24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Libri i shtypur po zhduket, më shumë shitet e-libri

Nën shumë tension u mbajt ditën e mërkurë një debat me temën “Libri tradicional kundrejt librit elektronik”, në Qendrën Kulturore të BE-së, për nder të ditës ndërkombëtare të librit, që është me datën 23 prill. Panelistë të cilët ishin për të diskutuar për këtë çështje ishin: Nazmi Rrahmani, shkrimtar dhe përfaqësues i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku”, Shkelzen Gashi nga shtëpia botuese “Rrokullia”, Genc Salihu, nga libraria “Dit e Nat”, Elvina Halili poete dhe studiuese e letërsisë, Balsor Hoxha, shkrimtar.

Fillimisht fjala ju dha shkrimtarit dhe përfaqësuesit të shtëpisë botuese “Faik Konica”, Nazmi Rrahmanit i cili tha se problemet rreth gjendjes së librit në përgjithësi dhe relacionet me internetin dhe teknologjinë janë një prej problemeve që i preokupon, bibliotekat, lexuesit dhe librarët. “Deshëm apo jo është krijuar kjo situatë me lindjen e mjeteve të reja teknologjike të cilat në njëfarë mënyre kanë mundësuar që literatura e botuar apo jo të shfrytëzohet në mënyra të ndryshme. Këtë çështje nuk e konsideroj si të dëmshme për librin, përkundrazi e konsideroj si një mundësi që libri të shikohet edhe në forma të tjera letrare, edhe nga ata të cilët nuk e kanë mundësinë ose rastin që ta kenë librin në dorë. Megjithatë dalloj disa probleme në këtë fushë. Së pari përdorimi i problemeve teknologjike në fushën e leximit për informim, të leximit klasik të librit siç është menduar më parë, në këtë drejtim mendoj se ekzistojnë probleme që nuk janë zgjidhur për shkak të mundësisë teknologjike që nuk i ofron ato që i ofron libri apo shtypi. Në anën tjetër, një kategori lexuesish, veçanërisht ata që kanë të bëjnë me shkencën, informacionin që u hyn në punë, mundësitë e reja teknologjike kanë krijuar mundësi që mund të shfrytëzohen në zhvillim më të shpejtë në punën e tyre”, tha Rrahmani, duke vazhduar të thotë se ajo që vjen e re na bënë gjithmonë më kureshtarë.

Pas Rrahmanit, fjala ju dha përfaqësuesit të shtëpisë botuese “Buzuku”, Abdullah Zenelit, sipas të cilit interneti është një mundësi e jashtëzakonshme për lexuesit, por kjo gjë vetëm sa e shton edhe më shumë vlerën e librit, pra nuk e humb fare.
Shkrimtari, Balsor Hoxha tha se zhvillimi i literaturës elektronike në vend nuk është shumë i zhvilluar. Sipas tij, zhvillimi i letërsisë elektronike apo literaturës elektronike në perëndim është shumë i rëndësishëm për dallim nga Kosova që ka shumë pak lexues.
E për përfaqësuesin e shtëpisë botuese “Rrokullia”, Shkëlzen Gashin kjo e thënë nga Zeneli është krejtësisht ndryshe, ngase ai mendon se libri ka jetëgjatësi më së shumti edhe 3 ose 4 dekada. “Libri do të zhduket ashtu siç edhe po shkojnë gazetat, sepse nëse hyn në internet dhe e sheh, më shumë shitet e-libri sesa libri i shtypur. Libri i shtypur edhe zë vend, është shumë më lehtë që ti kesh të gjitha në laptop apo kompjuter”, u shpreh Gashi. Më pas, Gashi ka thënë se shtëpitë botuese të Kosovës vazhdojnë të kenë probleme edhe përkundër faktit se marrin subvencione, cështje kjo që ka prekur Abdullah Zenelin, i cili ka thënë se se nuk ka marr asnjë qindarkë nga askush. E gjithë kjo bëri Gashin të largohet nga tavolina e debatit duke mos qenë më pjesë e panelistëve.
Debati përfundoi duke ju dhënë mundësi të pranishmëve që ishin në sallë të parashtrojnë vetëm pyetje./KultPlus.com

Më Shumë

Jose Mourinho kërkohet nga skuadra e Arabisë Saudite Al-Qadsiah

Jose Mourinho është shfaqur si objektiv i skuadrës saudite të Al-Qadsiah. Ish-trajneri i Chelsea dhe Manchester United është gati të rikthehet në menaxhim pasi u...

Prizren, deklarohen rreth fajësisë dy të akuzuarit për rastin e aksidentit fatal nga gara në autostradë

Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023...

Lajmet e Fundit