8 C
Prizren
E premte, 31 Janar, 2025

Meditim për Hasin

Nga Hajdar Mallaku

Has! Këto ditë kur fushata zgjedhore është në kulmin e saj, politikanët (si çdo katër vjet) vijnë te ti. Ti di t’i presësh si është më mirë, me bukë e kripë e zemër, me buzëqeshje miku, sepse na duhet pushteti, por të lutem fjalët e tyre peshoji me urti. Sepse fjalët e tyre të kanë bërë me vjet e shekuj rob të modestisë dhe vetëkënaqësisë me pak ose me hiç. Do të të lavdërojnë prapë me fjalët:”Hasi është bukëdhënës, Hasi është mikpritës, Hasi është i urtë, Hasi është besnik, Hasi është i sinqertë, Hasi nuk i mbetet borxh askujt, Hasi i kryen obligimet ndaj shtetit etj” Këto lavede të kanë mitizuar dhe ti ndihesh modest dhe madje tepër modest. Bukëdhënës dhe mikpritës janë të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat, ku më shumë e ku më pak. Hasi vërtet këto elemente mund t’i ketë më të theksuara se ndonjë vend tjetër, sepse është zonë etnogjeografike në vete dhe mjerisht e izoluar që kurrë nuk ka pasur han(bujtinë). Shtëpia e tyre ka qenë e Zotit dhe e mikut. Hasi , sipas një urtaku, zajtar nga Prizreni gjithnjë ka qenë besnik, i ka çitur faret shtëpitë e zejtarëve dhe tregtarëve më të fuqishqm të Prizrenit dhe Gjakovës, duke ua afruar portofolin(kuletën) që të marrin sa e kanë hakun për mallin e blerë, apo të punuar dhe ata janë mashtruar dhe kanë marrë më shumë. E harami di të hakmerret.

E di se je regjioni më i pazhvilluar në Kosovë? Megjithatë kurrë nuk u bëre barrë për pushtetin, as në Jugosllavinë e vjetër, kur kufiri të ndau përgjysmë dhe u ndërtua vetëm një rrugë makadam Krajk-Zym- Dedaj dhe atë me punë të detyrueshme(angarie) dhe populli mezi mbijetoi dhe e mbajti shpirtin gjallë; as pas Luftës së Dytë Botërore kur moment për t’u shënuar janë asfaltimi i rrugës Landovicë –Zym dhe paralele të gjimnazit në katër qendra e ndonjë cikërrimë, dhe kaq. Prapë trastën e kurbetit në shpinë dhe dyerve të botës. Dhe pas Luftës së fundit janë realizuar projekte të vogla:rrugë me kubëza, objekte shkollore, ambulanca, kanalizime më shumë me vetëkontribut, një shtepi e kulturës e cikërrime të tjera, se rrugët regjionale edhe ato të shtruara me asfalt të dobët janë mbushur me arna si kanacat e gjysheve dikur. Shërbimet shëndetësore kanë mbetur në mëshirën e mjeksisë private. Vetëm në katër fshatra janë ende paralelet e  gjimnazit. Dhe rinia prapë trastën e kurbetit në krah dhe rrugëve të botës, me dyqane në Nju Jork, në Londër, në Madrid, në Berlin, në Vjenë, në Bukuresht, në Budapesht etj. e në të gjitha viset e ish-Jugosllavisë. Dhe tash më keq se herave tjera, shkohet me familje në rrugën që të çon e nuk të kthen. Kthehen herëpashere vetëm gjeneratat e vjetra. Kur kthehen të rinjtë, në të njejtën familje, nipërit dhe mbesat, kushërinjtë dhe kushërirat flasin gjuhë të ndryshme e jo shqip: njëri anglisht, tjetri gjarmanisht, i treti spanjisht, hungarisht, kroatisht, sllovenisht, serbisht dhe u duhet përktjyes. Po ndodh që martesat po bëhen atje, atje po bëhen dasmat, atje po bëhet varrimi i të vdekurve, atje po bëhen martesat me të huaj. Vërtet Evropa është familje jona e madhe ku e kemi pashmangshëm vendin si gjeografikisht ashtu dhe shpirtërisht, por thuase gjaku shqiptar nuk e pranon ende shkrirjen në globalizmin gllabërues. Fshatrat po zbrazen: Zymi, Shëngjergji, Milaj, Gorozhupi, etj. Dhe në fshatrat tjera po pakësohen banorët. Nënat po lindin gjithënjë e më pak. Duhet pritur dy-tri vjet për ta formuar një klasë të parë me dy a tre nxënës. E shkaku dhe i një fëmiu familja po shpërngulet. Sa dhimbje, o Zot!

