13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Hamdi Jupe rrëfen takimet me Dritëroin: Replika me shkrimtarin e ri që e kishte sulmuar, pse e hoqi poezinë nga libri

Në dy vjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe poetit, gazetari dhe ish-deputeti, kthehet pas në kohë, atëherë kur njohu kryetarin e atëhershëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk munguan përplasjet, kritikat e dyanshme, veçse Dritëro Agolli dinte se si t’i bënte ato. Në kujtimet për Dritëroin, Jupe sjell ndër mend takimin në Peshkopi në vitin 1985, kur bora kishte shkaktuar mbyllje të rrugëve dhe vështirësi për popullatën; por edhe përballjen në zyrën e Dritëroit në vitin 1990, kur ky i fundit mbronte shkrimtarët, që ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve kishin jo pak halle, nuk kishin shtëpi apo i kishin bashkëshortet pa punë. Si një rast të rrallë përmend gazetari, qëndrimin e Dritëro Agollit ndaj një kritiku të ri, sipas tij “bukëshkalë”, të cilit i kishte kushtuar edhe një poezi të gjatë. Këtë të fundit ai e botoi në gazetën “Zëri i Popullit”, por nuk e përfshiu në vëllimin e tij poetik, që nxori më vonë. Dritëroi ia kishte dhënë mesazhin dhe nuk dëshironte që ky reagim i tij të mbetej përjetë në librari e biblioteka.

HAMDI JUPE

1. BORA KTHEHET NË DRITË

Në dëborën e madhe, një metër të trashë, të janarit të vitit 1985, Dritëro Agolli erdhi në Peshkopi bashkë me shkrimtarin Anastas Kondo. Nëpër qytet nuk lëviznin makinat. Jeta dukej sikur kishte ngrirë në vend. Në televizor jepeshin kronikat me helikopterët e ushtrisë, që shpërndanin ndihma ushqimore nëpër fshatrat e thella të izoluara të Veriut. Në Kukës kishin humbur jetën njerëz nga ortekët. Qumështi shpërndahej nëpër dyqane me traktor me zinxhirë. Isha mësues në gjimnazin e qytetit dhe po bëja vitin e nëntë atje. Ata erdhën me një makinë të lartë fuoristradë, prodhim rumun, e tipit “Aro”, me goma me zinxhirë. Se si erdhën dhe se si u shfaqën atje si lugetër, në mes të acarit, një djall e merrte vesh. Rruga Tiranë–Peshkopi në kohë të mirë kërkonte nja pesë orë. Ndërsa në kohë të keqe, mund të mbeteshe në vend, të paktën në nja pesë pika të rrezikshme. Kisha pasur rast ta provoja vetë këtë në dimër, duke mbetur i bllokuar deri në nëntë orë në autobusin e linjës. Por ata erdhën. Ardhja e tyre ishte një ngjarje e veçantë për qytetin e vogël të izoluar verior, jo vetëm se ishin shkrimtarë të njohur, por edhe për aktin që kishin bërë, duke çarë dëborën me zor, duke kaluar nëpër kiamet, me kokën në torbë, derisa kishin mbërritur atje. Një arsye më shumë për të marrë pjesë në një takim të posaçëm të organizuar me ta, në shtëpinë e kulturës së qytetit. Të dy ishin të veshur me xhupa të trashë, me këpucë me qafa, me kokore pellushi dhe me doreza leshi. Kuptohej se këto i kishin marrë borxh diku, sa për të ardhur në Dibër, sepse në Tiranë nuk mbaheshin veshje të tilla. Nuk mund të vije në Peshkopi në ato ditë i veshur si levend. Ata e dinin këtë, se ishin njerëz të bredhur edhe më parë në zona të tilla. Tek i shihje të veshur ashtu, të dukeshin si dy gjahtarë që kishin dalë për të gjuajtur thëllëza në dëborë. Mirëpo, nuk ishte kohë thëllëzash.

