24.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Matrioshka


LEONARD DEMI

Rajoni ynë i turbulluar ngërthen ende tensione të mëdha. Vizita e Presidentit të Rusisë në Beograd më 17 janar 2019, dëshmoi edhe njëherë tjetër se Ballkani Perëndimor (BP) rrezikon të kthehet në një pikë strategjike zjarri, në të cilën Rusia kërkon të rikonkurrojë për influencë.

Vendet perëndimore dhe Bashkimi Europian (BE) kanë shprehur shqetësim për ndërhyrjen e Rusisë në rajon, pasi potencialisht rrezikon gjithë kontinentin europian me dhunë të re dhe e ekspozon ndaj krimit të organizuar dhe emigrimit masiv të pakontrolluar.

Rusia kërkon të ndezë gjithë Ballkanin me një plan kryekëput të rrezikshëm, për të ndryshuar kufijtë midis Serbisë dhe Kosovës. Kremilini po shfrytëzon vështirësitë me të cilat përballet sot BE-ja për të mënjanuar vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga fushata e Rusisë për të destabilizuar krahun lindor të Europës: nga Vendet Baltike deri në Ballkan me qëllim që të pengojë zgjerimin NATO-s dhe BE-së në këto territore evropiane, që Rusia vazhdon t’i konsiderojë si sferën e vet të influencës.

Ky është motivi kryesor i politikës ruse nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin: të përçajë institucionet perëndimore politike dhe të sigurisë, të dëmtojë NATO-n dhe të dobësojë BE-në. Me një NATO dhe BE të dobët, Putini do të kishte më shumë liri të sillej ashtu siç dëshiron, të kthejë Rusinë në një kundërpeshë ndaj Europës dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA).

KOSOVË

Çështja kryesore që u diskutua midis Vuçiç dhe Putin gjatë vizitës të 17 janarit ishte marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në Kosovë, Rusia mbështet një plan të mbarsur me një të keqe të madhe, që ndryshon pjesë të kufirit me Serbinë me shkëmbim territoresh dhe për Kremlinin zgjidhja përfundimtare bazohet në Rezolutën 1244, e cila ndalon Republikën e Kosovës të ketë Forcat e veta të Armatosura.

Kjo “zgjidhje” e rrezikshme ngërthen disa probleme me pasoja të mëdha: (i) nxit një kundërshtim dhe pështjellim të madh popullor, së pari në Kosovë, si dhe në të gjithë vendet ku banojnë shqiptarët; (ii) shqetësim në rritje në shumë vende të komunitetit euroatlantik; (iii) krijon një precedent, që mund të shkatërrojë stabilitetin dhe marrëdhëniet paqësore rajonale dhe (iv) që mund të degjenerojnë në atë shkallë sa të provokojë një përballje të re, (v) e mund të shkatërrojë të gjithë procesin integrues euroatlantik të BP. Nga ana tjetër, do t’i jepte Rusisë mundësinë (vi) të legjitimonte ndarjen e Krimesë nga Ukraina, si dhe (vii) të përfitonte nga konfliktet e ngrira, grindjet kufitare, nga turbullirat apo paqëndrueshmëritë rajonale jo vetëm në Abkhazi apo Osetinë Jugore, por edhe në ato vende ku Rusia ka interesa të gjera apo ku dëshiron të nxitë një Luftë të Ftohtë me mjete të tjera.

Deklarata e Presidentit të Serbisë në krah të z. Putin, se nuk pret që të ketë ndonjë zgjidhje shpejt: “Nuk e shikoj tani për tani”, do të thotë se në Kosovë z. Putin mund t’i interesojë më shumë konflikti i ngrirë.

Z. Putin dhe Vuçiç duhet ta dinë se harta e Europës nuk mund të rinegociohet nga ndërhyrjet e Rusisë, edhe pse konfliktet rajonale dhe paqëndrueshmëritë mund t’i shkojnë për shtat Kremlinit.

SERBI

Vizita pompoze e Presidentit rus në Beograd (më 17 janar), e mbushur me simbolizëm, që arriti kufijtë e heroikes, kishte si mesazh kryesor pretendimin dhe angazhimin e Federatës Ruse (FR) për influencë në BP, në një rajon që po përpiqet të integrohet në institucionet euroatlantike: në NATO dhe në BE.

Në krye të herës, ai akuzoi SHBA-të dhe vendet e tjera Perëndimore se po “destabilizojnë” Ballkanin; se janë përpjekur të sigurojnë dominim në Ballkan duke absorbuar Malin e Zi në NATO dhe duke kërkuar të futin në Aleancën Perëndimore edhe Maqedoninë, nëpërmjet një votimi parlamentar të detyruar nga jashtë. Putini pretendon se BEja është duke e detyruar Serbinë të bëjë një “zgjedhje artificiale” midis Moskës dhe Perëndimit.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij “Patia Progresive e Serbisë” kanë si përparësi politike marrëdhëniet shumë të ngushta me Moskën, edhe pse Serbia ka nisur një udhëtim perëndimor. Kështu, Presidenti Vuçiç në njërën anë flirton me Europën, ndërsa në tjetrën përpiqet të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën.

Gjatë kësaj vizite, Serbia dhe Rusia nënshkruan rreth 21 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi, kryesisht në infrastrukturë, energji, teknologji të reja dhe mbrojtje. Presidenti rus pret që në fund të vitit Serbia të nënshkruajë një marrëveshje me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), një bashkim politik dhe ekonomik në të cilin bëjnë pjesë Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe Armenia. Shtojmë se Lukoil rus është ndërmjet 20 kompanive më të mëdha të vendit, me një rrjet prej rreth 140 pikash karburanti, që po planifikon të ndërtojë edhe një rafineri të re.

Komisioni Europian kujtoi Serbinë se ajo mund të nënshkruajë marrëveshje me vende dhe organizata të tjera deri në ditën që do të bëhet anëtare e BE-së. Pas kësaj date, të gjitha politikat e vendit duhet të harmonizohen me ato të BE-së sipas kapitullit 31.

Vuçiç, i ulur në dy karrige, po luan një lojë të rrezikshme në kufi të legjitimitetit të pushtetit të vet arrogant, duke shkelur një rrugë që shumë të tjerë i ka çuar në shkatërrim politik. Ai rikërkon mbështetjen e Putinit (i) të shtypë opozitën, (ii) të anashkalojë pakënaqësinë popullore dhe (iii) të heqë dorë nga angazhimi europian për të zgjidhur përfundimisht marrëdhëniet me Kosovën.

Me këtë vizitë, Putini mbështeti personalisht Vuçiçin dhe qeverinë e tij, gjë që nuk e ka bërë në asnjë rast më parë, duke shpresuar se Vuçiçi mund ta rivendosë legjitimitetin e tij të dëmtuar brenda vendit, edhe pse mund të rrezikojë legjitimitetin e tij ndërkombëtar. A do të ketë sukses Presidenti serb? Për një kohë të shkurtër, mbase po, sepse këto marrëdhënie ndihmojnë z. Vuçiç të kundërshtojë apo të debatojë politikat, të cilat e sjellin Serbinë më afër anëtarësimit në BE.

Më 2012, Rusia ka ngritur në Niš një qendër “humanitare” ruso-serbe, në dukje për të ndihmuar Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit në rast fatkeqësish.

Zyrtarë të lartë në Bruksel, zyrtarë perëndimorë, si dhe shumë agjenci inteligjence perëndimore besojnë se aktiviteti humanitar i kësaj qendre është periferik, minimal, ndërsa qëllimi kryesor i saj është më kërcënues. Kjo qendër mund të kthehet në një qendër klandestine për të trafikuar armatime dhe spiunë rusë në të gjithë rajonin (për operacione si ai i tetorit 2016 në Mal të Zi), pasi ajo ngrihet pranë një ish-baze ushtarake ajrore ku mund të ulen avionë të mëdhenj ushtarakë dhe ndodhet pranë kufirit të Serbisë me Maqedoninë, Bullgarinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Zyrtarët rusë e kanë mohuar një gjë të tillë dhe i kanë kërkuar qeverisë serbe t’i japë qendrës dhe personelit të saj statusin diplomatik, në mënyrë që ngarkesat dhe personeli të mund të lëvizin pa u kontrolluar. Mendohet, gjithashtu, se ministri i Jashtëm rus, z. Sergei Lavrov, të ketë ushtruar trysni për këtë status edhe gjatë vizitës së Putinit.

BOSNJË

Rusia ka qenë vazhdimisht investitori më i madh në Republika Srpska (RS) që nga viti 2005: supermarkete, bankë në Banja Luka dhe kontrollon dy rafineri. Në vitin 2016, investimet direkte ruse arritën $547 milionë.

