20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Marjan Dema: Fëmijët e dëshmorëve do të pranohen në UP

U zotua se do të jetë Rektori i cili do t`i sjellë ndryshime Universitetit të Prishtinës.  Madje ai e konsideron vetën “Lokomotivë të ndryshimeve në  UP”.

I pari i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, duket se punën  do ta nisë me shfuqizimin e vendimeve të ish rektorit Ramadan Zejnullahu.

Në një intervistë për Gazetën Fjala ai tregon se gjatë këtij viti të gjithë fëmijët e dëshmorëve do të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës dhe se ata nuk do të mbesin jashtë UP-së, siç pati vendosur Zejnullahu.

“…do të bëjë çmos që mos ti lë jashtë universitetit. Garantoj që nëse do ta kem hapësirën më të vogël do ti pranoj ata. Ajo kategori e meriton që të jetë pjesë e UP-së. Por të jemi të qartë  këta fëmijë nuk do të mund të hyjnë në ato fakultete ku është konkurrenca shumë e madhe. Fëmijët e dëshmorëve nuk do të mbesin jashtë UP-së”, thotë Dema.

Rektori i ri i UP-së, për Gazetën Fjala shpalosë planet e tij për zhvillimin e Universitetit, sfidat, flet për zërat se ai vie nga politika, punimet e tija të akuzuara për plagjiaturë.

“Zero tolerancë ndaj keqpërdorimeve,  bashkëpunim me të gjithë ata që i adresohen rektorit të ri, zbatimi i Statutit të Ligjit për Arsimin e Lartë, transparencë”, janë disa nga premtimet e Demës.

Gazeta Fjala: A e keni kompletuar stafin tuaj ?

Marjan Dema: Jemi në proces të kompletimit të stafit, besoj që deri ka fundi i kësaj jave edhe do ta kemi komplet stafin e gatshëm.

Dekanët e Fakulteteve do të jenë ata të cilët do të ma propozojnë stafin. Unë vetëm i kam vu kriteret. Ato kanë qenë një gjithë përfshirje që do të thotë nuk do të ketë prorektor prej një anëtari që është në Këshill Drejtues. Nuk do të ketë prorektor që dyfishohet, nuk do të ketë  protektor që vinë nga politika, nuk do të ketë njerëz që janë sjellë në universitet, këshille  drejtuese e të tilla. Unë nuk kam asnjë preferencë nga politika për t’i emëruar prorektorët. Në ekipin tim nuk është as edhe një mik i imi, të gjithëve ju kam thënë jo.

Ndërkaq këta janë emrat e prorektorëve të cilët do t’i përcillen për votim Këshillit Drejtues të UP-së.

Naser Sahiti, prorektor për mësimdhënie, Mryrvete Badiviku prorektore për financa, Afrim Hoti prorektor për marrëdhënie ndërkombëtare, Teuta Pustina- Krasniqi prorektore për cilësi, dhe Faton Berisha, prorektor për shkencë, janë emrat e propozuar nga Rektori Dema.
Gazeta Fjala: Çfarë do të bëni ju më ndryshe se sa rektorët e kaluar?

Marjan Dema: Do të bëjë shumëçka ndryshe. Fillimisht nuk do të merrem me individ.  Do të jem i hapur për të gjithë, kushdo që dëshiron bashkëpunim unë do të jem i hapur për të. E dyta, do të jemi shumë rigoroz në  zbatimin e statutit të Ligjit për arsimin e lartë, gjithmonë në harmoni me agjendën evropiane  në arsimin e lartë. Transparencën  të cilën nuk e ka implementuar askush do ta implementojmë ne. Do ta bëjmë avancimin e të gjitha fushave në veçanti për fushat ku kemi ngecje, në hulumtime shkencore në zbatimin e anës teorike në praktikë. Do të ketë punë praktike të studentëve. Nuk do të ketë pyetje e cila nuk do të ketë përgjigje. Për shumë gjëra do të dalloj nga të tjerët. Universiteti i Prishtinës në kohën time do të jetë lokomotivë e ndryshimeve.

Gazeta Fjala: Cila janë nevojat e Universitetit të Prishtinës?