Dritero-Agolli

Duke qenë edhe ata të “udhëheqjes”, se ishin anëtarë të Komitetit Qendror dhe deputetë, u sistemuan për të fjetur te shtëpia e pritjes, vila e udhëheqjes në Peshkopi, se në hotel nuk kishte ngrohje, në temperaturë minus dhjetë gradë celsius të atyre ditëve. Por ata dolën shpejt andej dhe erdhën te Shtëpia e Kulturës. Salla e vogël ishte e ftohtë, megjithëse kishte ngrohje. Po kjo nuk i pengoi pjesëmarrësit të vinin. Ishte një takim i çlirët. Njerëzit flisnin lirshëm për kohën, për motin, për vështirësitë që kishte krijuar dimri, për letërsinë etj. Për këtë të fundit u fol më pak, se s’ishte koha për të. Nuk të linin këmborët e mëdha të dimrit të dëgjoheshin zilkat e vogla të letërsisë. Dritëroi, me atë të folurën e tij të ngadaltë dhe të thjeshtë, tha se “do të kalojë edhe kjo situatë e vështirë, bora do shkrijë dhe ne do kemi më shumë ujë në liqenet e hidrocentraleve tona. Dhe ky ujë do bëhet dritë”.

Atëherë ishin përfunduar të tre hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin dhe e gjitha kjo borë, një ditë do të përfundonte në basenet e tyre. Ky takim ishte si një zjarr i vogël që na ngrohte duart dhe shpirtin në mes të acarit. Ishte hera e parë që prekja dorën e tij, atë dorë, që kishte shkruar veprat letrare që u shpjegoja prej vitesh nxënësve në shkollë. Kur u ndamë, rrija e mendoja: Ç’e shtyu kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të nisej në pikë të acarit nga Tirana e ngrohtë e të vinte deri në Peshkopi, përmes akullit dhe rreziqeve të shumta? Ai mund të rrinte i qetë në Tiranë, në zyrën e tij, në katin e dytë të Lidhjes, të pinte një kafe të ngrohtë në klubin e saj, të takohej me shokët krijues, të jepte edhe ndonjë intervistë për televizionin shtetëror mbi situatën. Pastaj të kthehej në darkë në gjirin e ngrohtë të familjes etj. Dritëroi atëherë i kishte kaluar të pesëdhjetepestat, një moshë jo fort e re për aventura në kohë bore. Isha i bindur që ai nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga “lart” për të ardhur atje, se ai vetë ishte “lart”. Ishte vetëm “urdhri” i ndërgjegjes së tij prej shkrimtari, që i thoshte se duhet të ishte atje ku është ngjarja. Dhe ngjarja ato ditë ishte atje, në veri, ku bora dhe akulli kishin pllakosur gjithçka..

driteroagolli_0004

NË ZYRËN E KRYETARIT

Në majin e vitit 1990 isha në detyrën e redaktorit për letërsinë dhe artin në gazetën “Zëri i popullit”. E kërkonte puna të shkoja shpesh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Atje organizoheshin takime të shumta të krijuesve, “konsulta” siç quheshin atëherë, ku diskutoheshin probleme të aktualitetit, të zhvillimeve në vend etj.. Thuajse çdo ditë organizohej një takim i tillë. Në presidium, zakonisht ishte i ulur në kolltuk Dritëroi. Flitej për problemet ekonomike e shoqërore, për mungesat e ushqimeve bazë nëpër dyqane, për mungesën e lëndëve të para në ndërmarrje, për autobusët e vjetër të Tiranës etj., etj.. Folja “mungon” ishte fjala më e përdorur në ato diskutime. Vetëm për letërsinë dhe artin nuk flitej në ato konsulta të ndezura. Këto të dyja kishin dalë në plan të dytë apo të tretë. Kjo më habiste pak mua që kisha ardhur rishtazi në Tiranë. Në këto diskutime ngriheshin probleme dhe bëheshin kritika që i konsideroja disi të “forta” për atë kohë. Ishte koha e “mendimit ndryshe”, siç kishte filluar të quhej atëherë, koha kur lejohej “pluralizmi i mendimit”, term i shpikur së fundmi nga propaganda zyrtare, por jo edhe “pluralizmi politik”. Në Lindje kishte ndodhur përmbysja e madhe, ndërsa në Rumani ishte pushkatuar udhëheqësi Çaushesku.

