22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Klosi nuk pajtohet për krijim të një Tribunali

Fatos KlosiIsh-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi, në një intervistë për Radio Kosovën, nuk pajtohet me krijimin e Tribunalit për Kosovën.

Ai t thotë se gjithçka është dashakeqësi për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe të luftës për liri.

Fatos Klosi flet për bashkëpunimin me UÇK-në dhe me kryeministrin e sotëm, Hashim Thaçi për luftën.

Sot, drejtor i Agjencisë Kombëtare Bërthamore të Shqipërisë, Klosi, thekson se nuk ka patur asnjë shans që UÇK-ja të ketë bërë transplant organesh apo krime të tjera. Ish-drejtori i shërbimit sekret nuk pajtohet me krijimin e Tribunalit për Kosovën dhe thotë se gjithçka është dashakeqësi për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe të luftës për liri.

Klosi tregon bashkëpunimin me shërbimin sekret amerikan, CIA-n, në anën e UÇK-së dhe thotë që “Hashim Thaçi ishte djalë serioz dhe trim”. Sipas tij, ndërkohë, ish-kryeministri Pandeli Majko “në aktivitetin e qeverisë shqiptare ai ngulte këmbë që të ruhej embargoja” ndaj ish-Jugosllavisë.

Ish-shefi i shërbimit sekret thotë gjithashtu se Krimeja nuk ka asnjë ngjashmëri me Kosovën dhe se nuk e sheh me rrezik që Serbia të bëjë në Ballkan siç veproi Rusia në Ukrainë.

Zoti Klosi, si u përballët 15 vjet më parë me mundësinë e komunikimit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?

Fatos Klosi: “Për mua ka qenë me të vërtetë shumë interesante. Në fillim më erdhi një kushëri i një të njohurës time dhe më çoi fjalë nëpërmjet saj që “do të të takojë”. U takuam. Filloi të më flasë për plane lufte, për plane të rëndësishme. Sipas meje “e kaloi një çikë masën”, sepse më foli edhe për aeroplanë e për armë, që ishte praktikisht e pamundur. Në fund të bsiedës isha paksa e emocionuar le të themi, por prapë e mora seriozisht. Pastaj kontakti serioz ishte kur një punonjës i yni, nëpërmjet vëllait të tij, njihte një nga figurat e rëndësishme të UÇK-së që ishte në Tiranë. Më thotë që “unë e njoh atë”. Unë isha i interesuar me thënë të drejtën, sepse e dija që po luante diçka.
Di që hezitoi në fillim, meqënëse ata kishin një eksperiencë shumë të hidhur nga marrëdhëniet me SHIK-un e Gazidedes (Shërbimi Informativ Kombëtar me drejtor Bashkim Gazidede. v.j.). Nuk e quajti të arsyeshëm takimin në zyrat e mia. Por, pastaj i çova prapë fjalë dhe i thashë që “shiko e kam fare seriozisht, nuk ka asnjë problem”. Di që më treguan se kur erdhën në zyrën time, kishin bërë shumë dredha në rrugët e Tiranës për të humbur gjurmët, o nga ne o nga policia, mbase edhe nga shërbimi serb. Probabilisht po!
Me atë u bisedua seriozisht për situatën që ishte, për planet që kishin, për mundësitë që kishin. I thash që “jam i interesuar, sepse është detyra ime”. U konsultuam në Shërbim me njerëz që e njihnin. Më konfirmuan që ishte njeri serioz, që nuk kishte probleme. Pati pastaj një kontakt të dytë, një kontakt të tretë… Nuk them që u bëra pjesë e tyre, por e njihja problemin dhe ndaja me ta të njejtat interesa, të njejtat qëllime”.

Si qëndronte bashkëpunimi me shërbimet partnere dhe veçanërisht me CIA-n dhe politikës?

