Një nga autoportretet më të famshme në botë, ai i Leonardo da Vinçit, ka gjetur strehim në Torino të Italisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore vizatimi me shkumës të kuq iu fsheh Hitlerit, sepse mendohet se ka një ‘magji’ të fuqishme.
Ekziston një mit në Torino, sipas të cilit, shikimi i Leonardo da Vinçit në autoportretin e tij është aq i thellë saqë ata që e vështrojnë atë, mbarsen me fuqi të madhe. Disa thonë se ishte kjo fuqi magjike, jo vlera kulturore apo ekonomike e vizatimit, që nxiti një zhvendosje sekrete nga Torino drejt Romës gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të mos rënë në duart e Hitlerit e për ta ndaluar fuqinë që mund t’i jepte atij. Për këtë arsye, kjo ishte vepra e vetme nga koleksioni i vizatimeve dhe dorëshkrimeve të Leonardo da Vinçit, që u zhvendos nga Biblioteka Mbretërore e Torinos në atë kohë.
Drejtori aktual i bibliotekës, Xhovani Saçani, thotë se askush madje nuk e di se ku u fsheh me saktësi. “Për të parandaluar që ta merrnin nazistët, një operacion i shërbimit sekret e transportoi atë në mënyrë sekrete dhe anonime drejt Romës”, thotë ai.
Në rrethana të tilla të vështira, ruajtja me kujdes nuk u mendua mirë qoftë prej mungesës së dijeve, qoftë prej asaj të teknikave. Sigurisht se kjo e rëndoi gjendjen e mirëmbajtjes së vizatimit.
Brenda Bibliotekës Kombëtare shtrihet një tapet i kuq që të çon për te vizatimi dhe përreth ka dyer të sigurisë së lartë. Kjo ndërtesë ka qenë shtëpi e autoportretit të Leonardos dhe mijëra vizatimeve dhe dorëshkrimeve të paçmuara që prej vitit 1998. Trajtimi që u bëhet tani këtyre veprave me ndikim të madh për njerëzimin dhe zhvillimin e shkencave, është shumë i ndryshëm nga ai që i bëhej në gjysmën e parë të shekullit të 20-të.
Ndriçimi është ekskluzivisht me fibra optike – drita natyrale nuk mund të hyjë në këtë dhomë – dhe temperatura mbahet në një konstante 20 gradë Celsius, ndërsa lagështia në 55 për qind.
“Vitrinat” ku shfaqen veprat janë të përbëra nga xhami që Saçani e përshkruan si ‘anti-gjithçka’ dhe e gjithë zona është e pajisur me alarme dhe kamera sigurie.
Duke përdorur një ndriçues mirëmbajtës, Saçani hedh dritë në sipërfaqen e vizatimit për të treguar shtirjen e dëmit të njohur si procesin e njollave të kuqërreme që shfaqen në letrat e vjetra.
“Ky rast është veçanërisht i rëndë”, psherëtin ai – 200 vite më parë ky proces ishte më pak i dukshëm. “Në fund të anës së majtë të vizatimit, kishte një mbishkrim latin që shkruante Leonardus Vincius, por tani është zhdukur plotësisht”.
Meqë dëmi është i shtrirë dhe letra e brishtë, restaurimi do të jetë shumë i ndërlikuar. Analizat e lodhshme dhe diskutimet nga ekspertët botërorë në restaurim, kanë çuar në “vendimin për të ruajtur status quo-në”, thotë Saçani.
Dhe që prej ardhjes në këtë bibliotekë në vitin 1998, gjendja e vizatimit nuk është përkeqësuar. “Kjo na bën të ndihemi më mirë, sepse e dimë se po e trajtojmë siç duhet tani. Duhet të kemi parasysh se është 500-vjeçare. Vizatimet që kemi bërë në shkollë, ndoshta nuk ekzistojnë më; dhe ky vizatim i bërë në një letër normale vazhdon të rrojë, ndaj mendoj se është e mahnitshme që kemi arritur ta ruajmë deri më sot”.
Njëlloj e jashtëzakonshme është historia sesi ky autoportret përfundoi në Torino. Ishte pjesë e një koleksioni të gjerë, të blerë në 1839 nga Mbreti Karlo Alberto i Savojës.
Një koleksionues i pasionuar, ai e bleu atë nga Xhovani Volpato, një tregtar arti dhe murator, i cili ka udhëtuar shumë nëpër Europë. Sesi ai arriti të shtinte në dorë Leonardon është një mister, por dihet se ai i kërkoi mbretit një shumë prej 70000 lirash piemonteze për koleksionin e vizatimeve. “Një doktor që fitonte 1.000 lira në vit në atë kohë, ishte një shumë astronomike”, buzëqesh Saçani. “Mbreti arriti t’i jepte atij 50.000 lira, dhe iu deshën tetë vite që të paguante këstet.