Marjan Dema: Aktualisht unë i kam dhënë disa prioritete. Do të ketë zero tolerancë  ndaj mbajtjes së mësimit. Jam në proces të një sistemi elektronik një softueri. Kemi nevojë për laboratorë, hulumtimet shkencore do të jenë në fokusin tonë, rritja e hapësirave, shfrytëzimi i hapësirave në mënyrë racionale.  Ne të gjithë e dimë se në UP ka munguar bashkëpunimi. Andaj unë po mundohem që ti vë hallkat e bashkëpunimit, komunikimin me bordin i cili nuk ka funksionuar, po ashtu me senatin e dekanatin. Transparenca do të jetë në rendë të parë. Mendoj që ajo do ta rrisë cilësinë.

Gazeta Fjala: A do ti ndryshoni kriteret për pranim në UP për fëmijët e kategorive të dala nga lufta?

Marjan Dema: Fëmijët e dëshmorëve, jo të kategorive të tjera  do të bëjë çmos që mos ti lë jashtë universitetit. Garantoj që nëse do ta kem hapësirën më të vogël do ti pranoj ata. Ajo kategori e meriton që të jetë pjesë e UP-së. Por të jemi të qartë  këta fëmijë nuk do të mund të hyjnë në ato fakultete ku është konkurrenca shumë e madhe. Fëmijët e dëshmorëve nuk do të mbesin jashtë UP-së.

Gazeta Fjala: Pse duhet që politikanët të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, a po e politizojnë ata UP-në?

Marjan Dema: Këtu ka një keqkuptim. Me një udhëzim  administrativ, kryeministri, ministrat kategoria profesorëve që janë të emëruara kanë të drejtë në punë sekondare e cila paguhet 50 për qind. Unë sërish po e them se në Universitetin e Prishtinës nuk do të ndërhyjë politika.

A jeni ju njëri ndër rektorët e politizuar?

Marjan Dema: Po e cek një herë e  përgjithmonë, unë nuk vi nga politika. Unë vi nga shoqëria civile. Nëntë muaj kam qenë në politikë, e ata nëntë muaj duan të mi keqpërdorin. Unë që tetë vite jam në shoqërinë civile. Politika nuk më ka sjellë mua në krye të UP-së. Unë jam karakter i fortë.  Për pozitën e rektorit kam aplikuar pesë ditë para se të përfundoj konkursi. Kam pasur dëshirë vetëm që të skenohem dhe të gjithë të hulumtojnë mbi punën time. Unë kam lënë fëmijët, familjen në Amerikë e kam ardh mi i ndihmua këtij vendi. Kam pasur një jetë të qetë e të mirë, por nevoja shpirtërore ka bërë që unë të aplikoj për këtë pozitë.

Gazeta Fjala: Profesorët shpesh-herë akuzohen për plagjiaturë, a do t’i hetoni ju gjatë mandatit tuaj këta profesorë?

Marjan Dem: Problemi i plagjiaturës është një problem global, jo vetëm tek ne. Unë do të përpiqem që maksimalisht ta minimizoj këtë dukuri. Do të insistoj që ta kemi një program softverik në kuadër të universitetit i cili i krahason punimet e profesorëve. Për krimet akademike do të merret gjykata.

Gazeta Fjala: Njëri nga të akuzuarit për plagjiaturë jeni dhe ju, sa janë të vërteta këto deklarata?

 Marjan Dema:  Të gjithë ata që kanë dyshime lidhur me këtë gjë ta thonë haptas . Punimi është publik, le ta marrin e ta shikojnë. Revista nuk është e rrejshme. Unë kam doktoru para të gjithëve. Është punimi, le ta marrin matematikantët, ta shohin a ka vlerë.

Gazeta Fjala: Cilat janë masat që do ti ndërmerrni për ti ndal publikimet në revista të rrejshme?

Marjan Dema: Unë do të kërkoj nga të gjitha fakultete e Universitetit të Prishtinës që të hartojnë një listë me emrat e revistave të cilat ku mund të botojnë punime shkencore. Secili fakultet do ta sjellë listën dhe në bazë të saj do të bëhen publikimet.

Gazeta Fjala: Sa punime të diplomave i keni nënshkruar prej që keni marrë mandatin e rektorit  të UP-së?

Marjan Dema: Të gjitha diplomat janë nënshkruar. Asnjë nuk ka pritur. /Gazeta Fjala/

Më Shumë

Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” për 9 muaj

Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes...

Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit