23.5 C
Prizren
E diel, 24 Gusht, 2025

Mungon gjyqtari, dështon të vazhdojë gjykimi ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet inspektori i ndërtimit i Komunës së Prizrenit, Nexhmedin Musliu.

Shkak i dështimit të seancës u bë mungesa e kryetarit të trupit gjykues për këtë rast, gjykatësit Xheladin Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Osmani i kishte njoftuar paraprakisht palët në procedurë se nuk do të mbahet seanca e së martës për shkaqe shëndetësore të tij.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, me 29 qershor 2020, të akuzuarin Musliu, e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv. Mirëpo me pajtimin e të akuzuarit, dënimi me burgim ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3,500 euro.

Por, pas ankesave të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarit, Gjykata e Apelit më 12 janar 2021 ka vendosur që këtë lëndë ta kthej në rigjykim në shkallën e parë.

Në arsyetimin e dhënë thuhet se, Gjykata e Apelit vlerëson se aktgjykimi i atakuar me ankesë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilat ndikojnë edhe në vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin për faktin se në dispozitiv në rreshtin e tretë thuhet “…me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin … ”, ndërsa në fund të dispozitivit nuk përcaktohet vlera e dobisë pasurore apo dëmi i shkaktuar palës së dëmtuar dhe çka është më e rëndësishmja, nuk përcaktohet as kush është palë e dëmtuar.

Në rigjykim, Apeli ka kërkuar që të përcaktohet pala e dëmtuar dhe lartësia e dëmit të caktuar në mënyrë që dispozitivi por edhe kualifikimi juridik t’i përmbajë elementet e domosdoshme që nevojiten në këtë rast.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë vetëm ka listuar provat personale, ndërsa ato materiale nuk i ka listuar fare e as arsyetuar, por për të njëjtat vetëm i ka përmendur, ndërsa e ka përshkruar rrjedhën e ngjarjes që buron nga dispozitivi i aktgjykimit por sipas Apelit, pa një arsyetim të secilës provë veç e veç dhe të gjitha provave si tërësi për të ardhur deri te një gjendje faktike e plotë.

“Në rastin konkret Prokuroria, por edhe gjykata e shkallës së parë vlerësojnë se i akuzuari nuk ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin mirëpo para se të vlerësohet ky fakt, gjykata është e obliguar që së pari të vlerësoj përgjegjësitë dhe obligimet e Inspektorit të Ndërtimit apo personave që janë përgjegjës për çështjen e ndërtimeve apo mbindërtimeve pa leje si dhe procedurat që zbatohen në këto raste e që këto obligime dhe përgjegjësi burojnë nga Ligji për ndërtim 04 / L – 110 e që përveç këtij ligji gjykata në rigjykim përsëri të ftoj drejtorin e Drejtoratit të Inspektorve të Komunës së Prizrenit Z.Bujar Hasani si dhe të aprovoj propozimin e mbrojtjes që të ftohet si dëshmitar edhe Fail Hoxha” –  thuhet tutje në vendmin e Apelit.

Në vendimin e Apelit, po ashtu, thuhet se mbrojtja pretendon se i akuzuari ka ndërmarrë disa veprime siç janë përpilimi i procesverbalit mbi inspektimin, aktvendimet për rrënim vullnetar, gjobat mandatore, kallëzimet penale, konkluzionet për rrënim të dhunshëm, vënia e shiritave si dhe aktvendim për kundërvajtje, mirëpo këto pretendime, Apeli thekson se gjykata nuk i ka arsyetuar se a qëndrojnë dhe nëse po, cilat kanë qenë detyrimet shtesë të akuzuarit për të ardhur deri te rrënimi i pjesëve të ndërtuara pa leje.

Gjykata e Apelit ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

“Në rigjykim Gjykata e shkallës së parë duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e lartcekura , t’i eliminoj të gjitha shkeljet e cekura , t’i administroj të gjitha provat dhe të njëjtat t’i vlerësoj në pajtim me dispozitën e nenit 370 par 6 dhe 7 të KPP , dhe të vlerësojë edhe pretendimet e tjera të mbrojtjes në ankesë dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e mandej të merr vendim përkatës” –  thuhet në fund të vendimit te Apelit.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohet se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2.

Ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Ekstradohet nga Italia në Kosovë, 34-vjeçari nga Suhareka i dyshuar për tentim vrasje

34-vjeçari, F.Xh, nga fshati Mushtisht i Suharekës është ekstraduar nga Italia në Kosovë, në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në...

Një person gjendet pa shenja jete në një restorant në Malishevë

Një person është gjetur pa shenja jete këtë të martë në një restorant në qytetin e Malishevës. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e...

Lajmet e Fundit