13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

KDI: Ping-pongu me tenderin 5 milionësh me Spitalin e Prizrenit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konference për media sot, ka paraqitur gjetjet nga analizimi i procesit të tenderimit për ndërtimin e Spitalit “Nëna dhe Fëmiu” në komunën e Prizrenit, të realizuar nga ana e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Në njoftim thuhet se si rrjedhojë e ankesave të shumta lidhur me procesin e vlerësimit të këtij tenderi, KDI ka analizuar në mënyrë të hollësishme veprimet e institucioneve të përfshira në këtë proces (SHSKUK, OSHP, KRPP, AKK) për të parë nëse ato ishin në përputhje me përgjegjësitë ligjore e profesionale.

Në këtë proces, KDI ishte ballafaquar me mungesë të transparencës nga ana e SHSKUK, ku dokumentet e kërkuara më 18 shtator 2020 për te analizuar këtë tender ishin siguruar më 7 dhjetor 2020, dhe atë vetëm pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit

“KDI vlerëson se në këtë procedurë është shkelur neni 59.4 i Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) dhe nenet 41.1 , 41.3.5 dhe 41.5 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik, pasi që Operatori Ekonomik fitues ‘Hidroterm’ nuk i kishte përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit mbi gjendjen ekonomike dhe financiare.

Në Dosje ët Tenderit janë kërkuar Deklaratat Tatimore Vjetore të dorëzuara në Administratën Tatimore të Kosovës për tri vitet e fundit të përfunduara fiskale nga data e njoftimit për kontratë, në vlerë jo më pak se 8,000,000.00 €”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se në Dosjen e Tenderit ishte kërkuar taksativisht që të deklarohet qarkullimi financiar në Kosovë dhe nuk ishin definuar opsione të tjera të pranueshme si dëshmi të qarkullimit financiar të operatorëve ekonomik.

“Analiza shpërfaqë që përkundër që paneli shqyrtues i OSHP-së ishte pajtuar me mendimin e ekspertit shqyrtues të angazhuar ku thuhej që “oferta nuk i plotësonte kriteret e përshtatshmërisë”, OSHP, përfundimisht kishte marrë vendim të mbështeste vendimin e SHSKUK-së për vazhduar me dhënie të kontratës.

KDI ka gjetur se SHSKUK kishte bërë shkelje të LPP-së, pasi që kontrata ishte nënshkruar 6 ditë pas njoftimit për dhënie të kontratës, ndërsa sipas LPP, neni 26 pika 4.1 nënshkrimi i kontratave publike bëhet ‘së paku dhjetë (10) ditë pas publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës’”.

Edhe KRPP, të cilës operatori tenderues i ishte drejtuar me kërkese për interpretim ligjor, nuk kishte vepruar me transparencë, duke mos publikuar në ueb-faqen e saj këtë interpretimin ligjor, gjë që është e përcaktuar me ligj.

KDI kishte gjetur se kompania e shpërblyer me kontratë në ofertën e saj kishte dorëzuar vetëm vërtetimin nga Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë se kompania nuk ishte e falimentuar apo në proces të falimentimit por nuk kishte dorëzuar edhe Certifikatën nga Gjykata Themelore Departamenti për krime të Rënda se kompania në fjalë nuk ishte dënuar për kryerjen e një vepre penale ose civile gjatë dhjetë viteve të fundit. Këto dy certifikata, sipas ligjit për prokurim publik dhe Dosjes së Tenderit janë dokumente të obligueshme që duhet dorëzuar me ofertë.

“Në tërë periudhën sa ka zgjatur ky proces i prokurimit, pronar i vetëm i kompanisë së shpërblyer me kontratë ‘Hidroterm’, me 100% aksione, ishte z. Blerim Kuçi. Ky i fundit, më 05 qershor 2020 kishte pranuar detyrën si Ministër i Ekonomisë dhe Mjedisit në Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Bazuar në këtë fakt, KDI kishte ngritur dyshimet nëse dhënia e kontratës për Hidroterm, pronari i së cilës ishte tanimë një zyrtar i lartë publik, përbënte konflikt interesi dhe për këtë më 28 gusht 2020 i ishte drejtuar Agjencionit Kundër Korrupsion (AKK).

Më Shumë

Ekrem Kastrati vendos buqetë lulesh pranë lapidarit të dëshmorit të kombit Indrit Cara

Një delegacion i kryetarëve të komunave të Kosovës, me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, po qëndrojnë për vizitë punë në...

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Lajmet e Fundit