Në Lidhjen e Shkrimtarëve ky “mendim ndryshe”, ishte në pararojë, në raport me mjedise të tjera. Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve ngjante kështu me Klubin “Petef” në Budapest, që mbante emrin e poetit të madh hungarez dhe ku në vitin 1956 zhvillohej veprimtari kundërrevolucionare” (sipas propagandës zyrtare këtu), që pastaj u shtyp me gjak. Pas pak javësh do të ndodhte edhe këtu eksodi i madh, me hyrjen në ambasadat e huaja të pesë mijë shqiptarëve. Gazeta “Drita” i pasqyronte ato diskutime në formën e kronikave të zgjeruara, ndërsa “Zëri i popullit” nuk i pasqyronte fare. Sidoqoftë, ato ishin shumë të vlefshme për mua që mbuloja letërsinë dhe artin në gazetë. Në një ditë të tillë, vendosa të shkoja ta takoja Dritëroin në zyrën e tij, pas përfundimit të “konsultës” në sallën e Lidhjes. Nuk kishte kuptim të mos takoja kryetarin e saj, kur mbuloja letërsinë dhe artin. Ai e dinte emrin tim prej artikujve që kisha botuar. Trokita në derë, duke u dridhur nga ndrojtja prej emrit të madh dhe dëgjova fjalën “hyr” nga brenda saj. Shtyva derën dhe u ndodha në zyrën e tij. Nuk kishte as paradhomë, as sekretare atje. Dritëroi ishte duke lexuar një material mbi tavolinën e punës. I thashë se kush isha e nga vija. Nuk isha njohur asnjëherë nga afër me të, përveçse në rastin kur ishim takuar në Peshkopi, pesë vjet më parë.

– Ooooo, ti je ai? ,– pyeti i habitur Dritëroi dhe më dha dorën – Ulu, ulu, – dhe më tregoi një karrige. Heshtje për disa çaste. Pastaj ai mori fjalën, pa më pyetur fare se përse kisha shkuar në zyrë. – I kam lexuar artikujt e tu në gazetë, – tha pa shumë hyrje e dalje të bisedës, sikur të ishim të njohur të vjetër dhe heshti përsëri për pak çaste. Kisha gati një vit që botoja në gazetën “Zëri…” artikuj për letërsinë dhe artin, pa qenë gazetar atje. – Shiko, – vazhdoi Dritëroi, duke thithur cigaren. – Disa nga artikujt e tu më kanë pëlqyer. Po në disa të tjerë, të them të drejtën, ka pasur gjëra që nuk qëndrojnë. Domethënë, si të ta them më qartë, sikur e ke tepruar ca me kritikat ndaj shkrimtarëve. Dakord, kryevepra nuk ka pasur këto vitet e fundit. Veprat kanë qenë të nivelit mesatar, siç thua ti, dakord, a më kupton? Por kryeveprat nuk krijohen përditë. Ato krijohen rrallë. Pastaj, kanë edhe halle e vështirësi shkrimtarët. Ca janë pa shtëpi, flenë nëpër konvikte, ca i kanë gratë pa punë. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë, po ato janë mundësitë. Ja, këto e të tjera të kësaj natyre e bëjnë të vështirë punën e tyre, domethënë. Prandaj them që e ke tepruar ca me kritikën.