Ish-Presidenti i RS, Milorad Dodik ,(nëntor 2010-nëntor 2018), tani kryetar i Presidencës së Federatës të Bosnjë-Hercegovinës (FBH), ka krijuar lidhje të forta me Rusinë, të cilat konsiderohen si një nga sukseset e mëdha të Putinit në Ballkan.

Dodik erdhi në pushtet me përkrahje perëndimore, ku spikat ajo gjermane, me synimin se ai do të punonte të transformonte FBH për ta integruar në BE dhe në NATO. Por, nuk ndodhi kështu. Ai ka qenë promotori për ndarjen e RS nga FBH dhe i aftë të siguronte përkrahjen e Putinit, të cilën mundi ta riforcojë gjatë vizitës së kreut të Kremlinit në Beograd. Kështu, z. Dodik ka mundur të qëndrojë në pushtet se ka mundur të mbajë RS në gjendjen e një konflikti territorial të ngrirë me ndihmën e Serbisë dhe të Rusisë. Po kështu, disa muaj më parë, më 17 shtator 2018, pranë Banja Lukës, në prani të klerit ortodoks, zyrtarëve nga Kremlini dhe liderve serbë të Bosnjës, u hodhën themelet e një kishe të re ortodokse ruse për nder të Carit Nikolla i II dhe i një qendre kulturore (shërbesat në kishë do të kryhen nga priftërinj serbë dhe rusë). Të dy institucionet, kisha dhe qendra kulturore, po shikohen si simbole të ‘soft power’-it të Rusisë. Shënojmë se shumë vëzhgues konstatojnë se Moska po përdor çdo mjet joushtarak të arsenalit të vet për të nxitur tensione ndërmjet serbëve dhe myslimanëve në Serbi dhe në Bosnjë.

Bashkëpunimi më i madh midis RS dhe Rusisë u përket forcave të sigurisë. Paqja e Dejtonit nuk e lejon RS të ketë njësi ushtarake, por RS ka Policinë e vet, që gëzon një bashkëpunim në rritje me Moskën, si: në mbledhjen e informacionit, kundërterrorizëm, luftën kundër krimit kibernitik dhe shkëmbim instruktorësh. Nën pretekstin e kundërterrorizmit, RS po forcon Policinë sikur të ishte repart ushtarak, shpesh edhe me ndihmën e Rusisë. Këtu po sjellim si shembull rastin kur Ministria e Brendshme e RS bleu 2500 armë me tytë të gjatë. Kjo armë është dhjetë herë më e fuqishme se armët që operon Policia e FBH. Ky veprim ka rritur shqetësimin mbi institucionet e qeverisë separatiste dhe thellimin e influencës ruse në RS, sepse këto armë u blenë vetëm disa javë para se të inaugurohej qendra e re e trajnimit (Zaluzani), në periferi të Banja Lukës.

Për këtë bazë, Rusia është angazhuar se do të sigurojë mbështetje të gjerë, që do tentonte të shndërronte Policinë në Forca Kombëtare të Sigurisë të RS. Shqetësimi bëhet ende më i madh nga ideja se këto armë dhe ekspertiza ruse mund të përdoren për të çuar më përpara qëllimin e ish-Presidentit Milorad Dodik për pavarësi të RS, që do të nxiste rrezikun e një lufte të re në rajon. Autoritetet e RS i kanë mohuar planet për të prurë instruktorë rusë në RS, si dhe aludimet e tjera.

Për dy dekada me radhë, BE ka investuar në FBH qindra milionë euro për të shëruar plagët e luftës, por, edhe pse është vend kandidat për në BE dhe NATO, propaganda e serbëve të saj trumbeton se Brukseli i ka harruar dhe se Rusia u qëndron gjithmonë pranë.

MALI I ZI

Pas përpjekjes të dështuar për grusht shteti në Mal të Zi (MZ), që sipas autoriteteve malazeze ishte financuar dhe organizuar nga burime të ndryshme të inteligjencës të Rusisë në bashkëpunim me disa parti opozitare malazeze dhe kishte si qëllim të pengonte anëtarësimin e vendit në NATO; vizita e Putinit në Beograd mund të interpretohet edhe si mbështetje për serbët, në kuptimin më të gjerë, sepse ai u takua edhe me liderët serbë të Malit të Zi, Abdrija Mandi? dhe Goran Danillovi?.

