12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Kosova, gati për festën e 17 shkurtit

Prishtine-17 shkurtiNjë ditë para përvjetorit të gjashtë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kosovarët duket se janë gati për festë. Në kryeqytet, po edhe në qytetet të tjera, rrugët janë stolisur me flamuj shtetëror dhe kombëtar.

Në kryeqytet vërehen përgatitjet, si ngritja e podiumeve për koncertet dhe aktivitetet e parapara për 17 shkurt. Ndërkohë, Obelisku i Pavarësisë së Kosovës NEWBORN është në përfundim e sipër të ngjyrosjes.

Për dallim nga herët e tjera, në këtë përvjetor ngjyrat e obeliskut janë ato të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovës për çlirim. Aktivitete dhe organizimet e tjera, në pjesë të ndryshme të Kosovës tashmë kanë filluar qysh të shtunën, transmeton REL.

Mbrëmjen e së shtunës,në Muzeun e Kosovës, është hapur një ekspozitë ku tregohen fotografi të shkatërrimit të trashëgimisë kulture të Kosovës nga viti 1998- 1999.

Kurse, të dielën në orët e mbrëmjes, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizon pritje solemne për mysafirë të ftuar me rastin e përvjetorit të gjashtë të pavarësisë.

Presidenca ka bërë të ditur se me rastin e gjashtë-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Jahjaga, ka marrë telegrami urimi nga shumë liderë botërorë.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, të hënën, me rastin e 17 shkurtit, do të mbajë një seancë solemne, ku pritet të flasin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Ndryshe, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se “6 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, mund të them se janë arritur rezultate të prekshme në konsolidimin e shtetit tonë të ri dhe njëkohësisht janë tejkaluar sfida të vështira në kuptim të betonimit të sovranitetit tonë të brendshëm dhe ushtrimit të atij të jashtëm duke marrë 106 njohje të reja dhe anëtarësuar Kosovën në organizata e forume rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”.

“Njohjet e Kosovës janë globale me një shtrirje gjeografike ndërkombëtare dhe që tregojnë se projekti i pavarësisë së Kosovës ka qenë një projekt i paqes në Evropë, pasi asnjëherë Ballkani nuk ka qenë më stabil politikisht se sa pas vitit 2008”, thuhet mes tjerash në një deklaratë me shkrim të ministrit Hoxhaj dhënë Radio Evropa e Lirë.

Kurse, në mbledhjen e fundit të Qeverise së Kosovës në javën që po lëmë pas, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar të gjithë miqtë dhe partnerët që e mbështetën Kosovën në momentet më të rënda.

Thaçi ka përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, e të gjithë mbështetësit e tjerë që kanë ndihmuar në përpjekjet për liri dhe për pavarësinë e Kosovës.

“Tani, 6-vjetorin e pavarësisë së Kosovës e shënojmë edhe me një kapitull të ri, atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, njohjet po shtohen dhe unë kam besim të plotë se edhe njohja nga vetë Serbia do të ndodhë në të ardhmen jo të largët, paralelisht me procesin integrues evropian”, ka thënë Thaçi.

Më 17 shkurt, aktivitetet kryesore pritet të nisin rreth orës 11:00, me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sheshin “Nëna Terezë”, ndërsa qytetarëve do t’iu drejtohen udhëheqësit e vendit.

Me rastin e kësaj dite, do të bëhen homazhe edhe te Varrezat e Dëshmorëve. Që nga 17 shkurti i 2008-s, pavarësia e Kosovës është njohur nga 106 shtete.

Më Shumë

Osmani: Pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”. Në ceremoninë...

Malishevë/ Në 25-vjetorin e rënies u përkujtua dëshmori Brahim Morina

Në 25-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori i kombit, Brahim Morina, nga fshati Drenoc. Në përkujtim të rënies së tij,...

Lajmet e Fundit