Fatos Klosi: “Shiko, ka pasur dy probleme: Në fazën e parë qenë partnerët tanë të interesuar për UÇK-në. Natyrisht, shërbimet janë gjithmonë përpara politikës në kohë dhe qenë ata përpara se problemi i UÇK-së të bëhej publik. Ne qemë të kujdesshëm në fillim. Donim të shihnim edhe opinionin e tyre dhe pastaj të prononcoheshim. Por, shpejt e morëm vesh që edhe ata ishin dashamirës. Sidomos Shërbimi amerikan, por dhe të tjerët. Kur “u hapën kartat” konstatuam se kishte një dashmirësi dhe ata kishin një opinion jo të njejtë me tonin, por dashamirësie, kryesisht që lidhej me opinionin që kishin për Serbinë dhe për pushtetin represiv që ishte në Serbi.
Pastaj, kur i njohën njerëzit e UÇK-së e kuptuan që ishin njerëz seriozë, që ishin njerëz që e kishin marrë atë aktivitet për ideale e jo për gjë tjetër dhe e përkrahën. Lidhur pastaj me diferencën midis opinioneve të politikës dhe të shërbimeve, them që në fillim ka pasur një diferencë goxha të madhe. Mesa duket edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucione të ndryshme kanë opinionet e tyre. Natyrisht, në veprime ata pastaj rakordojnë sepse kanë një shef që është në krye.
Politikanët tanë që kishin kontakte me diplomacinë amerikane, kishin tjetër opinion për opinionet e amerikanëve. Ndërkohë, që unë që kisha kontakte me shërbimet, e shihja shumë më qartë dëshirën e tyre për të ndihmuar, dëshirën e tyre “për t’i vënë fre pushtetit represiv të (Sllobodan) Millosheviçit”.

Reflektohej kjo në marrëdhëniet tuaja me ish-kryeministrat Fatos Nano dhe Pandeli Majko?

Fatos Klosi: “Me Fatos Nanon nuk patëm probleme. Fatos Nanuan ishte një çikë i vonuar në këtë gjë, meqënëse ai kontaktet më të mëdha i kishte me diplomacinë amerikane, me ambasadën amerikane, me Departamentin e Shtetit. Ndërkohë, që unë që kisha kontakte me Shërbimin amerikan, isha në kontak me të tjera opinione për luftën në Kosovë. Mu desh të diskutonim me kryeministrin. Natyrisht, ai ishte shefi dhe ai do të vendoste për qëndrimin që do të mbanim dhe nuk e vendosja unë. Pastaj, u siguruan kontakte direkt edhe me Shërbimin amerikan edhe me UÇK-në vetë dhe them që gjërat u sqaruan.
Kurse, me Pandeliun problemi ishte një çikë më i ngatërruar, sepse pati një keqkuptim që në fillim… Nuk e di, ende nuk e kam të qartë se përse kryeministri pati idenë që…
Duke pasur më pak eksperiencë se Fatosi (Nano), i ruhej shumë aspektit formal të problemit, aspektit zyrtar. Konsiderohej që ndaj Jugosllavisë kishte embargo dhe ai u përpoq që ta reflektonte këtë fakt. Në aktivitetin e qeverisë shqiptare ai ngulte këmbë që të ruhej embargoja, ndërkohë që gjërat kishin “marrë rrugë” kur erdhi Pandi në kryeministri. Nuk mund të ndaloheshin më dhe ky ishte burim i konflikteve që lindën dhe i disa vështirësive që u krijuan për furnizimin me armatim të luftës. Nuk them në asnjë mënyrë se ishte dashakeqësi e Pandeliut, por thashë që ai u përpoq më shumë që të zbatonte ato këshillat e diplomacisë ndërkombëtare, të aleatëve që siç thashë ishin me vonesë”.

Përpara se të merrej vendimi për të sulmuar ish-Jugosllavinë, caqet serbe, përfundoi Konferenca e Rambujesë, ku udhëheqjen e pati për delegacionin e Kosovës, Hashim Thaçi. Cilat ishin kontaktet tuaja me zotin Thaçi, sot kryeministër dhe në tërësi me delegacionin në atë kohë?

Fatos Klosi: “Thaçi kishte ardhur disa herë në Shqipëri. Madje, patëm edhe një fakt një çikë të hidhur për të…
Gjatë një kalimi të kufirit nga Shqipëria në Kosovë, erdhi lajmi se Thaçi ishte vrarë dhe u krijua një situatë vërtetë e vështirë mes njerëzve të UÇK-së, por dhe ne tani, sepse e quanim veten sëbashku me ta, në të njejtën çështje, në të njejtën kauzë. Me Thaçin jam takuar në Tiranë, sa herë që ai ka ardhur.
Kemi shkuar bashkë te kryeministri Fatos Nano, për ta bindur që “shiko, gjërat tashmë kanë hyrë në një hulli” dhe “nuk është më në dorën tonë që ta nxjerrim nga kjo hulli situatën”. Unë e kam vlerësuar vërtetë si një djalë serioz, si një djalë që dukesh që ishte një djalë trim. Pastaj, në Rambuje, natyrisht ai mori një peshë tjetër.
Ishte shumë e rëndësishme që delegacionin ta drejtonte një nga UÇK-ja dhe të ishte një nga ata që ishin në front. Lufta atje bëhej, pavarësisht se kishte ndihma edhe nga jashtë dhe personazhe të tjerë të rëndësishëm, që nuk ishin direkt në luftë, por që mbanin kontakte me botën, me…
Natyrisht, që ishte një hap cilësor që u bë në karrierën e Thaçit dhe pastaj ai e tregoi që e kishte merituar”.

