17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

“Liqeni” i Çagllavicës ia ndryshk prizrenasit veturën e shtrenjtë

Blerim AsllaniBlerim Asllani nga Prizreni ankohet se më 6 shkurt të këtij viti duke u kthyer nga Prishtina në Prizren iu dëmtua rëndë vetura e tipit “BMW- 730” vlera e së cilës është 15,000 euro, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë nga reshjet e asaj dite.

Ai për dëmtimin e makinës fajëson Policinë e Kosovës që e orientuan të lëvizë nëpër shiritin ndihmës të rrugës afër qendrës “QMI”, pa e paralajmëruar për nivelin e lartë të ujit mbi rrugë.

“Më ka ndodhë rasti, duke shkuar prej Prishtinës në drejtim të Prizrenit, edhe kur kam ardhë te rrethi në Prishtinë më thanë hyn në rrugën ndihmëse edhe nuk po na tregojnë fare policia se për çfarë arsye,” thotë Blerim Asllani.

Policia pranon se orientoi vozitësit për lëvizje të ngadalshme dhe të kujdesshme, duke mohuar se uji ishte në nivelin e paraqitjes së rrezikut për automjetet.

“Ngasësit janë sugjeruar nga policia, që të i drejtojnë automjetet me kujdes dhe me shpejtësi të ngadalësuar. Kjo është bërë për arsye të mos bllokohet tërësisht komunikacioni dhe duke pasur parasysh nivelin e ujit i cili ende ka qenë në nivelin e mosshkaktimit të ndonjë dëmtimi për automjetet,” thuhet në prgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës.

Blerim Asllani tregon se duke lëvizur ngadalë në ato kushte të rënduara atmosferike, kur e pa ujin refuzoi të hyjë, por policët që rregullonin komunikacionin i thanë se makina nuk do t’i dëmtohej.

“Kur e pashë ujin nuk deshta me hy në ujë, polici më tha hyn se është dizel nuk prish punë për makinën, edhe kur hyna më mbet makina në ujë. Nuk kam pasë zgjidhje tjetër, se kam qenë në shiritin ndihmës dhe nuk kam pasë mundësi të kthehem mbrapa fare,” sqaron Asllani.

Policia mohon se detyroi shoferët të lëvizin me çdo kusht me makina nëpër ujë.

“Por ky sugjerim nga policia nuk ka qenë urdhër obligativ , ngase ata që kanë dashur të ndalen apo kthehen, janë kthyer duke vlerësuar gjendjen e automjeteve të tyre,” vijon përgjigjen Zyra për informim e Policisë.

Blerim Asllani vlerëson mbi 2 mijë euro dëmet që iu bënë në veturë pas vozitjes nëpër ujë. Thotë se nga depërtimi i ujit i është prishur motori dhe komplet instalimi i rrymës.

“Dëmi mu ka bo 2 mijë euro vetëm motorin që e kam ndërru, kurse dy dritat kushtojnë 260 euro, plus kasetofoni që 300 euro kushton i vjetër, ndërsa 500 kushton i ri, nuk din njeri se çka me bo. Uji krejt mrena ka hy në atë moment kur ka ndodhë rasti,” ankohet Asllani.

Policia thotë se fatkeqësitë natyrore janë gjëra të mundshme dhe nga reshjet e 6 shkurtit kanë pësuar edhe të tjerët.

“Duke ditur që reshjet e shumta kanë shkaktuar dëme dhe përmbytje nëpër disa rajone dhe kanë bllokuar shumë rrugë, gjithashtu siç e dini ka pasur pasoja edhe në njerëz.Në raste të tilla kërkohet mobilizim i të gjitha institucioneve relevante, … ndërsa qytetarit nga Prizreni ne i shprehim keqardhje për dëmin që i është shkaktuar në automjetin e tij,” sqaron Zyra për Informim e Policisë.

Pronari i makinës së dëmtuar thotë se ka kërkuar nga policët në vendin e ngjarjes që të shkojnë bashkë me të në polici për të dëshmuar rreth dëmit që i është shkaktuar, por pasi policët nuk kanë pranuar, vetë i është drejtuar policisë.

“Shkova në Prishtinë te policia e Prishtinës ata nuk më dhanë përgjigje, shkova te e Fushë Kosovës ata s’më dhanë përgjigje, shkova te policia dhe komuna e Graçanicës edhe ata më thanë po na vjen keq. Unë lypsha të ma paguajnë makinën se na për këtë punë jemi tu i dhënë paret për rrugë, e për cdo send. Kur ta bën regjistrimin bëhet pagesa edhe për rrugë edhe rruga duhet ta marrë përgjegjësinë,” tregon pë ankesat që bëri Blerim Asllani.

KALLXO.com-i kontaktoi edhe Komunën e Prishtinës për këtë rast. Xhevdet Pozhari nga Kabineti i Kryetarit të Komunës së Prishtinës tha se vendi ku ka ndodhur rasti është pjesë e Komunës së Graçanicës.

“Kufiri administrativ është te rrethi në Çagllavicë. Ndërsa magjistralet janë përgjegjësi të nivelit qendror. Ajo pjesë i takon Komunës së Graçanicës,” tha Pozhari.

Ndërsa komuna e Graçanices nuk ktheu fare përgjigje.

Blerim Asllani paralajmëroi se do ta kërkojë deri në fund të drejtën e tij për kompensim dëmi.

“Kërkesa jeme është që t’ma kompensojnë mallin, dëmin që më është bërë në makinë, ja policia le të ma paguan, ja komuna, përndryshe do ta bëj një padi private edhe qeshtu do të shkojë…” flet për hapat e ardhshëm pronari i “BMV-së së dëmtuar./kallxo.com/

Më Shumë

Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e...

SBAShK-u proteston të mërkurën

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), do të protesojë të mërkurën. Tubimi i protestuesve do të bëhet nga ora 10...

Lajmet e Fundit