11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

“Kapuçat…” që paralajmërojnë rrezikun marrin çmimin “Muslim Mulliqi”

20140710084205884646Me t’u ngjitur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës, në anën e majtë, qëndrojnë të varura pesë punime.

Forma dhe ngjyrat e paraqitura fare pak dallojnë nga njëra-tjetra. Ato paraqesin vazhdimësinë e një ideje që vitin e kaluar do t’i linde artistes Flaka Haliti. E mesazhi është i qartë: po të hysh në një zonë të caktuar pa mbrojtje të nevojshme mund edhe të lëndohesh. Vepra paralajmëron rrezikun dhe titulli i saj është “Kapuçat nevojiten pas kësaj pike”. Eksplorimit të kuptimeve të ndryshme të narracionit dhe alegorisë, reflektimit mbi historiografinë dhe narracionin politik, të kërkuar nga Corinne Diserens kuratorja u përgjigjet goxha vepra fituese. Nëse për asgjë tjetër, alegoria është goxha e fortë. Bash sikurse edhe titulli i ekspozitës, “Si e rënë nga qielli – një sens i mendësisë publike”

Juria e edicionit jubilar të ekspozitës – çmimi “Muslim Mulliqi”, ka përzgjedhur punimin e Halitit si më të mirin në mesin e 32 artistëve të tjerë. E muri që zë “Kapuçat… zë vetëm një pjesë të vogël. Të dy katet e galerisë u mbushën me punime të mërkurën mbrëma, në mesin e të cilave prezantime të ndryshme që nga instilacionet e deri tek video projeksionet. Mungonin vetëm tri tapiceritë e artistes së njohur Hannah Ryggen. Tri tapiceritë e artistes norvegjeze ishin edhe pikënisja e krijimit të konceptit për kuratoren e ekspozitës, Corinne Diserens.

Kjo vonesë, sipas organizatorëve, u bë për shkak të disa probleme teknike me transportin. Si thelbi i ekspozitës, do të zënë vend prej së enjtes. Nëse vonesa kthehej në një akt artistik, edhe ajo do të merrte kuptim një pjesë e shpjegimit të konceptit, veçmas te “narracioni politik”, ndonëse arsyet e mosardhjes në kohë të këtyre punime, nuk janë bëtë të ditura.
Vendimi që ky çmim t’i ndahet Halitit u mor nga juria në përbërje të Laurence Rasselit, Visar Mulliqit dhe Friderich Machedes. Ky i fundit njëherësh kryetar i jurisë i dorëzoi çmimin Halitit me vlerë prej 3 mijë eurove, para se ekspozita të hapej zyrtarisht.

“Për shumë arsye jam goxha e emocionuar, do të thosha dhe e nderuar në të njëjtën kohë që e mora këtë çmim. Një prej tyre ka të bëjë me bashkëpunimin profesional që e kam pasur me Galerinë Kombëtare dhe kuratoren, e arsyeja tjetër për shkak se ky çmim mban emrin e një piktori shumë të madh kosovar, Muslim Mulliqi”, ka thënë Haliti, tek tregoi për konceptin e punimit të saj. “Kapuçat…”, sipas saj, u referohen shenjave paralajmëruese ku thuhet se përtej asaj pike nuk mund të kalohet pa u mobilizuar.

“Në këtë punim janë të paraqitura pesë vizatime të cilat mundohen të tregojnë një narracion por në të njëjtën kohë përmes xhamit krijojnë një ndjenjë tredimensionale me atë që e shikon, sepse mundohet që të krijojë një kufi me atë natyrë që e prezanton punimin. Në të njëjtën kohë ai që e shikon nuk mundet me të hyjë aty pa pasur një kapuç”, ka thënë Haliti. Cilësia, misteri dhe dyshimet që ky punim bart më vete janë bërë sebep që juria të vendosë që çmimin t’ia ndajë asaj.

Machede e ka pranuar se shpallja e fituesit nuk ka qenë punë e lehtë.
“Çmimi vlerëson edhe punën praktike dhe artistike të Flaka Halitit në përgjithësi, në nivelin ndërkombëtar dhe në nivelin profesional në këto vitet e fundit. Punimet e saj na kanë shtyrë si juri në diskutime të gjata të cilat kanë pasur të bënin me artin dhe domethënien e prezencës vizuale të kontekstit bashkëkohor në Prishtinë”, ka thënë Machede, tek ka uruar Halitin për çmimin.

Kjo ekspozitë është një mejdan gërshetimesh të formave artistike. Prezantimi i ideve përmes video projeksioneve, gjashtë sa ishin gjithsej, plotësohet me vizatime e fotografi që kuratorja i ka bërë tok. Ndërsa në dhomën e ndarë me perde të zeza gjen një ekran të madh ku shfaqeshin filma. Filmi i artistit kosovar Alban Muja “The Legendary Dog”, dy filma të tjerë të Bahman Kiarostamit, “Re-enactment” dhe “Statues of Teheran” si dhe filmit “The Anabasis of May and Fusako Shigenobu” të Eric Baudelaire.
Ky lloj i prezantimit të artit bashkëkohor në Kosovë, sipas artistit Afrim Spahiu, është një fushë e re.

“Në këtë kontekst ku janë të gërshetuara teknologjia dhe mënyra e asaj madhores, shpirtërores të realizimit që e shohim në formën grafike, këtë ekspozitë e ngrenë në një nivel ndoshta jo edhe aq të kapshëm dhe të kuptueshëm për këtë opinion kosovar”, ka thënë Spahiu.
E një e kaluar historike ka qenë edhe pikënisja e tërë kësaj ekspozite e cila do të përmbyllet në muajin shtator dhe dallon në strukturë me edicionet e kaluara. Dallimin e bëjnë filmat e “DokuFestit” që do të shfaqen në shtator. Përderisa veprat e artistes së ndjerë Hannah Ryggen, të cilat në kohën kur ajo i punoi nuk u pritën mirë, krijojnë një zhvendosje në perceptimin e artit: dikur refuzoheshin sot kërkohen që të ekspozohen në mbarë botën. Ajo ishte aktive para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe e gjithë veprimtaria e saj artistike ka qenë një reflektim i ndodhive dhe i situatave të asaj kohe.

Në këtë ekspozitë tashmë janë të vendosura edhe punimet e Zgjim Elshanit, Jakup Ferrit, Uran Hajdarit, Astrit Ismailit, Faik Krasniqit. Ndërsa në radhët e ndërkombëtareve janë punimet e Masao Adachit, Sven Augustijnen, Rossella Biscottit, Thea Djordjadzes, Willie Dohertyt, Peter Friedlit, Yervant Gianikianit dhe Angela Ricci Lucchit, Ibro Hasanoviqit, Pierre Huyghes, Adela Jusiqit, Genc Kadriut, Bahman Kiarostamit, Sharon Lockartit, Gordon Matta-Clarkut, Santu Mofokengut, Anri Salës, Kimiavi Parvizit, Melanie Smithfit, Nasrin Tabatabait dhe Babak Afrassiabit, Rosemarie Trockelit dhe Paola Yacoubit./Koha Ditore/

Më Shumë

Arratisen me pushime Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez!

Si një nga yjet më të mëdhenj të sportit në botë, Cristiano Ronaldo ka fuqinë të kthejë kokën kudo që shkon (përveç Shteteve të...

Kuvendi i Prizrenit bart mbi 2 milionë euro në projekte për vitin 2024

Kuvendi i Prizrenit ka miratuar sot bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake të rritura nga ato të planifikuara për vitin e kaluar. Shuma e...

Lajmet e Fundit