15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Klinaku: Bashkëpunimi me serbët nuk ka vlerë pa u bërë kërkimfalja

Hysni KlinakuHysni Klinakun e ka irrituar pjesëmarrja e këngëtarit Zdravko Colic në Festivalin “Kënga ime”, që është duke u mbajtur në Shqipëri, gjë që e ka shtyrë edhe të tërhiqet nga kjo garë, ku do të duhej të ishte prezent në muajin maj. Ai, në një intervistë për KultPlus ka treguar më rrënjësisht për arsyet e vendimit. Sipas Klinakut është e padrejtë që në një festival të muzikës shqipe, aty ku i këndohet atdheut dhe vlerave të ftohet një këngëtar serb.
KultPlus: Ju u tërhoqët nga gara e festivalit “Kënga ime”, në Shqipëri, për faktin se në të performoi, këngëtari , Zdravko Colic, gjë për të cilën keni deklaruar se keni 1000 arsye pse jeni tërheqë, çfarë mund të thoni më shumë për këtë tërheqje?

Hysni Klinaku: Javën e fundit e pash pjesëmarrësin serb, këngëtarin Zdravko Colic, dhe atë natë vërtetë u irritova shumë, por atë natë thashë mos të marr ndonjë vendim të pamatur. Fillova interesimin tim për këtë këngëtar që fshihet pas nacionaliteti boshnjak dhe unë e vërtetova se nuk është i tillë, është këngëtar serb. Dhe kjo më bëri të tërhiqem. Festivali “Kënga ime”, është festival i traditës , festival i këngës shqiptare dhe mu në një festival të kulturës shqiptare është ftuar një këngëtar serb. E në anën tjetër është ftuar edhe përkundër faktit se plagët e kosovarëve janë të rënda nga lufta e fundit në Kosovë, serbet na kanë larguar nga shkollat, na kanë helmuar nxënësit, akoma kemi persona të zhdukur. Tërheqja ime nga festivali nuk ka të bëj me bojkotin e festivalit e as me bojkotin e këngëtareve të tjerë, është një ndjenjë e imja që nuk mund të jem në një skenë të tillë.

KultPlus: E keni ofruar tërheqjen tuaj edhe tek organizatori apo vetëm nëpërmjet rrjetit social facebook?

Hysni Klinaku: Rrjedha e festivalit si shkon i bie që të jem pas katër javëve në atë skenë, dhe nuk ka qenë e ngutshme të ja bëj me dije edhe organizatorit. Në maj do të duhej që të performoja përsëri. Por këto ditë do të kontaktoj edhe me ta, edhe pse e vërteta është se nuk kemi asnjë kontratë. Unë jam nisur me idenë se do të prezantojmë këngën e vlerave të mirëfillta shqiptare, por doli e kundërta.

KultPlus: Ka pas tentativë që të ju bindin organizatorët që ti riktheheni festivalit?

Hysni Klinaku: Jo, deri më tashti jo.

KultPlus: Keni një mbështetje të madhe nga publiku i Kosovës për këtë veprim, po e keni menduar si do të reflektojë tek audienca e Shqipërisë, sepse, siç u pa atë natë, Colic është pritur shumë mirë nga audienca e atjeshme?

Hysni Klinaku: Për besë nuk është se nuk kam menduar, dhe i kam peshuar të gjitha, me sinqeritetin tim më të madh nuk pata fuqi që ta shoh përsëri vetën në atë skenë. Shumë arsye mu paraqitën dhe erdha në atë pikë që nuk më interesoi më se kush çka mendon, por çka mendoj unë.

KultPlus: Çfarë të ka shtyrë më shumë për këtë vendim, se Colic nuk është i nivelit të duhur artistik apo se i takon nacionalitetit serb?

Hysni Klinaku: Është shumë herët që kënga shqipe të madhërojë një këngëtar serb, kur e dimë se serbët kanë bërë çmos në përdhosjen e kulturës shqiptare. Por nuk është e vetmja arsye që më irritoi. Kur hyra edhe te biografia e këngëtarit edhe te faqja zyrtare e tij pashë se ai nuk ka një biografi të mirë, jo vetëm profesionale por edhe të qëndrimeve të tij ndaj luftës në Bosnjë dhe Kosovë. Këngëtari ka të realizuar edhe një videoklip kundër bombardimeve të NATO-s, që janë bërë me rastin e luftës në Kosovë. Me sinqeritetin më të madh e them nuk ka edhe vlera profesionale, pasi që ka shumë këngëtarë më të mirë se ai, si në Kosovë, si në Shqipëri. Plus asaj, ai performoi edhe në një incizim të dobët play back, as në performnacë nuk ishte real, gjithçka ka qenë irrituese.

KultPlus: Po kjo nuk është hera e parë që në festivale të tilla të Shqipërisë ftohen këngëtarë serb, sikurse që dëgjohet muzika e këngëtarëve serb edhe nëpër lokale të ndryshme, pse dallojnë kosovarët dhe audienca e Shqipërisë sa i përket kësaj çështje?

Hysni Klinaku: Muzika dhe dëshirat janë çështje individuale, por festivali ka një format tjetër, dhe të ftosh në një festival të vlerës shqiptare një këngëtarë kur akoma janë plagët e hapura dhe të zhdukurit nga lufta e fundit nuk dihet se ku janë, besoj se kjo nuk do koment.

KultPlus: Po nuk është se edhe në Kosovë nuk ka bashkëpunime kulturore edhe me artistë nga Serbia, a të kanë penguar këto bashkëpunime edhe më herët?

Hysni Klinaku: I kam kushtet e mija, për mua çdo bashkëpunim me serbet nuk ka asnjë vlerë pa u bërë kërkimfalja nga ana e tyre. Ata vazhdojnë të na shohin si njerëz të dorës së dytë apo të tretë. Së paku në mënyrë deklarative të thuhet se u vjen keq për atë çfarë ka ndodhë ndaj popullatës së Kosovës, po ata po vazhdojnë të mos shprehin keqardhje. Bashkëpunimet që bëhen sot nëpër institucione në nivel ndërkombëtarë, janë krejt të një fryme tjetër. Mirëpo jo edhe ti bëhet ftesë një këngëtarë serb në një festival ku i këndohet atdheut, ku i këndohet këngës shqipe.

Hysni Klinaku: Dhe për fund, ka edhe artistë të tjerë kosovarë që janë pjesë e festivalit “Kënga ime”, a do të duhej të tërhiqeshin edhe ata nga gara?

KultPlus: Kjo është një ndjenjë dhe vendim i imi. Mirëpo, sipas informatave të mija, edhe dy tre këngëtarë të tjerë e kanë anuluar pjesëmarrjen, por nuk i kam parë të deklaruar.

Më Shumë

Lajmet e Fundit