Roku në Kosovë sot ka një numër të madh emrash, por hapat e parë të tij janë vënë qysh në vitet e 1966-67, kur në qytetin e Mitrovicës ishte krijuar grupi i rokut “FAN”, për të shpërthyer në vitet e 80-ta .
Nexhmedin Salihu është njeriu që i ka qëndruar besnik kësaj muzike. Ai është koleksionist i cili edhe sot me fanatizëm ruan disqe, posterë e biografi të pothuajse secilit grup e këngëtarë të muzikës rok të asaj kohe.
Ai me nostalgji kujton rrugëtimin e muzikës rok në Mitrovicë, kohën dhe vendet në të cilat kanë ushtruar e performuar grupet që ai pëlqente. “Kujtojë vendin ku kanë ushtruar bendet, ka qenë te pjesa e quajtur ‘Kej” afër Qendrës së Kulturës në Mitrovicë. Aty ka qenë një pjesë e mbuluar me xhama të bardh, dhe më kujtohet ka pas vrima të shqyera në xham e unë prej aty kam shikuar grupet, për shkak se ka qenë hapësirë e vogël dhe nuk kemi pas mundësi të futemi brenda e t’i shikojmë”, thotë Salihu, shkruan Zëri.
Salihu tregon fillimin e viteve 70-ta kur në grupin “FAN” ka ardhur Nexhat Macula, grupi është ngjallur, kanë filluar të këndojnë këngë të grupeve të njohura ndërkombëtare të asaj kohe. Sadiku ka treguar se grupi FAN është si pikënisje e asaj që do të vinte pas viteve të 70-ta, që bëri që të formoheshin një numër i madh grupesh duke e cilësuar këtë periudhë si koha kur edhe Rok muzika në Kosovë arriti kulmin e saj.
“Në kohën e grupit “FAN” ka qenë edhe një grup Kristalet e Trepçës aty kanë qenë shqiptarë e Serb bash me një vend, pastaj Xhevdet Gashi ka formuar grupin MAK me Halil Bajraktari bas kitarë, Sejdi Jusufi ka qenë kitarist, Xhevdet Gashi klaviaturist, Haki Misini i ndjerë ka qenë këngëtarë, pastaj Mehmet Upella ka qenë daullist. Ndërkaq tani Mehmeti dhe Hakiu janë të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tregon Salihu, duke shtuar se pas këtyre grupeve vjen edhe lulëzimi i kësaj muzike. “Nexhat Macula në vitin 1976 ka shkuar në një grup në Beograd pasi është kthyer prej atje ai ka formuar grupin TNT në të cilin ka ardhur këngëtari më i mirë që rok muzika ka pasur ndonjëherë Ferki Shala”, ka treguar Salihu.
Pas kësaj periudhe në vitet e 80-ta hapet prodhimi i kasetave në Radio Televizionin e Prishtinës, duke bërë kështu që të krijohen albumet më të mira të historisë së rokut, album ishte incizuar albumi i parë i grupit “TNT”, po ashtu i grupit “Gjurmët” dhe “403”.
Ai tregon në kohën kur ka qenë i ri, kushtet e vështira ekonomike, nuk i kanë mundësuar që ti përcjell për së afërmi të gjitha koncertet që këto grupe kanë pasur, por, përkundër kësaj ka arritur t’i dijë të gjitha, vendet ku ata kanë ushtruar, ditën, vendin dhe kohën kur do të mbajnë koncert.
“Në atë kohë ka qenë problem, nuk kemi pas liri me dal, më kujtohet koncertin e parë që e kom pa ka qenë në vitet 80-ta, edhe pse i kom ditë të gjitha, ku janë ata, çka bëjnë, mirëpo nuk kam pas mundësi materiale që t’i përcjell koncerte”, ka treguar ai.
Ai e kujton edhe sot kohët e vështira nëpër të cilat ka kaluar rok muzika, në një nga ditët e vitit 1973 kur grupi “FAN” kishte mbajtura koncert në Mitrovicë, tregon Sadiku se si ishin mbledhur një numër i madh njerëzish në qendër të qytetit të Mitrovicës për ta dëgjuar këtë grup, me ç’rast nga turmat e shumta dhe frika se mos po eskalonte situata e sigurisë, thotë ai, policia kishte shkyçur rrymën elektrike, për të ndërprerë performancën e grupit. Në shtëpinë e tij, sot ka të ruajtura më se 700 pllaka të gramafonit, biografi të njerëzve të mëdhenj të rok muzikës së asaj kohe, të cilat edhe sot i ruan me fanatizëm.
Ndërkaq si devalvim të muzikës rok në Kosovë, ai e sheh periudhën e viteve1990 kur artistët e këtij zhanri muzikor, për të mbijetuar kishin kaluar në zhanre të tjera, madje disa prej tyre në atë tallava. Ndërsa për rok muzikën në ditët e sodit, ai thotë se çmon shumë veprimin e shkollave të rokut në Mitrovicë, të cilat sipas tij, po nxjerrin artistë të mirëfilltë të rok muzikës, duke i cilësuar këto shkolla si mjaft të rëndësishme për ruajtjen dhe kultivimin e mëtejmë të traditës së rok muzikës, të cila edhe po i ruajnë qytetit të Mitrovicës, epitetin si qytet i rokut, që njihet edhe sot.