç është Drenica bie fjala. Çfarë mund të bëjë realisht kjo parti në këto zgjedhje?

Gorani: Votat për NISMA-n do të jenë po thuaj kryekëput vota kundër PDK-së. Radhitja e saj në rezultatet zgjedhore do të dëshmojë për nivelin (dhe përqindjen) e pakënaqësisë së një elektorati i cili ishte tradicionalisht i PDK-së. NISMA është formuar si reaksion ndaj PDK-së dhe Thaçit, andaj në këto zgjedhje përjetohet vetëm si e tillë. Nga rezultati zgjedhor do të shihet nëse NISMA do të ketë karrierë politike: nëse arrin ta kalojë pragun ka gjasa të shndërrohet në parti me rëndësi. Nëse jo, atëherë ka të ngjarë të shuhet si çdo iniciativë tjetër ‘reaksionare’.

Pak më e zbehtë shfaqet AKR’ja e Behgjet Pacollit, ndërkaq. A mund të jetë sërish ky subjekt politik pjesë e Parlamentit të Kosovës?

Gorani: AKR dhe Pacolli janë angazhuar në një fushatë aktive – ndoshta më aktiven e kësaj partie deri tash. Është hera e parë që kryetari i AKR-së mban qëndrime të hapta kritike dhe akuzuese karshi skenës partiake dhe – sidomos – ndaj qeverisë së Thaçit. Ky nuk ishte stili i tij deri tash. Mendoj që kjo qasje e re flet edhe për bindjen personale të Pacollit se gjatë angazhimit të tij politik ishte keqpërdorur dhe keqinterpretuar – edhe si individ, por edhe si subjekt. Këtë herë duket të ketë vendosur të garojë i vetëm dhe me qëndrime të prera. Mbetet të shihet nëse kjo do t’i sjellë apo do t’i humbë vota të dielën. Mendoj se, sikurse edhe të tjerët, AKR dhe Pacolli e kanë transformuar shumë imazhin publik, andaj edhe pres që të ketë luhatje të elektoratit tradicional,

Ekziston një përshtypje e përgjithshme se AAK është çelësi i krijimit të qeverisë së ardhshme. Ka gjasë të ndodh kjo?

Gorani: Kjo varet nga insistimi i Ramush Haradinajt që të emërohet kryeministër. Votat e AAK do të jenë shumë të nevojshme për partinë triumfuese, mirëpo duhet ta shohim se çfarë çmimi do të jetë e gatshme ajo parti ta paguajë për t’i marrë ato. Sa për AAK-në, gjërat janë të qarta: koalicioni me ta nënkupton lëshimin e pozitës së kryeministrit. Mirëpo, më duhet ta pranoj se gjatë viteve të kaluara të gjithë e kuptuam se funksioni i kryeministrit paraqet të vetmin post me peshë reale politike: nëse e ke kryeministrin, e ke edhe qeverinë e me këtë edhe mbarë administratën publike, agjencitë qeveritare – madje, edhe Kuvendin. Nuk e di nëse sot ka parti të gatshme që t’ia plotësojnë këtë kërkesë ambicioze Haradinajt dhe AAK-së. Po ashtu, rival serioz i AAK-së në tregtimet e ardhshme rreth koalicioneve do të mund të jetë AKR dhe Pacolli. Po që se kalon pragun, AKR mund të jetë më fleksibile në pazaret rreth koalicionit qeveritar meqë duket të jetë më shumë e interesuar t’i drejtojë ministritë zhvillimore se sa ta merr timonin e mbarë qeverisë.

Më Shumë

Hoxha Ahmed Kalaja: Përgëzime për gjykatën e Prizrenit për drejtësi në rastin e mësueses së diskriminuar në Suharekë

Hoxha nga Shqipëria, Ahmed Kalaja ka përgëzuar Gjykatën e Themelore të Prizrenit, për dënimin e ish- drejtori i shkollës “Flamuri i Arbërit” në Suharekë,...

Aktorë me renome po e përcjellin Festivalin ‘PrizrenFest’

Me yjet ndërkombëtare si Marie Christine Barrault nga Franca, Pippo Delbono nga Italia, Fatemeh Motamed-Arya nga Irani, fituese e shumë çmimeve e shumë artistë...

Lajmet e Fundit