si cjapi te kasapi. Por unë edhe i prisja ato. Prandaj kisha vajtur atje. Le të ma bënte vetë Dritëroi “gjyqin” për gabimet që mund të kisha bërë nëpër shkrime, mu në zyrën e tij, pastaj le të vendosnim “paqen”, natyrisht, aq sa mund të bëhej paqe me një takim. E dija që Dritëroi kishte pasur kritika për ndonjë shkrim timin të botuar në gazetën “Zëri…”. Për këtë, ai ishte ankuar edhe te kryeredaktori i gazetës, Marash Hajati. Kritikat nuk ishin për artikuj për veprat e Dritëroit, por ai, si kryetar i Lidhjes, nuk ishte dakord që gazeta ku kish punuar prej shumë vitesh, të vihej tani në një pozicion të tillë kritik ndaj letërsisë dhe artit, që ai, si kryetar i Lidhjes, drejtonte. Dritëroit pra, i ishte prekur “çifligu” i Lidhjes që drejtonte prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, prej gazetës ku kishte qenë vetë “violinë e parë” për rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë. Ngrehina e vjetruar e Lidhjes do të shkërmoqej pas një viti, nën peshën e rëndë të ngjarjeve dramatike të ndërrimit të sistemeve. Gazeta nuk më kishte thënë gjë nga këto pakënaqësi të Dritëroit, por i merrja vesh nga të tjerët. Atje më thoshin të vazhdoja punën me shkrime kritike si më parë. Dhe kryeredaktor atje ishte Marash Hajati, jo dosido. Një personalitet i shquar i shtypit dhe i kulturës sonë. Ishin kohë të turbullta të pranverës së vitit 1990. Nuk merrej vesh se nga të vinte popla prapa koke. Lëviznin shumë rryma të nëndheshme atë pranverë, që e bënin tokën të rrëshqitshme. Pikërisht në këtë kohë e pësoi edhe vetë Marashi, duke u shkarkuar nga detyra, pa i mbushur ende dy vjet në të. Natyrisht, jo për artikujt e mi dhe as prej Dritëroit, por sepse ishte kritikuar udhëheqja e lartë e partisë në gazetën që ai drejtonte në artikuj të tillë si: “Në kërkim të kohës së humbur”, të profesor Ylli Popës, “Kur koha ta shkurton vendin”, të vetë Marashit etj. Atë që ma tha me “diplomaci” Dritëroi me fjalët e tij, ma shkoqiti më “shqip” pak kohë më vonë Vath Koreshi, atëherë nënkryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Trokita në zyrën e tij dhe i thashë se kush isha.

– Ooo, hajde, hajde, – tha Vathi, duke më dhënë dorën. – Unë të kërkoja në qiell e ti më dole në tokë, more djalë. Po ç’bëni, more, ashtu ju, me ata artìkujt tuaj kritikë në gazetë? A jeni në terezi ju apo s’jeni, ore? Mblidhni more, mendjen në kokë! Artistët nuk kanë bukë të hanë, ore! Artistët nuk kanë brekë të veshin, veshin brekë të arnuara, se nuk kanë lekë të blejnë të reja, ndërsa ju kërkoni kryevepra prej tyre, – tha ai me një ton të tillë që, me njërën dorë më mbante e me tjetrën më binte. Dhe kështu vazhdoi edhe ca Vathi, duke shfryrë kundër gazetës, më shumë sesa kundër meje, derisa u qetësua disi. Vathi tha pa zbukurime ato që më kishte thënë më “ëmbël” Dritëroi në zyrën e tij. Më erdhi keq nga kritikat, por më erdhi mirë që ai foli me një gjuhë të drejtpërdrejtë. Ai e njihte mirë gjendjen e problemeve në vend, natyrisht edhe ato të artistëve. Ai ishte vetë një krijues i dorës së parë. I njihja veprat e tij të shquara letrare dhe artistike. Edhe në takimin me të pashë krijuesin, në vend të zyrtarit. Pas pak kohësh, e pamë pozicionin e artistëve dhe të inteligjencës në përgjithësi ndaj zhvillimeve në vend. “E shkuara ka orë e çaste të hidhura, mos ma kujto!”

