11.8 C
Prizren
E enjte, 16 Maj, 2024

Katedralja gotike e Martin Camajt

Martin-Camaj-252x320Botohet në Itali studimi mbi romanin “Karpa” të Camajt. Ky botim u mundësua nga bashkëpunimi për herë të parë midis Fondacionit “Francesco Solano” dhe Shoqatës “Martin Camaj”

Këto ditë në Cosenza të Italisë u botua studimi nga Albana Alia “Katedralja gotike. Interpretim i romanit Karpa të Martin Camajt”. Ky botim u mundësua nga bashkëpunimi për herë të parë midis Fondacionit “Francesco Solano” pranë Universitetit të Kalabrisë, kryesuar nga Prof. Francesco Altimari dhe Shoqatës “Martin Camaj” në Gjermani, e themeluar nga Erika Camaj, Hans Joachim Lanksch dhe anëtarë të tjerë, transmeton Mapo.

Në parathënien e librit të titulluar “Lexim dhe interpretim i rëndësishëm i romanit Karpa”, prof. Anton Nikë Berisha, mes të tjerash shkruan: “Studimi i romanit ‘Karpa’ të Martin Camajt nga Albana Alia përligj dy gjëra të rëndësishme: leximin e thellë dhe interpretimin e ngritur të një teksti letrar poetik për shumëçka të veçantë dhe kompleks. Në të vërtetë, në këtë studim të saj qartësohet ajo që kisha shkruar qysh më 1991: Vepra letrare e Martin Camajt hyn në rrethin më të ngushtë të vlerave tona kulmore artistike; ajo cilësohet me një botë burimore e të pasur tematike dhe poetike, ka një strukturë të veçantë dhe të mëvetësishme gjuhësore shprehëse dhe një sistem origjinal dhe të ndërliqshëm kuptimor. Në letërsinë tonë moderne janë të paktë shembujt që një vepër letrare e një shkrimtari, përkatësisht qasja dhe interpretimi i saj, të të vë para sprovave të rënda si ajo e Martin Camajt. Për këtë arsye, leximi dhe receptimi i saj kërkon shumë më tepër përkushtim e dije nga fusha e artit të fjalës, letërsisë, sesa një vepër e zakonshme letrare.

E vetëdijshme për këto tipare e veçanti të veprës letrare të Camajt, Albana zgjodhi si objekt studimi jo vetëm njërin ndër romanet më të rëndësishëm të shkruar në gjuhën tonë, po dhe njërin nga më të vështirët për analizim dhe interpretim. Studimi dëshmon se autorja e njeh letërsinë dhe se pikërisht kjo njohje i bëri të mundshme qasjen, kërkimin dhe analizimin e formave të mëvetësishme shtjelluese të romanit ‘Karpa’ si strukturë tekstore dhe të shtresave të shumta kuptimore, sidomos të veçantive të sistemit shprehës dhe të gjuhës poetike. Studimi, po ashtu, dëshmon për një tipar të rëndësishëm: autorja nuk gjurmon saktësimin e kuptimit që del nga struktura e tekstit, po variantet e shumta e të mundshme, duke lënë gjithnjë hapësirën për kërkimin dhe zbulimin e vlerave dhe të përbërësve të tjerë që ndërlidhen me dukuritë e ndryshme të veprimit konkret të njeriut dhe të botës së tij mendore dhe shpirtërore. Nëpërmjet interpretimit të vëmendshëm të romanit ‘Karpa’ si vepër arti, Albana ka përligjur atë që ka theksuar Northrop Frye: ‘Vepra e imagjinatës na paraqet një vizion, jo të madhështisë personale të poetit, por të një gjëje jo personale dhe shumë më madhështore: vizionin e një akti të vendosur të lirisë shpirtërore, vizionin e rikrijimit të njeriut’, apo siç shprehej Lasgush Poradeci ynë: ‘…poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve’.

Studimi nga Albana Alia i romanit ‘Karpa’ të Martin Camajt mund të shërbejë si shembull për t’iu qasur veprave të letërsisë sonë, që cilësohen me struktura të tilla të ndërliqshme tekstore poetike, si janë, fjala vjen, veprat e Anton Pashkut e të Azem Shkrelit”, shkruan Berisha.

Më Shumë

Fitojnë Ballkani e Llapi po jo edhe Drita

Ballkani dhe Llapi kanë arritur të fitojnë në Javën e tridhjetë e katërt të Superligës, por jo edhe Drita. Ballkani ka mposhtur bindshëm Fushë Kosovën,...

Forenzika konfiskon mbi 700 euro në Prizren, dyshohet se janë të falsifikuara

705 euro ka konfiskuar Forenzika e Kosovës, mbi dyshimin se janë të falsifikuara. Sipas raportit të policisë, të njëjtat, ishin deponuar në një bankë në...

Lajmet e Fundit