17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Lepaja: Vetëm Haradinaj mund të garantojë tranzicion të qetë

Fadil LepajaKosova po përjeton një periudhë tranzistore politike. Në zgjedhjet e fundit të 8 qershorit, partia fituese doli PDK e Thaçit,mirëpo ky i fundit nuk është automatikisht kryeministër. Emri që po lakohet më së shumti për kreun e ekzekutivit të ardhshëm është Ramush Haradinaj, i cili doli si i nominuar nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, e mbështetur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Dhe se kush do të jetë kryeministër, këtë pritet ta vendosë Gjykata Kushtetuese. Veç zgjedhjeve, ka patur dhe të tjera ndodhi, siç ishin vizita e presidentit serb, Nikoliç për festën e Vidovdanit në Kosovë, aludimet për luftën e UÇK-së dhe ngritja e Trubunalit për krimet e luftës vitin e ardhshëm, rreziku nga radikalizmi islamik, trazirat në Mitrovicë etj.

Lidhur me këto tema kemi realizuar një intervistë me analistin Fadil Lepaja.

Albeu.com Cili është mendimi juaj për zgjedhjet dhe asaj që ndodhi pas tyre (duke patur parasysh koalicionin opozitar LDK-AAK-NISMA).

Fadil Lepaja Këto zgjedhje përfunduan pa fitues! Fitues konsiderohet ajo parti apo koalicion që fiton një deputet më shume se gjysma! Tash, me vullnetin e rreth 1/8 e elektoratit, koalicioni i pesë partive me në krye PDK po e konsideron veten fituese dhe po bën përpjekje për me e përça dhe shantazhue bllokun opozitar të cilët po mendojnë se qeverisja Thaci ishte teper e korruptuar dhe në dëm të vendit saqë nuk e meriton të vazhdohet në asnjë formë me këtë qeverisje të keqe! Dyshimet për korrupsion kanë të bëjnë edhe me tenderët ndërkombëtarë dhe kjo e ka nxjerrë në pozitë të palakmueshme edhe faktorin ndërkombëtar, i cili e kishte përkrahur qeverisjen e z. Thaçi deri më tani, sidomos për shkak të bisedimeve me Serbinë.

Albeu.com Në marrëveshjen e re të opozitës, Vetëvendosje gjendet në kushtet më të mëdha të presionit, për shkak se është kundër bisedimeve me Serbinë e nga ana tjetër ndërkombëtarët i kanë kërkuar qeverisë së ardhshme me patjetër të vazhdohen me bisedimet. Shpesh VV është parë dhe si parti parimore. Sa mendoni se është vërtetë e tillë kjo parti në këtë rast?

Fadil Lepaja Padyshim se Vetevendosja është një parti me parime, por ato nuk janë të pëlqyera nga shumica e faktorve ndërkombëtar. Në politikën e sotme rajonale më tepër vlerësohet pragmatizmi sesa parimet. Ndërkohë qe pjesa tjetër e koalicionit konsiderohet më pragmatike, sidomos LDK-ja ! Tashmë, megjithatë kemi të bëjmë me një koalicion i cili paraqet njëfarë alternative e cila i merr në konsiderate interesat nacionale të Kosovës.

Albeu.com A mendoni se Haradinaj e meriton të jetë kryeministër i Kosovës?

Fadil Lepaja Në politikë më shpesh shtrohet pyetja se a mundet të jetë efikas, sesa a e meriton! Unë mendoj se Haradinaj paraqet alternativeën e cila garanton se opozita nuk do te thyhet prej presionit te oligarkisë së krijuar apo të mbledhur nen flamurin e PDK ! Në njëfarë forme është një recetë sipas parimit se të “nxehtit hiqet me të nxehtë” ! Në parim, kur flitet për merita në politikë ka shumë pretendent dhe kjo nuk është zgjidhje demokratike. Meritokracia është formë e mbuluar e presionit politik mbi qytetarët për të votuar për dike , për shkak të kaluarës, dhe jo të ardhmes, përkatësisht jo për shkak të ofertës! Kështu, arsyeja e duhur përse Haradinaj e jo dikush tjetër është se ai me partinë e tij e njohin modelin dhe strukturën joformale të qeverisë aktuale dhe janë në gjendje të përballojnë edhe presionin joformal! Tash, mund të thoni se kjo ndoshta nuk është edhe aq parimore?! Mendo se është në rregull të synohet një tranzicion i qetë prej oligarkisë në demokraci më gjithpërfshirëse!

Albeu.com Cili është mendimi juaj për Gjykatën Speciale që pritet të ngrihet më 2015-tën dhe a mendoni se lufta e UÇK-së duhet gjykuar?

Fadil Lepaja Unë nuk mendoj se kjo gjykatë do të gjykojë UCK-në , sikurse as Gjykata e Hagës nuk e gjykoi Serbinë, por i gjykoi urdhëdhënësit dhe kryesit e krimeve. Nëse kjo gjykatë gjen se ka patur krime konkrete dhe kryes konkret ajo do të ketë mandate ti denojë ata, por jo edhe luftën apo vetë UÇK si ushtri çlirimtare, sepse thjesht nuk është kompetente e as e ka në përshkrim këtë!

Albeu.com Ura e Ibrit u shndërrua sërish në konfliktin e rradhës mes shqiptarëve dhe serbëve. Si e mendoni problemin në këtë rast që pati protesta nga shqiptarët dhe si problem që po vazhdon të jetë i tillë në kohë?

Fadil Lepaja Unë mendoj se me rifutjen e popullit në politikë nuk arrihet asgjë! Qeveria duhet të bisedojë dhe të gjejë zgjidhje, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar! Mendoj se protestat kanë pasur edhe elemente të tjera përpos urës!

Albeu.com Si 28 qershor, serbët vizituan Kosovën, në kujtim të asaj që njihet si festa e Vidovdanit, ose Beteja e Kosovës. I pranishëm ndër të tjera ishte dhe presidenti serb, Nikoliç. Në deklaratat e tij, pati edhe raste ku po pranohej realiteti dhe në këtë moment u konsiderua si “tradhëtar” e iu gjuajt me gur nga masa e serbëve e grumbulluar në Fushë-Kosovë. Cili është mendimi juaj për këtë ngjarje?

Fadil Lepaja Unë mendoj se ky tubim është shumë ndryshe prej atij kur Millosheviç kishte mbledhur rreth 1 milion serb në Gazimestan! Në Kosovë ka shumë serb, e mbase edhe shqiptarë të cilëve nuk u konvenon normalizimi i marrëdhënieve mes dy popujve dhe mbizotërimi i ligjit, sepse shteti do të merret me çështje të cilat ata duan ti pamundësojnë! Mendoj se edhe qeveria serbe ka interesim të sinqertë për rrugëtim kah BE! Në rrugë e sipër të shpresojmë se do të zgjidhen problemet mes nesh. Natyrisht, ne duhet të mbrojmë interesat tona , por jo duke luftuar, por duke negociuar mbi parimet europiane të lirisë dhe drejtësisë!/Dionis Xhafa – albeu.com/

Më Shumë

Dramë e madhe në Suharekë – super derbi me katër gola

Ballkani dhe Drita ka luajtur një ndeshje të madhe duke barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të derbit të javës së 30-të të Superligës...

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, lëshoi sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Mbrojtja e ambientit”.  Si pjesë përkrahëse e fushatave sensibilizuese,...

Lajmet e Fundit