16.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Lufta mes KGB-së dhe muzikës rok

Në vitet ’60, si rebelim ndaj burokracisë së Brezhnjevit, në BRSS po lëshonte farë një mënyrë alternative e shprehjes së pakënaqësisë. Nuk e pati vetëm Perëndimi revoltën e një brezi të rinjsh më 1968. Nuk e pati vetëm Kina Revolucionin Kulturor në vitet ’60. Një revolucionarizim i brendshëm – kësaj radhe nga masat dhe te masat – po ngjante edhe në BRSS. Grupe të rinjsh, të prirë kah liberalizimi i jetës në vend, apo të deziluzionuar nga burokracia që së brendshmi po e ngufaste Revolucionin, në vitet ’60 filluan që përmes muzikës rok dhe punk të mblidheshin fshehtazi për të bërë muzikë, përmes të cilës shfrynin dufin rinor.

Shumë të rinj s’po i shihnin asgjëkund premtimet e mëdha të Revolucionit Bolshevik, ndonëse nuk duhet mohuar një pjesë e arritjeve gjatë 30-40 viteve të para, megjithëse me kosto të lartë njerëzore. Me ardhjen në pushtet të Brezhnjevit nisën edhe interpretimet e para të rok-bendeve. Nën mbikëqyrjen e KGB-së, ata interpretonin në bodrume dhe garazhe. Koncertet rok ishin ndaluar dhe quheshin mbledhje ilegale. Shumë të rinj mu për këtë arsye u dëbuan nga universitetet. Kështu vazhdoi gjer me ardhjen në pushtet të Gorbaçovit.

Rok-bendet e famshme

Kulmi i muzikës rok underground në BRSS arriti pikun në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80, kur edhe u shquan rok-bendet më të popullarizuara: “Akvarium”, “Agata Kristi”, “Kino”, “Aria”, “Alisa”, “Nautilus Pompilius”, “Piknik”, “Zoopark”, DDT, etj. Përmes rrymave punk e post-punk, sinkretizuar edhe me zhanret alternative dhe grunge, grupet e rinisë u munduan të gjallërojnë një mënyrë tjetër jetese prej asaj që ia kishte imponuar regjimi. Ata sollën “Sex Pistols”-at në BRSS, siç shprehet një nga rokerët e asaj kohe – sollën shpirtin e rebelimit të 1968-s, sollën kërkesën për revolucionarizim permanent të jetës në shoqërinë socialiste.

Fillimisht, rrymat e rokerëve të rinj sovjetikë nisën në qendrat më të largëta, kryesisht në tri republikat baltike që ishin më afër Perëndimit dhe në republikat kaukaze, në Gjeorgji dhe Armeni, sepse Moska dhe Leningradi mbaheshin më rreptë nën survejimin e KGB-së.

Edhe pse “Melodiya” (shtëpia shtetërore diskografike) refuzonte produksionin e këtyre këngëve dhe mediat shtetërore nuk i emetonin, ato shpejt u bënë hite pikërisht duke u bartur ndër të rinj përmes koncerteve të improvizuara nëpër garazhe. Një mënyrë tjetër e riprodhimit të këngëve rok të kësaj kohe ishin edhe të ashtuquajturat “magnitizdat” – studio private klandestine.

Ndonëse roku hasi në rezistencë të fortë prej shtetit, rrymat tjera muzikore të ardhura nga Perëndimi kishin depërtuar më me lehtësi. Kështu, muzika xhaz ishte mjaft e popullarizuar në BRSS, e ardhur për herë të parë në fillim të viteve ’20. Madje më 1937 qe formuar edhe Orkestra Shtetërore e Xhazit, teksa po plakej e po bëhej më paranojak, diktatori Stalin më 1949 urdhëroi mbylljen e kësaj orkestre. Njashtu edhe muzika pop gjeti përkrahës të shumtë në masa dhe nuk hasi në pengesa nga shteti në vitet ’70 me Lev Shevçenkon, Edita Pekhan apo Valeri Leontevin që u kthyen në yje.