2. TE SHTËPIA E SHKRIMTARIT

Në mesin e vitit 1992, vendi ndodhej ende në flakët e zjarrit të pluralizmit politik alla shqiptar. Lulëzonte shtypi i lirë i sapolindur. Kush kishte pesë lekë nxirrte një gazetë, qoftë edhe vetëm për pesë ditë. Pastaj ajo shuhej për t’ia lënë vendin një tjetre. Në vend kishte shpërthyer anarkia e të gjitha llojeve. Në shtyp kishte shumë abuzime. Liria e të shprehurit, nga shumë njerëz ishte kuptuar si liri për të shkruar gjithçka, për të akuzuar këdo dhe për të përbaltur këdo. Te gjithë, kundër të gjithëve. Demokracia ishte kuptuar si mënyrë për të nxjerrë thikat kundër njëri–tjetrit. Këtë përshtypje të krijonte zallamahia e shtypit. Pjesërisht kjo ishte e kuptueshme dhe e shpjegueshme. Pas më shume se dyzetë vitesh ndalim të fjalës së lirë, tani ajo po shpërthente si tenxherja e presionit. Por kishte dhe shume raste abuzimesh me lirinë, shpifje, denigrime të njerëzve të pafajshëm, pasaktësira për ato që shkruheshin, inate të vjetra e të reja, pezm i pafund etj. Në gazetën “Zëri …. “ ishim mësuar me këtë lloj gjullurdie të përgjithshme. U ndodhëm të parët të sulmuar, prandaj na ishte argasur lëkura nga të sharat, të çjerrurat e akuzat. Pjesërisht e justifikonim këtë shpërthim të pezmit të përgjithshëm, me atë që kishte kaluar vendi nën diktaturë. Pjesërisht e quanim të gabuar, të tepruar e të pajustifikuar. Shtatëdhjetë për qind e gazetarëve e braktisën punën dhe u kthyen në shtëpi, ose shkuan në gazetat e reja të opozitës për të dhënë atje “kontributin demokratik”. Ne që mbetëm lëpinim plagët dhe vijonim punën. Në redaksi me thanë të shkoja te shtëpia e Dritëroit për të marrë një cikël me poezi për t’i botuar në gazetë.

– E vërtetë?, – pyeta.

– E vërtetë, – m’u përgjigjën.

– Ka marrë vetë Dritëroi në telefon dhe ka thënë se ka një cikël me vjersha të reja për t’i botuar. Do t’i botojmë për nesër. ….Ai po rikthehej te shtëpia e tij e dikurshme. Ishte tufa e parë me vjersha, që do të botoheshin pas vitit 1990, një ngjarje kjo, jo vetëm për gazetën tonë. Te shtëpia ishin Dritëroi me të shoqen, Sadien. Pritja ishte e thjeshtë dhe e natyrshme, si për një njeri të njohur. Duket se ata prisnin në shtëpi përditë njerëz dhe ishin mësuar me ta. Me vonë mësova se dera e tyre ishte e hapur gjithmonë dhe për të gjithë. U ula në një kolltuk në kuzhinë. Sadia na mbushi nga një gotë të vogël me raki. – Kam shkruar një cikël me poezi, – tha Dritëroi, duke u ulur në kolltuk. – Dua t’i botoj te “Zëri … “. Ja ku janë, – dhe më vuri përpara një tufë me letra formati, ku ishin poezitë e shtypura. U hodha një sy shpejt e shpejt. Ishin nja njëzetë copë. Dritëroi rrinte ulur me gotën e vogël të rakisë në dorë e më vështronte tek po lexoja. Flokët e tij të gjatë e të thinjur dukeshin si një krifë luani. Hunda e tij me kurriz i ngjante asaj të shqiponjës. Nëpër fytyrë kishin filluar t’i dukeshin vijat e rrudhave, sepse i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Këto ishin krijimet e para që ai po botonte pas vitit 1990 dhe përbënin një thyerje të plotë tektonike të krijimtarisë, një fillim të ri të saj, që ndryshon thelbësisht në përmbajtje nga krijimtaria e mëparshme. Këtu fillon etapa e dytë e poezisë së poetit, ajo e zhgënjimit dhe e deziluzionit për atë që kishte ndodhur në të kaluarën. Ky fenomen, jo vetëm në krijimtarinë e tij, kërkon studim të posaçëm.

