17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Kërkohet dorëheqja e Haxhi Avdylit

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, po kërkon me ngulm dorëheqjen e kryetarit të tyre, Haxhi Avdyli, me arsyetimin se ai kundër vullnetit të kësaj Dege dhe anëtarësisë së saj, ka propozuar zonjën Vjosa Osmani për kryetare të LDK-së, në Kuvendin e Tetë të LDK-së. Megjithatë, në këtë Kuvend zonja Osmani, nuk mundi t’i mbledh votat për të garuar për të parën e LDK-së.

“Kryetari ynë përkundër vullnetit të kryesisë dhe anëtarësisë së degës, krye më vete ka propozuar zonjën Vjosa Osmani, për kryetare të LDK-së. Dhe ai nuk po ndalet me kaq. Po del ne mediat e shkruara dhe elektronike, ku po mburret me propozimin e tij, dhe aq më tepër po thirret në emër të degës”, ka thënë në kushte anonimiteti, një anëtar i kryesisë së degës në fjalë.

Ai ka thënë për Kosova Info se janë dy mundësi, ose ai të jap dorëheqje të parevokueshme, ose do ta thërrasim kuvendin e jashtëzakonshëm ku do ta rrëzojmë.

“Ka kohë që ai s’guxon të thërras mbledhje të kryesisë. Së shpejti edhe nëndegët zyrtarisht do të kërkojnë dorëheqjen e tij, meqë ai po del edhe kundër vullnetit të qendrës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Haxhi Avdyli, tha se, anëtarët e kryesisë janë të lajmëruar me kohë për mbledhjen e radhës të kryesisë për këtë vikend e cila do mbahet të dielën.

“Ndërsa burimi i pakonfirmuar i cili flet në kushte anonimiteti nuk ia vlen t’i kthejmë përgjigje, sepse askush nuk ka dëgjuar për një kërkese të tillë. Kurse për përgjigje zyrtare në formë kumtese do merrni nesër pasdite”, tha Avdyli.

Përndryshe, Isa Mustafa, i cili mori votat edhe për një mandat për të udhëhequr LDK-në, ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt politik kanë qenë shumë transparente./kosova.info/

Më Shumë

Lajmet e Fundit