Muzika rok në BRSS hyri sidomos pas Festivalit XVII Ndërkombëtar të Rinisë dhe Studentëve që u mbajt në Moskë më 1957. Shumë këngëtarë xhazi e roku, poetë e artistë antikonformistë dhe të rinj me prirje rebele të ardhur prej anekënd botës, përmes kontaktit me rininë sovjetike, përçuan frymën e mospajtimit me sistemin. Rok-bendi i parë në BRSS u themelua në Riga të Letonisë më 1961 dhe quhej “Hakmarrësit” si shënjues i mospajtimit me rrjedhën kah po shkonte vendi, kurse festivali i parë i rokut, “Ritmet e pranverës”, u organizua në Tbilisi më 1980. Duke parë rritjen e popullaritetit të kësaj rryme, në fund të viteve ’80, “Melodiya” u detyrua të pranonte incizimin e këngëve të tyre, por tashmë shumë prej rok-bendeve e refuzuan, duke e parë këtë si instrument kontrolli.

Në vitet ’80 epiqendra e rok-bendeve sovjetike u zhvendos në Leningrad. Më 1984 u formua “Kino” që menjëherë u kthye në kult-bend, më 1983 u formua “Alisa” që bëri emër falë talentit të vokalistit Aleksandër Kinçev, kurse më 1980 u themelua “Zoopark”. Por shumë bende dolën edhe nga provincat, si p.sh. DDT-ja nga Republika Bashkire, “Nautilus Pomplius” dhe “Agata Kristi” nga Sverdlovsku, etj.

Tekste me mesazh liridashës

Tekstet e këtij brezi rokerësh përqasin realitetin e zvetënuar sovjetik të kohës. P.sh., kur “Akvarium” te kënga “Muzika e argjendit flet” thotë “kemi pritur kaq gjatë e çfarë mund të jetë më budallaqe sesa pritja?!”, shohim se ky brez i ri sovjetik është lodhur duke pritur ditë më të mira, gjersa utopia socialiste po gërryhej prej vetë asaj që duhej të ishte pararoja, prej vetë Partisë.

“Alisa” te “Dielli po agon” nis trishtueshëm përshkrimin e nuancave të jetës: “Jemi rritur nga hiri i fitoreve të mëdha; jemi pagëzuar nga ylli, por jemi rritur në regjimin e zeros” – duke dëshmuar kotësinë e proklamimit të fitoreve të mëdha përballë humbjes së betejave të vogla, përballë dështimit në sigurimin e një jete më të mirë.

Kësisoj te historia e rok-bendeve sovjetike mund të shohim pasqyrimin e dështimit të një utopie. Përmes teksteve të këngëve të kësaj epoke dallojmë zërin e pakënaqur të rinisë sovjetike. Këto grupe ishin rebelim ndaj mospërmbushjes së idesë së revolucionit dhe përvetësuan idealet e tij: lirinë, drejtësinë, barazinë. Ato u kthyen kundër Partisë Komuniste që pretendonte se ishte mishërim i idesë. Idetë socialiste të partisë, të vyshkura nga partia e burokratizuar po merreshin mbrapsht prej masave. Partia Komuniste ishte shndërruar në burokraci, Sekretari i partisë në diktator dhe shteti socialist në polici sekrete.

Në BRSS reagimi ndaj mykjes së sistemit u shpreh përmes teksteve therëse të këngëve të rinisë që nuk e mohoi idenë, por kundërshtoi ata që pretendonin se e bartnin akoma atë. Pra, në vitet ’80 revolucionare e vërtetë Partia Bolshevike, por rinia që kërkonte një jetë më të mirë, liri dhe barazi. Njësoj ishte edhe në Shqipëri e Jugosllavi.

“Rojtari vazhdon të flejë, por ëndrra e tyre ashiqare është thyer”. Kështu mbyllet “Dielli po agon” i bendit “Alisa”. Rojtarët vazhdojnë ta ruajnë ëndrrën, por ajo është prishur tashmë. /Zëri/

Më Shumë

Malishevë: Dyshohet se vazhdimisht ushtroi dhunë psikike dhe tentoi ta rrah nënën, arrestohet

Është arrestuar një mashkull në Malishevë, pasi dyshohet se vazhdimisht ka ushtruar dhunë psikike, si dhe ka tentuar ta sulmonte fizikisht nënën e tij. Policia...

Aktori i njohur i humorit pranon Islamin?

Rezart Veleshnja, një ndër aktorët më të njohur të humorit, afirmuar e bërë emër në Portokalli, për të vijuar më pas në performanca të tjera...

Lajmet e Fundit