Prandaj, Has, vlerësoi  parullat mashtruese(slloganet) ”Koha për Fillimin e Ri”, “Me vullnet”, thuase vitet e kaluara në pushtet, kur ishin po këta në pozitë, i qesin posht dhe tash po fillon jeta e shtetit tonë. Është kjo një cilësi e re me njerëz të vjetër ? A fitohen betejat e reja me dyfeqe të vjetra ? Gjithnjë fillojmë nga fillimi, nuk i korrrigjojmë gabimet dhe nuk nisemi aty ku kanë mbetur procest dhe të shkojmë përpara. Vlerësoje slloganin”Së bashku të vendosur”( kur kanë qenë të ndarë paskan punuar jo të vendosur). Vlerësoje slloganin”Me zemër” a pa zemër. Kujdes nga politikanët e shterrur, fytyrat banale që janë kthyer gati në surrat, që na llomotitin që 18 vjet e sot prap thonë “Ka ardhur koha”(a u desht që të kalojnë 18 vjet dhe tash paska ardhur koha që prapë të na japin premtime që nuk i realizojnë as po të ishte në dispozicion buxheti i Amerikës. Kur të lodhesh s’ka çka të bën as Amerika. Flasin vetëm ata e populli brohorit e nuk i pyet: Çka bëtë deri sot që na e kërkoni votën prapë? Ne dolëm nga lufta të barabartë e ata sot kanë krijuar pasuri marramendëse. Ne i dimë kush janë ata. Populli nuk është qilimi.

Hasi im i mirë, dhimbje dhe dashuri e mbetur peng ! Të mbysin me sllogane “Hasi bastion I LDK-së”, “Tërë Hasi PDK”. Disa politikanë( madje dhe njëri nga kupola e politikës sonë) deklarojnë se hapat e parë në politikë i nisën në Has dhe u shkoi mbarë. U shkoi mbarë për vete, jo për ty, Has . Të emërtojnë të shenjtë dhe tempull kur u duhesh për vota e pastaj të harrojnë katër vjet dhe gjithnjë.

Pak përmendet se kryesisht armatimi hyri përmes Hasit dhe u shpërnda deri në të gjitha skajet e atdheut. Pak përmendet se Hasi i priti dhe i përcolli luftëtarët e lirisë dhe askënd nuk e tradhëtoi. Edhe kur ranë në pritë së pari u vranë hasjanët si: Dinë Koleci, Skender Hameli, Haxhi Hoti, Qenë Qenaj etj. E pastaj të tjerët.

Pak përmendet se Hasi derdhi gjak për liri, që ka dëshmorë dhe viktima. Pak përmendet se si zonë kufitare ishte më e rrezikuara, u dogj e u bë shkrum e hi.

Pak përmendet se armiku u përpoq të na hasmërojë  me                                                                                                                                                        vëllëzërit e besimit të krishterë, ne duke na dëbuar e ata duke i mbajtur peng. Pak përmendet se zona e Hasit duhej ruajtur që të mos hapej front, se prej andej bëhej furnizimi me armë. Pak përmendet se statusi i dëshmorëve, i veteranëve të luftës, i invalidëve dhe viktimave nuk u trajtua aq mirë. Ka edhe sot e kësaj dite dëshmorë që edhe pas sa kohësh familja e tyre nuk ka marrë certificatë, edhe pse janë në listë, dhe jetojnë në stres a thua ku shkoi gjaku i tyre. Pak përmendet si është gjendja e pëmendoreve të dëshmorëve. Pak përmendet si është gjendja e shëndetit dhe e banimit të familjeve të dëshmorëve. Pak dhe aspak nuk përmendet se Hasi e meriton një monografi për kontributin e tij gjatë luftës, etj.

Has, të mashtruan kur t’i premtuan dy komuna e nuk e realizuan asnjërën. Këtë e dija që atëherë dhe reagova me shkrim. Ti nuk pate dhe nuk ke zë të mirëfilltë në Parlament, nuk ke zë në Qeveri, nuk ke zë të mirëfilltë as në qeverinë lokale. Ti vuan nga militantë hushkulur që veprojnë me verbëri. Kanë kërçik të vogël ata dhe krekosën kot. Më mirë ta kishim dërguar ndonjë gjysh a gjyshe atje.

