Që me debutimin e parë në skenë, tregoi talentin e madh që posedon për muzikën. Është ky këngëtari Korab Shaqiri i cili në një intervistë për gazetën Tribuna ka folur rreth projekteve të tij muzikore, angazhimet në stinën e verës dhe shumëçka tjetër
Që nga mosha e hershme e fëmijërisë ka treguar se ka shumë dashuri për muzikën dhe gjithmonë ka ëndërruar që në të ardhmen të merret me muzikë. Këtë ëndërr Korab Shaqiri ka filluar ta bëjë realitet kur filloi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe kur doli në skenë me këngën e parë ‘Banesa e vogël’. Tashmë Korabi ka krijuar shumë hite dhe kjo gjë i jep motiv atij që të mos ndalet asnjëherë.
Në një intervistë për gazetën Tribuna, Korabi ka treguar se është duke punuar në dy projekte muzikore, në dy balada që sipas tij kanë një përmbajtje interesante. “Po, jam duke punuar në dy këngë të reja që do të jenë balada të cilat jam duke i punuar me grupin tim, kam një grup të vogël ku bëjmë pjesë unë, Yll Limani dhe Labinot Kosumi dhe gjithçka po realizojmë me grupin tonë Barokun domethënë me Studion Barok”, ka thënë këngëtari.
Ai po ashtu ka treguar që së shpejti do të vijë me album të ri i cili do të dalë në fund të vitit apo në fillim të vitit tjetër. “Jam duke punuar shumë që në fund të vitit apo në vitin tjetër të dal me albumin e radhës.
Ky album do t’i ketë rreth 15 këngë dhe kësaj here nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me këngëtarët e estradës muzikore shqipe, sepse po mendoj që njëherë të këndoj solo edhe pak dhe më vonë do të mendojë për bashkëpunime” ka theksuar Korabi. I pyetur se ndër emrat me këngëtarët që do të bashkëpunojë në të ardhmen, a gjendet edhe emri i Ilir Shaqirit, Korabi nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë këngë duet së bashku me babanë e tij.
“Ne kemi pasur një këngë duet që është quajtur ‘Liria’ dhe që ka qenë edhe me grupin ‘Xixëllonjat’ që është shfaqur për programet e vitit të ri në një nga televizionet tona dhe që nga ajo kohë nuk kam bërë asnjë këngë me babin tim, por besoj shumë që në të ardhmen do të realizojmë këngë së bashku” ka shtuar ai.
Korabi ka përmendur se për stinën e verës ka qenë shumë i angazhuar në mbrëmje të ndryshme në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri dhe ka treguar se aktiv ka qenë edhe nëpër dasma të ndryshme “Kam qenë prezent pothuajse në të gjitha trojet shqiptare, gjithashtu kam qenë i angazhuar edhe me dasma por më shumë kam marrë pjesë në mbrëmje rinore pasi që një këngëtarë i moshës sime këndon më shumë në mbrëmje rinore dhe publiku është ai që kërkon këso këngë” ka thënë Korabi.
Në dasma ai ishte i shoqëruar nga bendi i tij për të cilin Korabi thotë se është një bend që ka shumë mirëkuptim në mes vete dhe ka treguar se ky grup aq sa shkon bashkë, shkon edhe me emra të veçantë.
Lajmi për martesë ishte i rremë
Kohëve të fundit në mediat rozë është shpërndarë lajmi që Korab Shaqiri është drejt martesës, mirëpo është vet këngëtari që për gazetën Tribuna e ka mohuar një gjë të tillë. “Po ju them juve, por e kam thënë edhe me një status në facebook se lajmi i martesës nuk është i vërtetë. Mua me vjen shumë keq nga fansat e mi që po gënjehen në atë mënyrë “ ka shtuar këngëtari.
Korabi po ashtu ka thënë se njëherë nuk është duke menduar që të martohet dhe theksuar se kur të ketë një plan të tillë do t’i informojë gjithë simpatizuesit e tij.
Ai gjithashtu ka treguar se tani për tani është i koncentruar vetëm në karrierë dhe ka përmendur se është duke punuar me shumë këngëtarë në mënyrë që të nxjerrin shumë këngë të reja dhe të jetë sa më shumë aktiv në skenën e muzikës shqipe “Kam pasur oferta dhe kam akoma për të punuar këngë me këngëtarë, mirëpo unë tashmë kam shumë emra me të cilët punoj dhe çdo vit e më shumë po punojmë që të kemi më shumë këngë me shumë hite, me të cilat po e pasurojmë muzikën shqipe” ka theksuar ai.
Në fund të intervistës Korabi ka treguar se i ka filluar studimet e doktoratës në Institutin e Folklorit i cili është në kuadër të Universitetit të Tiranës.
“Studimet e doktoratës i kam filluar në Institutin e Folklorit dhe me mentorin tim kemi menduar të zgjedhim diçka që ka të bëjë me folklor, mirëpo dihet që studimet zgjasin shumë dhe normal që kalon kohë deri në përfundim” ka thënë Korabi. (Erdonit Hoxha)
Theksim: “Po ju them juve, por e kam thënë edhe me një status në facebook se lajmi i martesës nuk është i vërtetë. Mua me vjen shumë keq nga fansat e mi që po gënjehen në atë mënyrë“.