Po flitet për një Tribunal për Kosovën…

Fatos Klosi: “Është një vendim politik që niset nga qëllime të caktuara. Mua më vjen keq që pas kaq shumë vitesh ka një dëshirë për të hedhur baltë mbi luftën. Lufta ka rregulla. Por, një gjë duhet të kemi parasysh; Që, ajo luftë nuk ka qenë një luftë jofrontale. Një luftë midis një ushtri nga më të fortat në Europë me një organizatë le ta quajmë, djemsh të rinj, pa asnjë eksperiencë, të cilët vunë në sheshin e luftës vetëm vullnetin e tyre, trimërinë e tyre dhe sakrificën e tyre. Eksperiencën ata njerëz e fituan në luftë. Në fund të fundit, ata në çdo çast po rrezikonin jetën e tyre.

Më duket e gabuar kjo q ëpo bëhet tani në grup, të diskutohet gjithë ndershmëria në luftë për shembull e UÇK-së!?

Për mua është një vendim politik që ka një qëllim të keq. Kush është akuza e vërtetë?
Po, fakti që po merren në bllok të gjithë drejtuesit e UÇK-së, po diskutohet të paktën, tregon që këtu ka një qëllim jo dashamirës”.

Nuk bëhet fjalë as për quajturën “Shtëpi të Verdhë” as në Burrel, as në Fushë-Krujë, as në Krujë dhe as për transplant?

Fatos Klosi: “Këto janë pastaj vërtetë broçkulla, pretendime që nuk i rezistuan asnjëherë qoftë edhe një prove shumë të thjeshtë, një fakti shumë të thjeshtë! Ka qenë praktikisht e pamundur që brenda territorit të Shqipërisë të ndodhnin të tilla gjëra… Unë e them ndershmërisht dhe jam gati të përballem në çdo lloj situate që të paktën Shërbimi Informativ të mos e dinte! Ne ishim shumë aktiv në atë pjesë të territorit të Shqipërisë. Ishim shumë pranë UÇK-së. Kështu, që nuk do të na kishte shpëtuar një gjë e tillë. Dhe, po ta dinim absolutisht, nuk do ta kishim lejuar! Nëqoftëse ka pasur pastaj interesa pastaj të vogla fare që nuk lidhen me UÇK-në të horrave që shfrytëzojnë situatat për të përfituar…

Po pastaj, me argumenta teknikë mund them që ka qenë e pamundur! Nuk janë kushtet, nuk kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri. Ne e dimë që transplantet në Shqipëri shumë vonë kanë nisur në Qendrën Spitalore dhe akoma nuk po vihen në vijë! Jo më atëherë në ato kushte, qenkërkan bërë transplante?!
Më duket absurde! Është thjesht në të njejtin kuadër që shoh edhe këtë fushatë kundër UÇK-së për të zbehur atë përshtypje të mirë që bëri në të gjithë botën lufta e këtyre djemve që detyroi Millosheviçin të dorëzohej”.

Zoti Klosi, një qendër studimore për Siguri dhe Mbrojtje në varësi të ministrisë së Mbrojtjes, ka hartuar një raport të ndarë në tri pjesë, marrë shkas nga ngjarjet në Krime. Besoni se ka rreziqe në rajon?

Fatos Klosi: “Absolutisht jo! Situata në Krime dhe situata në rajonin e Ballkanit, është fare e ndryshme!
Them që nuk mund të krahasohet me Serbinë, e cila jo vetëm që ëhstë më e vogël, por pretendon që të futet në Bashkimin Europian, e për në NATO nuk e kam dëgjuar diskutimin”.

Më Shumë

Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Sot mbushen plot 556 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë. Gjergj Kastrioti, Heroi...

Totaj diskuton për mundësin e bashkëpunimit me Rotary Club “Prizren””

Kryetari Shaqir Totaj sot priti kryetarin e Rotary Club "Prizren", Bujar Myftiun, sekretarin e klubit, Agron Didën dhe anëtarin Masar Gurgulen. Diskutuan për mundësitë e...

Lajmet e Fundit