 3. KËNDO O MUZË, ZEMËRIMIN E POETIT!

Duke lexuar poezitë, lëshoja herë–herë ndonjë fjalë a pasthirrmë të natyrshme: “Bukur, bukur!” Pastaj, ja një poezi që më bëri më shumë përshtypje se të tjerat. Ishte një krijim artistik i ashpër, kundër dikujt, një njeriu konkret, një shkrimtari të ri në moshë. Dritëroi e kishte përmendur me emër e mbiemër, nga dy here në të pesë strofat prej katër vargjesh të vjershës. Ky shkrimtar i ri kishte botuar në gazetat e kohës disa artikuj kundër Dritëroit, artikuj me shpifje, sharje e fyerje ndaj tij. Ishin në modë atëherë sulmet ndaj figurave të shquara, kushdo qofshin ato. Poeti i madh kishte duruar sa kishte duruar, pastaj i ishte sosur durimi dhe i ishte përveshur keqas atij. Dritëroi tani po i përgjigjej jo me artikull gazete, por me anë të një vjershe me njëzetë rreshta. Ishte një shpatë e vërtetë në duart e tij, e ngritur mbi kokën e krijuesit të vogël e mjeran, sikur donte ta këpuste si një lakër. Ishte një pamflet poetik i ngjashëm me “Marshin e Barabajt” të Nolit. Një vjershë e drejtpërdrejtë, pa alegorizma e nënkuptime. Ishte shkruar me varg të rregullt trokaik, me ritme, rima e aliteracione të fuqishme, që të krijonin idenë e vrapit të një kalorësi të zemëruar, që sulet mbi prenë e vet për ta shqyer njëherë e mirë. Ishte si të thuash, një ekzekutim poetik që Dritëroi po i bënte publikisht këtij krijuesi “bukëshkalë”. Vjersha thoshte në fund të saj se, me gjithë artikujt denigrues të atij krijuesi kundër Dritëroit, ai nuk ishte bërë e nuk do të bëhej dot kurrë: me famë. “Fama, nga ky vargu im i mbeti”, mbyllej vjersha. Nuk e kisha parë asnjëherë tjetër Dritëroin kaq të zemëruar në krijimtari. Dukej se një helm i madh e kishte inatosur shpirtin prej fshatari dhe e kishte bërë të shpërthente kështu. Këndo o muzë zemërimin e poetit, thashë me vete. Nga ana tjetër, ky inat ishte derdhur në mënyrë të përsosur nëpër kallëpet artistike të poezisë. Hapa gojën e thashë:

– E fortë kjo poezi.

– Po – tha Dritëroi. – Ashtu e donte ai. Ashtu i donte mushka drutë. E kam përkrahur sikur ta kisha njeriun tim. E kam marrë nga rrethi dhe e kam sjellë në Tiranë. E kam ndihmuar me sa kam mundur, se kam menduar që është një talent i ri e me perspektivë, prandaj e kam bërë. Ndërsa ai, ja se si ma shpërblen nëpër gazeta tani. Ka zhveshur shpatën kundër meje. Qëndrova edhe pak te shtëpia, mora poezitë, u përshëndeta dhe shkova në gazetë. Aty krijimet u lexuan menjëherë nga të gjithë gazetarët që ishin në redaksi. Do të botoheshin të nesërmen në një faqe të posaçme në gazetën me format të madh, siç ishte atëherë. Vargjet pikante recitoheshin me zë të lartë që në atë çast nga gazetarët: “Fama nga ky vargu im i mbeti”. Cikli me poezi u prit mjaft mirë nga lexuesit. I merrnim vesh opinionet e tyre nga takimet që kishim me njerëzit. Megjithëse gazeta vazhdonte të paragjykohej si gazetë ish–komuniste, ajo u shit e tëra. E merrnim vesh edhe përshtypjen që kishte bërë në opinion poezia e Dritëroit për atë krijuesin.

4. TESTAMENTI ESTETIK

Por ajo nuk ishte një poezi e zakonshme e Dritëroit, kundër një emri të përveçëm. Ishte një testament estetik për të gjithë krijuesit shqiptarë, nga “Ajetollahu” i letërsisë shqipe. Mos sulmoni shoku – shokun vend e pavend. Demokracia nuk është fyerje, pezm e hakmarrje. Jemi krijues e duhet të jemi shpirtgjerë. Bëjmë edhe gabime në këtë botë, po duhet ta falim njëri– tjetrin. Mbi të gjitha, nuk duhet të jemi mosmirënjohës e bukëshkalë. Fyerjet dhe shpifjet nuk të nxjerrin askund, ato nuk janë pjesë e letërsisë dhe e artit…

Rreth një vit me vonë, më 1993, Dritëroi nxori vëllimin poetik “Pelegrini i vonuar”. Libri doli në qarkullim nga shtëpia botuese “Progresi”, e krijuar pranë gazetës, për botimin e krijimtarisë letrare, në kushtet kur shtëpitë botuese të së kaluarës ishin mbyllur, ndërsa shtëpitë e reja botuese private nuk kishin lindur akoma. Libri i parë që botoi kjo ndërmarrje e re ishte ai me kujtimet e ish–të burgosurit politik Todi Lubonja, ish– kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit”. Libri i dytë ishte ky i Dritëroit.