Zyrtarët perëndimorë, sidoqoftë, e konsiderojnë këtë ngjarje si një shenjë tjetër e vendosmërisë së Putinit për të përdorur një shumëllojshmëri mënyrash (soft dhe hard power) për të dobësuar qeveritë demokratike dhe të vërë në provë qëndrueshmërinë e perëndimit, duke zgjeruar zonën e influencës së Moskës.

MAQEDONI

Kremlini vazhdimisht ka mohuar të ketë ndërhyrë në Maqedoni, por memot e inteligjencës maqedonase kanë dokumentuar ryshfete, që u janë ofruar më shumë se një duzine politikanësh, organizatave nacionaliste, shoqatave kulturore, tellallëve të futbollit për të bërë propagandë, të provokojnë pakënaqësi dhe pështjellim kundër marrëveshjes për ndryshimin e emrit, që do t’i hapte rrugën për t’u anëtarësuar në NATO. Një zyrtar i përfshirë në hetime ka deklaruar se agjentë rusë u përpoqën t’u jepnin ryshfet priftërinjve ortodoksë me influencë dhe oficerëve të ushtrisë për të kundërshtuar marrëveshjen, e cila nxiti protesta masive në Greqi. Sidoqoftë, parlamentet e të dy vendeve e ratifikuan marrëveshjen e Prespës dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se Aleanca do të nënshkruajë Protokollin e Pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, më 6 shkurt 2019 (më hollësisht: “Shansi i vetëm”, gazeta “Panorama”, 26 shtator 2018).

EPILOG

Sot, po bëhet gjithnjë e mëse e qartë se dobësimi apo lëshimi i NATO-s do të ishte një katastrofë në politikën e jashtme euroatlantike, do të gërryente ndikimin amerikan në Europë dhe do të fuqizonte Vladimir Putin-in, i cili kërkon të dobësojë Aleancën për të rritur pushtetin dhe influencën e vet politike dhe ushtarake. Kësisoj, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA votoi, pothuajse, unanimisht (357-22) për të bllokuar çdo iniciativë për të lëshuar Aleancën.

Të gjitha përpjekjet e kohëve të fundit e kanë bërë NATO-n më të fortë, më të aftë për të ndërhyrë dhe më të angazhuar se më parë, që nga koha e Luftës së Ftohtë. Lidershipi amerikan e ka ndihmuar NATO-n të ngrihet në lartësinë e sfidave të krijuara nga agresiviteti i Rusisë dhe të ndërmarrë reforma që do ta forcojnë ende edhe më shumë gjatë viteve që do të vijnë. Numri i ushtarakëve amerikanë të dislokuar në Europë është rritur dhe ka arritur 65,545 trupa. Mbështetur në “Iniciativën e Shkurajimit Europian” (EDI), SHBA-të kanë rritur numrin e trupave me rotacion. Buxheti i këtij viti është dyfishuar: nga $ 3.4 miliardë në $ 6.5 miliardë dhe, pothuaj, gjysma e tij do të alokohet për pajisje ushtarake për një njësi të rangut të divizionit. Të gjitha këto masa flasin për një angazhim të vazhdueshëm dhe në rritje të Amerikës në NATO.

Aleanca po bëhet gjithmonë e më e pranishme në rajon: (i) BP ishte pjesë e rëndësishme në axhendën e takimit të Shefave të Shtabeve të vendeve të NATO-s në mes të janarit; (ii) më 21 janar, vizitoi Maqedoninë kreu i Inteligjencës dhe Sigurisë të NATO-s, ambasadori Arndt Freytag von Loringhoven; (iii) Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i SHBA, z. John R. Bolton, është në kontakt të vazhdueshëm me liderë të rajonit; (iv) pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO më 6 shkurt tregon se NATO është vigjilente ndaj ndërhyrjeve dhe kërcënimeve të pareshtura që i bëhen rajonit.

NATO dhe BE, në kohezion me njëritjetrin ende duhet të përpiqen të forcojnë forcat demokratike në të gjithë BP për të eliminuar përfundimisht efektet helmuese të disa liderëve, që kanë humbur prej kohësh legjitimitetin të drejtojnë vendet e tyre. Ky është një rast që as NATO, as BE, as SHBA nuk mund të çojnë dëm investimin e madh në sigurinë e Ballkanit.

Më Shumë

Prizren, deklarohen rreth fajësisë dy të akuzuarit për rastin e aksidentit fatal nga gara në autostradë

Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023...

Moti sot: I vranët dhe me intervale me shi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këtë të mërkure parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas IHMK-së,...

Lajmet e Fundit