Por Saçani thotë se Volpato nuk ishte një biznesmen aq i cekët, sa ç’mund të duket. “Qëllimi i Volpatos nuk ishte vetëm financiar, në shkëmbim të uljes së çmimit për mbretin, ai kërkoi që të bëhej murator pa pagesë i vizatimeve në Bibliotekën Mbretërore. Dhe që atëherë, Torino mbeti shtëpi e portretit me shkumës të kuq”.
Është vërtet një autoportret?
Vizatimi besohet se daton nga viti 1515. Disa ekspertë besojnë se ai i përket stilit të Leonardos në vitet 1490, megjithatë, subjekti është një plak.
“Ai nuk ishte shumë i dhënë pas idesë së autoportretit”, thotë James Hall, autor i librit ‘Autoportreti: një histori kulturore’. Ai nuk beson se autoportreti i përket Leonardo da Vinçit. “Atij nuk i pëlqente shumë ideja se arti duhej të ishte një portret i artistit. Ai donte që arti të përfaqësonte një ideal”.
Hall mendon se ky vizatim është bërë i famshëm, të paktën prej mungesës së autoportreteve të Leonardos. “Njerëzit i janë dhënë kësaj ideje dhe i kanë qëndruar deri në fund”.
Por të tjerë janë më pak skeptikë. “Jam shumë e lumtur të besoj se është një autoportret, por mendoj se çdo person vendos vetë nëse e ka bërë Leonardo, apo ia kanë bërë atij, kur e sheh nga afër”, thotë Liz Rideal, autore e dy librave mbi autoportretet dhe një lektore në Galerinë Britanike të Portreteve në Londër.
Ajo thotë se shumica e njerëzve duan të besojnë se është e Leonardos, “sepse ai ka status supermeni… mendoj se kemi të bëjmë me një gjeni dhe për këtë arsye e respektojmë autoportretin e tij, pasi duam të dimë si dukej”.
Si drejtor i Librarisë Mbretërore, Xhovani Saçani nuk ka dyshime: “Është një autoportret, çdokush që qëndron përballë këtij vizatimi, e ndien fuqinë. E para gjë që thonë kur e shohin, është se shikimi në fytyrën e tij është me shumë emocion dhe ka një cilësi që e gjen vetëm në veprat e Leonardo da Vinçit”.
Ky autoportret konsiderohet kaq i çmuar, saqë është objekt i një dekreti shtetëror për pronat e patundshme. Ai mund të zhvendoset vetëm me leje ministrore. Në vitin 2011, u çua në një ekspozitë që festonte 150-vjetorin e bashkimit të Italisë. “Transportimi përfshiu një ‘kuti speciale klimatizuese’, të aftë të ruajë të njëjtin sistem ajrimi që është në vendin ku mbahet vizatimi zakonisht”, thotë Saçani.
Kjo kuti e veçantë, më pas u fut në një tjetër kuti, që mbështillej nga një mjet që ndalonte dridhjet. Vizatimi u shoqërua nga një eskortë e armatosur dhe u monitorua vazhdimisht me teknologji moderne.
Një zhvendosje e ndërlikuar, delikate dhe shumë e shtrenjtë që nuk besohet se do ndërmerret shpesh në të ardhmen.
Në javët në vijim, 50 njerëz do lejohen të hyjnë në Bibliotekën Mbretërore nga ora 09:00 deri në 18:00 për të parë autoportretin. Temperaturat e dhomës do të jenë shumë të ulëta për të mbajtur në baraspeshë nxehtësinë që çlirojnë trupat.
Megjithëse ka më shumë se 80 kryevepra në ekspozitën e Thesareve të Mbretit, përfshirë edhe punë të tjera të Leonardos, Rafaelit, Rembrandit, Peruxhinos dhe Van Duk – për shumicën e vizitorëve, kryesorja është të shohin fytyrën e përskuqur të mjeshtrit Leonardo.
Dhe ata mund të kenë në mendje një mit të fundit, sipas së cilit përpara një provimi, studentët duhet të vizitojnë Bibliotekën Mbretërore për të marrë pak nga magjia e Leonardos. Mendohet se kjo u sjell fat shumë studentëve.
Por përtej legjendave, mjeshtri i madh i artit dhe shkencës, mbetet një nga figurat kryesore të shekullit ku jetoi, dhe një nga të përkëdhelurit e koleksionuesve të artit. /BBC/Epoka e re/