19.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Mirush Kabashi magjeps Kosovën

83499Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, monodrama e interpretuar nga Mirush Kabashi, ka ngjallur emocione të forta në Prishtinë. “Të qash dhe të qeshësh në të njëjtën kohë, kjo është mjeshtëria e një aktori i cili nëpërmjet interpretimit të tij të bën t’i përjetosh të dyja këto ndjenja në sekondën më të shkurtër”, shkruan “Zëri”.Sipas gazetës, të njëjtën gjë bëri edhe aktori i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi me interpretimin e tij në monodramën e autorit francez Eric Emmanuel Schmitt, “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, e cila u shfaq para një numri të madh të publikut, disa ditë më parë, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dashuria njerëzore ndërmjet një çifuti dhe një myslimani, të cilët ishin komshinj në një nga lagjet e Parisit, ka qenë njëra ndër mesazhet kryesore të kësaj monodrame, e cila u prezantua në kuadër të Javës Frankofone atje. Mjeshtëria e transformimit të personalitetit në shtatë karaktere të ndryshme për një kohë shumë të shkurtër bëri që publiku në sallë të magjepsej nga interpretimi i jashtëzakonshëm i aktorit Mirush Kabashi. Monodrama trajtonte jetën e një çifti në Paris të quajtur Moisi, i cili kishte fqinj një mysliman të quajtur Ibrahim, i cili kishte një dyqan ushqimor ku banorët e lagjes e quanin “dyqani i arabit”.

Moisiu, që ishte braktisur nga nëna e tij menjëherë pas lindjes, në moshën e adoleshencës braktiset edhe nga babai, i cili pas një kohe kryen vetëvrasje. “T’i respektosh njerëzit është detyrë, por t’u falësh dashuri është mirësi”, ishte kjo, njëra ndër këshillat e shumta që zotëri Ibrahimi i jepte birit të tij të birësuar, Moisiut, e që më vonë do të vdiste po në duart e tij, pas një aksidenti me veturë që Ibrahimi pësoi rëndë në shtetin e Iranit.

Vdekja e Ibrahimit në fundin e monodramës ishte ai momenti që bëri jo vetëm sytë e aktorit të mbusheshin me lot, por edhe një pjesë të të pranishmëve në sallë, të cilët u emocionuan nga mjeshtëria e aktorit Kabashi, i cili, për ta realizuar në mënyrën sa më të mirë këtë monodramë, kishte punuar pesë vjet me radhë.

“Të luash monodramë është kalvar artistik. Është një material i vlefshëm dhe i bukur dhe janë këto dy motivet që më shtynë për të filluar këtë kalavar të kësaj monodrame. Pas gjashtë vjetëve që e realizova këtë monodramë në Durrës, pastaj edhe në Tiranë dhe Toronto, Preshevë dhe Ulqin, dëshiroja që të vija edhe në Kosovë, dhe kjo u realizua dhe për këtë i jam mirënjohës ambasadës franceze dhe ambasadores Davie, e cila më ftoi që të jem pjesë e Javës së Frankofonisë në Kosovë. E kam pritur këtë mbrëmje duke m’u dridhur këmbët, edhe pse kam 40 vjet që luaj si aktor, por të luash para publikut prishtinas është një përgjegjësi më e madhe”, – ka thënë aktori Kabashi, i cili më pas shtoi se arti duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë, duhet të mos jetë sipërfaqësor dhe të mos bëhet pre e kalimit të kohës. Më tej, aktori ka thënë se, më shumë se pasuria materiale është pasuria shpirtërore.

“Mos e komprometoni veten për hir të një fitimi të momentit me gjëra të pandershme, por duhet të kuptoni që në themel të demokracisë qëndron morali që është mbi ligjin. Morali mund të forcohet përmes artit, kulturës dhe, pse jo, edhe besimeve fetare”, – ka deklaruar Kabashi. Mbas shfaqjes në Gjakovë, kryetarja e komunës, Mimoza Lila-Kusari shtroi një darkë për nder të shfaqjes dhe u shpreh: “Z.Kabashi, sonte me interpretimin tuaj të shkëlqyer keni lumturuar 600 spektatorë që kishin mbushur sallën dhe njëkohësisht i keni bërë të ndihen krenarë që ju jeni me origjinë nga ky qytet”. Ndërsa ambasadorja franceze në Prishtinë u shpreh: “Një shfaqje e jashtëzakonshme. Jam shumë e lumtur që ju kisha në Kosovë. Ky është fillimi i një bashkëpunimi të gjatë”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit