8 C
Prizren
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026

Mbrohet në heshtje i akuzuari për krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël

 I akuzuari për krime lufte, Darko Tasiq ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, deklaroi se shqyrtimi kryesor për këtë rast duhet të rifillojë, meqenëse kanë kaluar tre muaj pa u mbajtur asnjë seancë për shkak të pandemisë Covid-19.

Në këto rrethana, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Drita Hajdari, i akuzuari Tasiq është deklaruar përsëri i pafajshëm, duke shtuar edhe se do të mbrohet në heshtje.

Deri të mbrojtja e të akuzuarit erdhi pasi, palët u pajtuan se nuk ka nevojë që përsëri të ftohen dëshmitarët për të dhënë dëshmitë e tyre, e i cili propozim u aprovua nga trupi gjykues.

Paraprakisht, është dhënë fjala hyrëse, gjatë së cilës prokurorja Hajdari deklaroi se qëndron në tërësi pranë aktakuzës dhe fjalës së saj hyrëse nga  hera e kaluar dhe se konsideron se në bazë të provave të administruara në shqyrtimin gjyqësor, vërtetohet se i pandehuri Darko Tasiq ka kryer veprën penale të ngarkuar me aktakuzë.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviq deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të cilën e ka dhënë në shqyrtimet e kaluara dhe se konsideron që provat në të cilat bazohet aktakuza, nuk vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.

Tutje, kryetari i trupit gjykues bëri leximin e deklaratave të dëshmitarëve dhe shkresave të lëndëve.

Pas kësaj, seanca u ndërpre për të vazhduar me fjalën përfundimtare me 17 qershor, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të komunës së Rahovecit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sot, protestohet kundër rritjes së çmimit të energjisë

Dy organizata të shoqërisë civile, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kanë paralajmëruar për sot protestë kundër rritjes së mundshme të...

Finalja e Kupës në Prizren?

Finalja e Kupës së Kosovës në basketboll mund të mësojë shpejtë lokacionin e zhvillimit të saj. Siç ka mësuar AsistiOnline.com, qyteti i Prizrenit mund ta...

Lajmet e Fundit