Po, Has, ti je modest në kërkesat tua, tepër modest. Ruaji virtytet dhe kultivoji dhe më tutje si fisnikëri, por kujdes që ato  mos të të vrajnë, mos të të neutralizojnë, mos të të mitizojnë e të bëjnë gojëmbyllur; kuptoji kur sillen si bukëpërmbysur, kuptoji kur ata i kullundrisin veprimet pa ndonjë plan të vërtetë . Kërko me guxim çka të takon.

Ti, Has, meriton të të sigurohet ujët e pijes(Vuan gjatë muajve të verës Zymi, Shëngjergji, Lugishta, Gjonajt, Mazrreku, Gorozhupi etj.); meriton të të ruhet toka e bukës, hambari që të mbajti gjallë, e shkatërruar me ndërtime e shfrytëzim të egër për zhavorr; meriton të të pastrohet rrjedha e lumit Drini i Bardhë ku në shelgjishtet e saj mund të lajmërohen dhe krokodilët; meriton të ndërtohet një urë mbi lumin Drin i Bardhë në fshatin Bregdi; meriton të të ruhen malet tashmë të shkatrruara plotësisht; meriton të të shtrohen rrugët regjionale, të ketë hapje kufiri nga Gorozhupi për në fshatrat e Hasit të Shqipërisë, të ketë lidhje nga Lupaveci për në Qafë të Prushit e në Krumë që të mos mbetesh zorr e verbër; meriton të të subvencionohet turizmi lumor, turizmi malor, ngritja e fermave për bagëti, të pavarësohen ku ka kushte gjimnazet ekzistuese, t’u mundësohet kurbetçarëve investimi në vendlindje që të hapen vende të punës( di ti se je vendi me më pak punëtorë në sektorin shoqëror në tërë Kosovën ?! Di ti se më shumë se gjysma e punëtorëve të punësuar në Has nuk janë nga Hasi falë politikës së padrejtë të punësimit ? …), t’u mundësohet hapja e artizanateve, të mbështeten shoqatat, shka-të, klubet sportive, muzetë; të ruhet pasuria e trashëgimisë kulturore etj. Këto dhe të tjera nuk realizohen për një mandat, por sipas një plani  afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë që askush nuk i përmend.

Po, Hasi im i mirë, jepjua votën atyre që të sjellin diçka të mirë. Vota  është liria jote. Vota jote le të shkojë te djemtë dhe vajzat tua, jo në skajin tjetër të atdheut, pa e mohuar se edhe ai është Atdheu ynë. Voto më të mirët ( si Kastriot O. Jahajn e ndonjë tjetër. Në bazë të numërit të votuesve të Hasit të Prizrenit dhe të Gjakovës mund t’i kesh dy deputet. Mos rivalizoni shumë me parti, grumbulloni votat me marrëveshje e mos i shpërndani…

Has, ti je vetë i urtë. Unë dhimbja jote vetëm po ta përkujtoj. Vota është obligim dhe interes shtetëror, komunal, lokal dhe qytetar. Kujdes të mos e shesësh, mos të ta kushtëzojnë, mos prano ta tjetësosh edhe nëse të kërcënojnë, kujdes mos të mashtrojnë, mos lejo që ta vjedhin. Se grabitësit e votave i ngjajnë një fshati të S. që kur nuk kishin çka të vjedhin i gjuanin sa më larg plisat e tyre e pastaj shkonin fshehtas e zhagëz për t’i vjedhur për të mos e harruar zanatin. Kur ktheheshin, i vinin në kokë dhe krekoseshin me krenarinë e tyre të vjedhur duke e menduar atë si pronë dhe krenari të huajën.

Me urti, Hasi im i mirë ! As tash nuk të ofruan me planin e tyre diçka për të qenë. Bëhu bastion i vetvetës!

Uroj për mirëkuptim…

Më Shumë

Prizreni monitorohet nga kamerat e sigurisë 24 orë

Komuna e Prizrenit dhe policia rajonale kanë lansuar projektin për monitorim 24 orëve të lëvizjeve në qytetin e Prizrenit. Kamerat e sigurisë në fillim...

Zhduket veterani i UÇK-së, Zylfi Tejeci nga fshati Gorozhup i Hasit

Është zhdukur veterani i UÇK-së, Zylfi Tejeci, nga fshati Gorozhup i Hasit. Lajmi është bërë i ditur në rrjetin social Facebook nga OVL-ja e UÇK-së...

Lajmet e Fundit