26.6 C
Prizren
E hënë, 28 Korrik, 2025

Lubizhda kërkon rrugë dhe uji

Lubizhda e Prizrenit një nga problemet më madhore e ka mungesën e ujit të pijshëm. Atje janë mbi 6.500 banorë, të cilët po përballen me këtë problem jetik. Banori Refki Alija shprehet se problem kryesor është mungesa e ujit të pijshëm. Sipas tij, edhe papunësia është tejet e madhe.

“Mund të them se mbi 90 për qind e të rinjve të këtij fshati janë të papunë”, shprehet Alija. Sipas tij, shumë prej të rinjve po mësyjnë Perëndimin në kërkim të një jete më të mirë. Islam Xhaferi, kryetari i fshatit Lubizhdë, tregon se ky është fshati më i afërm i Prizrenit, por problemet janë të shumanshme.

“Banorët kanë një varg kërkesash, por unë mendoj se janë tri kërkesa prioritare, që fshati ka nevojë emergjente. Së pari, kërkohet rregullimi i rrugëve të fshatit, që tashmë janë të dëmtuara shumë, pastaj shtimi i sasisë së ujit të pijshëm dhe pastaj është zgjidhje e çështjes së uzurpimeve”, thotë Xhaferi. Mësimdhënësi Islam Xhaferi pohon se banorët e këtij fshati janë në hall nga veprimet e uzurpatorëve. “Dikur fshati kishte pesë rrugë me dalje në magjistralen Prizren -Therandë. Tash nga ato pesë rrugë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Përgjysmohet edhe numri i nxënësve

Xhaferi shprehet se sfidë është edhe papunësia e madhe dhe braktisja e fshatit. “Numri i atyre që janë larguar kohëve të fundit arrin rreth dy mijë banorë”, shprehet Xhaferi. Ai thotë se nga 800 shtëpi sa ka fshati, gjysma e tyre tashmë janë të mbyllura. “Ky tashmë është bërë shqetësim edhe për funksionimin e shkollës, sepse numri i nxënësve po shënon rënie drastike”, tregon Xhaferi. Edhe banori Emrush Vehapi shprehet se është bërë i vështirë sigurimi i jetesës në fshat. “Nga toka e këtij fshati dikur këtu prodhohej jo vetëm bukë e bollshme, por ka pasur edhe zhvillim të blegtorisë, por tash nuk është më si dikur”, shprehet Vehapi. “Mjerisht, shumica e banorëve të këtij fshati po marrin rrugën e kurbetit”, shprehet Vehapi, duke shtuar se ka disa projekte që tanimë janë dedikuar për kthimin e banorëve në vendlindje, por, sipas tij, vështirë se do të ndalet ikja nga Kosova.

Pa përkujdesje mjekësore

Banorët pohojnë se u mungon edhe përkujdesja mjekësore. Ata ankohen për mungesë të mjekut të përhershëm. Për këtë problem, Dr. Zyber Rizanaj, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, shprehet se në fshat kanë angazhuar mjekun që punon kohë pas kohe, pastaj motrat medicinale, por, sipas tij, ka limite ligjore dhe nuk mund të bëhet më shumë, pasi duhet së paku 10 mijë banorë për të pasur të drejtë të kenë qendër shëndetësore. Edhe shkolla e fshatit përballet me mungesa esenciale. Drejtuesit e shkollës “Ekrem Rexha” pohojnë se ende u mungojnë disa nga gjërat elementare. Mësimdhënësit e kësaj vatre shkollore pohojnë se shkolla ka kushte tashmë solide për punë.

Apeli i kryetarit për Komunën

Banorët ankohen shumë në prishjen e rrugëve që është bërë nga moti i keq. Po ashtu, vërejtje ka edhe për rrjetin e energjisë elektrike. “Askujt nuk i shkon në mendje për rrezikun që mund t’u vije nga telat që janë zvarrë nëpër rrugë”, shprehet Xhaferi. Të rinjtë thonë se problem i fshatit tani më është bërë edhe tregu i automjeteve që është vendosur përballë rrugës kryesore. Kryetari Xhaferi kërkon intervenim të pushtetit lokal, gjegjësisht nga Kadastra, sepse të gjitha rrugët pohon se po uzurpohen. “Duhet të dalin inspektorët e Kadastrës dhe të shohin realitetin që secila shtëpi apo mur që po ndërtohet në këtë fshat po bën nga pak uzurpime, prandaj unë apeloj që të dalin në terren Kadastra dhe të shohin realitetin e këtyre uzurpimeve”, tha ai.

Më Shumë

Zjarr edhe në Nashec të Prizrenit

Sot është raportuar për disa raste të zjarreve në Rajonin e Prizrenit. Këtë herë flakët kanë kapluar një pjesë të fshatit Nashec, më saktësisht rrugën...

“Hidroregjioni Jugor” investon në dy eskavatorë për përmirësimin e shërbimeve në Malishevë dhe Dragash

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës operative, duke siguruar dy eskavatorë të rinj...

Lajmet e Fundit