Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh kryeministri i vendit, Isa Mustafa duket se e ka përjetuar rëndë votën kundër të deputetëve të partisë së tij në Kuvend. I pari i LDK-së, pos që në fjalimin e tij si kryeministër i vendit në Kuvend shpërtheu ndaj deputetëve të tij, dhe iu hakmor atyre pastaj në emërimet nëpër komisionet Parlamentare, ai sot edhe publikisht i paralajmëroi ata për hakmarrje.
Kësaj radhe, do t’u hakmerret atyre në zgjedhjet e brendshme partiake, raporton Gazeta Blic.
Në fjalimin që sot ai mbajti me rastin e 25 vjetorit të themelimit të LDK-së, kur ka folur për zgjedhjet ka thënë se LDK do të dalë më e fortë me ata që i respektojnë vendimet e organeve të LDK-së, duke paralajmëruar “përjashtim” të të rebeluarve.
“Me Kryesinë dhe me kryetarët e degëve të LDK-së kemi vlerësuar se ky duhet të jetë një proces nga i cili LDK-ja duhet të del më e fortë, e freskuar me të rinj e të reja e me më shumë gra, me lidership që do të sfidohet me qeverisjen e ardhshme të më shumë komunave dhe të vendit, me njerëz që u qëndrojnë besnik, para së gjithash, vlerave dhe interesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që i respektojnë dhe i zbatojnë qëndrimet dhe vendimet e organeve të LDK-së“, ka thënë Mustafa kur ka folur për zgjedhjet e brendshme në LDK, raporton Gazeta Blic.
Kundër Isa Mustafës nga LDK-ja kanë votuar: Vjosa Osmani, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Doruntinë Maloku. Derisa kanë abstenuar Alma Lama, Adem Salihaj. Ndërkaq, Anton Quni nuk ka marrë fare pjesë në seancë. Ai ka thënë se nuk ka marrë pjesë në seancë për shkak se Isa Mustafa iu hakmor pse votoi kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, duke e hequr nga kombinimi për ministër të FSK-së.
Pavarësisht pse lideri i LDK-së, Isa Mustafa i ka paralajmëruar këta deputetë të “rebeluar” me koalicionin me PDK-në, kanë hiq më pak se 120 mijë vota. Madje, Vjosa Osmani është femra më e votuar në Kosovë dhe e dyta në LDK me hiq më pak se 40 mijë vota.