E bleva librin, siç kisha blere gjithë librat e tjerë të Dritëroit. E lexova me një frymë. Atje ishte edhe cikli i poezive që ishte botuar disa muaj më parë në gazetë. Por në libër mungonte ajo poezia për atë krijuesin …. Më erdhi keq për këtë. “Si nuk e ka futur në libër!, – thashë me vete.

– Do ta pyes ndonjë ditë Dritëroin për këtë”. U takova me të pas disa ditësh te kafja e Partisë Socialiste.

– E lexova librin e ri me poezi, – i thashë. – Urime. Libër i bukur. Por atje nuk ishte botuar ajo poezia për … ,- dhe i përmenda emrin e atij krijuesit.

– Po, – tha Dritëroi. – Nuk e vura. Kështu e gjykova. Nuk duhej vënë në libër ajo vjershë. – Po ajo ishte poezi e bukur,– i thashë. – Ashtu është, – tha ai. – E bukur ishte. Por e lashë me aq. E bëri punën e saj ajo, kur u botua në gazetë. Nuk kish nevojë të botohej prapë në libër. – Ai heshti për pak çaste, sikur po mendohej për diçka. Thithi cigaren dhe vazhdoi: – Shiko. Gazeta del sot, lexohet dhe ikën, griset dhe hidhet poshtë, nuk është më nesër. Kaq e ka gazeta. Ndërsa libri është tjetër gjë. Libri rron gjatë. Ai qëndron atje, në raftin e bibliotekës, edhe njëqind vjet të tjera. E unë nuk desha që ajo poezi të mbetet në libër. Ja, kështu.

Më habitën fjalët e tij. Ai kishte menduar të mos e përfshinte poezinë në librin që kish botuar, sepse nuk donte që ajo të mbetej gjatë në duart e lexuesve. Ai e kishte quajtur të mjaftueshëm botimin në gazetë. Vjersha e kishte dhënë mesazhin. Me kaq ishte boll. Personi e kishte marrë kumtin. Dhe jo vetëm ai, edhe të tjerët po ashtu. Krijuesit nuk duhet të vazhdonin me sharje e çjerrje për njëri- tjetrin. Dhe vërtet, ajo sëmundje nuk vazhdoi më. Kështu që, ajo poezi nuk duhet të botohej nëpër libra, nuk duhet të mbetej në raftet e librarive. Ky ishte mesazhi i Dritëroit. Ajo tani gjendet vetëm në një kopje të gazetës, në bodrumet e Bibliotekës Kombëtare. Dritëroi disa herë pati premtuar publikisht se do të shkruante një libër me kujtime nga jeta e tij gjatë regjimit komunist, që “do të çudiste dynjanë” me “bëmat” e shumë vetëve të njohur, që e kishin sulmuar atë vend e pavend. Dhe dihet që ai ka pasur jetë interesante dhe nuk i mungonte penda për të shkruar. Pastaj, ai tha se libri do të botohet pas vdekjes së tij. Me sa duket, libri nuk është shkruar fare. Dritëroi nuk ka dashur të lërë fjalë të keqe për të tjerët pas largimit të tij nga kjo botë. Nuk ka dashur të lërë plagë pas. Ç’u bë, u bë. Të shkuara të harruara. Se fjala vret më shumë se plumbi, thotë populli. “Po kur të jesh mërzitur shumë, / në raft të librave kërkomë”.

Më Shumë

Totaj takon kryetarët e rinj të fshatrave dhe lagjeve të Prizrenit

Kryetari I Komunës, Shaqir Totaj u takua sot me kryetarët e rinj të fshatrave dhe lagjeve  të Prizrenit. Ai i ka përgëzuar ata për marrjen...

Bëhen bashkë pas dy vitesh Blero e Afrona Dika

Blero dhe Afrona Dika duket se kanë lënë anash të gjitha hatërmbetjet. Dyshja, të cilët i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2022, janë...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit