8.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Ishte një farsë

Imer MushkolajShkruan: Imer MUSHKOLAJ

Të thuash se nëse Flora Brovina nuk e thërret seancën, kryetarin e Kuvendit do ta zgjedhin vetë, ndërkohë që në seancën e së enjtes as nuk u provua të bëhet një gjë të tillë, është veç një farsë demagogjike. Është çështje guximi, e jo dëshire kjo punë. Është përgjegjësi për të dalë nga kriza, karshi Hashim Thaçit të papërgjegjshëm. Nuk na duhet një farsë, përballë një farse tjetër
U mblodhën për të thënë diçka, por nuk dëgjuam gjë të re. Asgjë më shumë se një farsë nuk ishte seanca e së enjtes në Kuvendin e Kosovës. Një seancë, fundin e së cilës e dinin të gjithë paraprakisht. Një seancë, në të cilën deputetët edhe mund ta thonë ndonjë fjalë, sa për të shprehur frustrimet e tyre, por që nuk dinë si të veprojnë për të dalë nga kriza. Ose, më saktë, kanë drojë të veprojnë. Një seancë e mbushur me fjalime demagogjike e plot klishe, të cilët qytetarët i dëgjojnë tash sa muaj..

Me muaj të tërë liderët e Bllokut nuk kanë bërë gjë tjetër, përveç se kanë folur. Çdo ditë të lume. Kanë përsëritur e stërpërsëritur se i kanë numrat, se e kanë të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Por, as në seancën e së enjtes e as në tjetrën para saj nuk ia kanë dalë t’i kapitalizojnë ata numra. Madje, as që kanë provuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Të gjendur mes konfuzionit dhe dëshirës së flaktë për të zbatuar marrëveshjen e arritur për ndarjen e posteve, liderët e Bllokut kanë ngelur në vend, pa e çuar tutje synimin e tyre për të marrë pushtetin. Për muaj me radhë ata janë fokusuar ekskluzivisht në fjalë të thata, pa e çarë kokën për të propozuar ndonjë zgjidhje kreative në një situatë bllokimi. Të mos flasim për mungesën totale të programit të alternativës qeverisëse, që Blloku do të duhej ta kishte bërë të ditur kaherë.

Deputetët që u mblodhën të enjten e dinë se nuk guxojnë të provojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ata vetëm na treguan edhe njëherë se i kanë numrat. Dhe kaq. Tingëllojnë farsë, andaj, deklaratat se nëse Flora Brovina nuk e thërret seancën për të zgjedhur të parin e legjislativit, këtë do ta bëjë shumica parlamentare. Se deputetët nuk do të rrinë duarkryq.

Brovina nuk e thirri as seancën e së enjtes, shumica parlamentare ishte aty, por kryeparlamentarin nuk e zgjodhi. Nuk pati guxim as të provojë. Sepse, për ta bërë një gjë të tillë, deputetët e VLANI’it duket se e kanë kuptuar se po u dashka që Brovina ta thërrasë seancën, po u dashka që deputetët e PDK’së të jenë të pranishëm në seancë. Përndryshe, çfarë i pengoi ata që ta bëjnë vendin të enjten me kryeparlamentar?

* * *

Përderisa deputetët ishin në seancë, në vend se në sallën e Kuvendit Hashim Thaçi po shkonte në takim te presidentja. Thua se nuk po ndodhte asgjë andejpari, ai po bisedonte me të për çështje të sigurisë në vend.

I papërgjegjshëm për gjendjen e rëndë politike, sociale e ekonomike në të cilën e ka sjellë vendin, ai dhe kolegët e tij deputetë do të duhej të ishin në seancë, për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së krizës. Ata do të duhej të ishin aty, të paktën për të debatuar dhe propozuar zgjidhje. Fundja, PDK’së edhe i takon që, si partia me më së shumti vota të fituara në zgjedhje, të tregohet e përgjegjshme për gjendjen e krijuar. Të mos shtiret kinse nuk po e sheh elefantin në dhomë.

Por, jo. Hashim Thaçi dhe PDK’ja kanë zgjedhur, po ashtu, që nëpërmjet veprimeve farsë të mbajnë vendin peng.

Sepse, ata edhe pse nuk i kanë votat e nevojshme, duan ta kenë të parin e Kuvendit dhe pastaj të provojnë të ndërtojnë edhe qeverinë.

Sepse, ata edhe pse kanë dështuar dy herë, presin që mrekullia të ndodh dhe që në krye të Kuvendit ta vënë njeriun e tyre.

Sepse, ata nuk e kanë dert pse gjithçka është bllokuar në këtë vend – vetëm për shkak se dëshirojnë me çdo kusht të vazhdojnë kapjen e shtetit.

* * *

Deputetët e VLAN’it mund të mblidhen sërish në Kuvend. Mund të flasin e të bërtasin. Por, ata kanë nevojë për praninë e deputetëve të PDK’së, në mënyrë që të munden ta dëshmojnë se kanë të drejtë në pretendimet e tyre.

Edhe deputetët e PDK’së mund të mblidhen kur t’ua dojë qejfi. Mund të flasin e të bërtasin. Por nuk mund të bëjnë asgjë vetëm.

Për këtë shkak dhe me qëllim që t’iu jepet fund farsave demagogjike, është koha e fundit që palët të tregohen të përgjegjshme duke arritur një kompromis. Ose, le të shkojnë edhe në zgjedhje. Veç të mos na fyejnë inteligjencën. Veç të mos na mbajnë peng. Veç të kryhet kjo punë./Express/

Më Shumë

“Pa u vra unë, juve asgjë s’do t’ju ndodhë”, bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, kujton fjalët e tij të fundit

Bashkëluftëtari i Luan Haradinajt, Selim Krasniqi, ka kujtuar disa fjalë që thotë se ua kishte thënë Luani. “Pa u vra unë, asnjërit nga ju nuk...

AstraZeneca tërheq në mbarë botën vaksinën kundër COVID-19

AstraZeneca ka njoftuar se ka iniciuar tërheqjen në mbarë botën të vaksinës së saj COVID-19. Sipas njoftimit që ka lëshuar kjo kompani, ky veprim është...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit