9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Kinemaja ime është Rruga

Një rrëfim i jashtëzakonshëm, në vetën e parë, nga regjisori i famshëm Martin Scorsese.

Kam lindur në vitin 1942 në lagjen Corona në Queens. Prindërit e mi ishin transferuar aty nga Lower East Side. Ideja e tyre ishte të 1inim lagjen e vjetër për “më mirë”, siç thoshin. Corona më pëlqente. Ndanim një shtëpi me një tjetër familje. Në pjesën e pasme ishte një oborr me një pemë. Mund të shkohej në park: kishte gjëra për të parë. Por, më pas hyri në telashe serioze me pronarin e shtëpisë dhe na u desh të kthehemi në Elizabeth Street, në Manhattan. Në njëfarë kuptimi ishte një poshtërim: rikthimi në dy dhomat e gjysmë ku babai im kishte lindur, për të qëndruar me gjyshërit e mi, deri kur gjetëm një tjetër apartament të izoluar në fund, në 253.

Ne Queens ishte e mrekullueshme. Nick Pileggi dhe unë kemi shkruar një skenar që do të doja ta bëja film. Por, nuk di në do të jem ndonjëherë në gjendje ta sjell në ekran. Sa i përket historisë me pronarin e shtëpisë, ajo është disi e ndërlikuar. Ne ato kohë, kur dikush nuk kishte arsim dhe punonte në një zonë të caktuar, duhej të forconte lidhjet e vasalitetit me grupin e caktuar. Kishte disa familje mafioze, dhe im atë mbështeste njërën prej tyre. Bosi ishte një mik i tij. Ishte ai që i gjeti shtëpi në Queens. Im atë kishte shumë probleme edhe me vëllanë e tij, Joe. Me aq sa di unë, shpesh merrte pjesë në mbledhje, ku përpiqej të shmangte që mafiozë të tjerë ta vrisnin. Pronari i shtëpisë ishte njëri që kishte një kamion për transport pemësh në një garazh pranë tonit. Një ditë kaloi aty im vëlla. Mori një pulë që kishte aty dhe i këputi kokën para tij. Pas kësaj, e kapi direkt me tim atë. Ndoshta pronari i shtëpisë duhet të ketë menduar që im atë ishte një lloj gangsteri. Nuk ishte e vërtetë, megjithatë i pëlqente të vishej në një fare mënyre…

Pastaj, mendonte që im atë i pëlqente bashkëshortes së tij. Kështu pakënaqësia rritej. Në një pikë erdhi përplasja. Ne oborr, nga fjalët u kalua tek grushtet deri kur pronari mori në dorë një sëpatë. Atëherë motra e vogël e nënës sime doli dhe e hoqi mënjanë duke i thënë: “Mjaft më dhe hidhe atë sëpatë. Lëre të qetë kunatin tim”. Dhe ai u ndal. Pikërisht si tek Njeriu i Qetë i John Fordit: ishin gratë që ndalën gjithçka. Vetëm se atë natë pati një tjetër përplasje. I pashë që po ziheshin në lokal. U ktheva në shtëpi dhe i thashë nënës sime: “Po zihen”. Ajo po hekuroste dhe m’u përgjigj: “E di”. Pas kësaj, na u desh të largohemi.

Lower East Side ishte vend i vështirë. Ajo që shihet në filmat e viteve tridhjetë, dyzetë dhe pesëdhjetë, me Dead End Kids, nuk është shumë larg nga e vërteta. Të rinjtë ishin në rrugë, luanin me çfarë të gjenin. Kapaku i një koshi mbeturinash mund të bëhej mburojë, dhe për shpatë përdorej një bosht nga një arkë portokallinjsh. Kishte shumë trafik, shumë njerëz që jetonin të ngjeshur. Dhe shumë tension. Praktikisht jetoja në Bowery, dhe kjo ka lënë shumë shenja tek unë. “Gangs of New York”, as nuk i afrohet asaj që shihja në Bowery.

Ne Queens, shtëpia kishte dhoma më të mëdha, ku thjesht mund të zhdukeshe të paktën për pak. Këtu ishte e pamundur. Kisha mbi mua sytë e të gjithëve dhe nuk mund të thosha asgjë, sepse isha më i vogli. Kështu nisa të shkoja në kishë, dhe mbeta i mahnitur prej ritualëve të meshës. Një tjetër gjë ishte se im atë nuk dinte çka dreqin të bënte me mua. Pasi punonte gjithë ditën në Garment District, shkonte tek gjyshërit e mi, gjë që nënës sime nuk i pëlqente. Ne 11 të natës kthehej në shtëpi me gazetat me popullore, Daily News dhe Daily Mirror. Kishte ende kohë për një zënkë, e më pas të gjithë në shtrat. Dhe mëngjesin tjetër dilte për të shkuar në punë. Kështu që, nuk e shihja shumë. Por, ishte i detyruar të më shpinte në kinema; me shpinte në kinema vazhdimisht. Astma ime me izolonte praktikisht nga të gjithë. Dhe në vetminë time, me fusnin në kokë idenë që nuk mund të bëja asgjë fizike. Duhet të bëja shumë kujdes, dhe në njëfarë mënyre, të isha gjithmonë i mbrojtur. Për këtë arsye, riti i shkuarjes në kinema me tim atë u bë i rëndësishëm për mua, pavarësisht filmit.

Frekuentonim Loew’s Commodore, në qoshen mes Rrugës së Gjashtë dhe Bulevardit të Dytë. Hynim gjithmonë në gjysmën e filmit. Edhe aty, si në kishë, kishte një ndjesi paqeje. Ishte si të niseshe në një udhëtim. Jashtë sallës, manifestet shesin ëndrra, kjo dihet. Dhe kur hyhet në kinema, ëndrra është reale, ose pothuajse. Dhe pastaj, ndarja e këtyre emocioneve me një baba me të cilin nuk flisja shumë, u bë terreni parësor i komunikimit mes nesh. Me çoi të shihja “E bukura dhe bisha”, i pari rast ku pashë se si realizohet një film. Babit tim i pëlqenin filmat Western. “Ultimatumi i Tokës” ishte një eksperiencë fantastike: pasdite, në Akademinë e Muzikës me 2 mijë spektatorë. Ose “Gjëra nga një tjetër botë” i Nyby dhe Hawks, ku hapet një tjetër derë dhe prapa saj është James Arness në rolin e monstrës: keni pare ndonjëherë dy mijë vetë të kërcejnë njëkohësisht nga karrigia? E jashtëzakonshme.

Kishte një kontrast të madh mes filmave që shihja dhe ambientit ku jetoja. Prindërit e mi vinin nga një fshat sicilian. Dhe në Sicili nuk i besohet askujt, rritesh plot mosbesim. Dhe me vjen keq ta them, por kjo sjellje me është ngulitur me forcë. Prindërit e mi ishin njerëz të mirë, punëtorë; nuk ishin as mafiozë dhe as kriminelë. Por, kishin një lloj qasjeje ndaj botës… Nëse shihni “Botën e re” të Criasele, gjyshërit e mi ishin pikërisht ashtu. Ne vitet ‘50 ishte e çuditshme të përpiqeshe të ishe amerikan, të përftoje disa vlera amerikane. E kisha të pamundur të bëja të pajtoheshin autoritetin e Eisenhowerit, që luante golf gjithë ditën, me eksperiencën time. Vija nga një botë ku gjithçka përmblidhej në një këshillë të vetme: “Bëj ç’të duash, por hap sytë”.

Kur po xhiroja “The Departed”, zbulova që në fund historia fliste për po këto gjëra, për etër dhe bij. Po xhiroja skenën me Jack Nicholson në tryezë dhe Leonardo Di Caprion në lokal. Ishin shtatë faqe skenar, i kishim xhiruar një mbrëmje më herët dhe gjithçka kishte shkuar mirë. Por, në një moment i thashë Leos: “Ka diçka këtu, nuk e di me saktësi çfarë, që ende nuk ka dale shumë mirë”. Ndieja që duhej të ishte pika e kthesës e filmit. E dija që duhej t’i rrija aty, e ta ndihmoja të shkonte në një drejtim të caktuar. Kështu i thashë Jackut: “Jack, nesër do të bëjmë të njëjtën skenë. Nëse të vjen në mendje diçka për ta bërë nervoz Leonardon…”

Ditën tjetër Jack vjen, pret të ulet Leo, dhe gjëja e parë që bën, shkakton zhurmë tek kthen gotën dhe të thotë: “Erë molë”. Dhe pastaj nxjerr një pistoletë. Ishte fantastik. Reagimi i Leonardos është në kohë reale. I thashë: “Duhet ta bindësh që ti nuk je fëmija, edhe pse je”. Isha i lumtur si po vinte skena, dhe në një moment mendova: por unë këtë skenë e kam xhiruar tashmë. Aty e tutje kuptova që kjo është tema e shumë filmave të mi, nga “Mean Streets” e këtej. Ka pasur gjithnjë etër dhe bij dhe secili i detyrohet tjetrit diçka. Është besimi dhe tradhtia.

Ne botën ku jam rritur unë, tradhtia ishte gjëja më e rëndë që mund të të ndodhte. Rënia e një gangsteri, për mua është me interesante sesa ajo e një presidenti, ose një këngëtari të famshëm. Për shembull, tek “Casino”, në fillim është tradhtia e pastaj rënia. Flasim për persona që kane një natyrë të ndryshme nga e jona. Por, për mua bëhet fjalë vetëm për qenie njerëzore. Tradhtia ka të bëjë me dashurinë. Duhet të ketë një lidhje mes personave që na tradhtojnë, përndryshe nuk mund të na dhembë kaq shumë. Ja përse “Lugina e Edenit” ka qenë një film kaq i rëndësishëm për mua. Për luftën mes babait dhe të birit. Është vëllai i mirë dhe ai i keq. Ne shtëpinë tonë, konflikti qe mbi të gjitha mes babit tim dhe vëllait tim të madh. Unë në teori isha ai i miri. Por, kur pashë Edenin kuptova që ndihesha si personazhi i James Dean. Ndieja të njëjtat gjëra si i keqi. Ndieja gjithçka që ndienin adoleshentët kur shihnin James Dean në atë film. Rrënjët e mia janë ende aty.

Nuk i përkas një bote shkrimtarësh a artistësh. Me kalimin e kohës jam vetëdijesuar që nuk dua të konsiderohem i ndryshëm nga ai që jam. Por, që i vogël, kur rritesha në atë lagje, ndihesha që i përkisja. Dhe e vetmja mënyrë shfryrjeje ishte të imagjinoja histori, gjëra të tilla. Që i vogël. Punoja shumë me fantazinë. Dhe projektoja filmat e mi. Të parët i projektoja në bardhë e zi, ose në formatin 1.33, që ishte ai standard i kinemave të kohës. Një ditë, im atë me pa që luaja dhe me duhej t’i fshihja. Nuk e kuptonte çfarë po bëja. Nuk i përfundova me kurrë historitë. Po bëhesha adoleshent dhe gjërat po fillonin të ndryshonin.

Më Shumë

Ylli e barazon serinë finale ndaj Trepçës

Golden Eagle Ylli e ka barazuar serinë ndaj Trepçës, duke fituar me rezultat shumë të ngushtë në Suharekë. Ylli triumfoi me një pikë diferencë 80:79...

Totaj viziton disa biznese të Prizrenit

Kryetari i komunës ë Prizrenit, Shaqir Totaj ditën e premte ka vizituar dhe ka parë nga afër të arriturat e disa prej bizneseve të...

Lajmet e Fundit