Besim Ndrecaj është dëshmor i kombit , i cili u vra më 3 maj të vitit 1995 nga forcat serbe në Suharekë.
Ishte ai që nuk pranoi dorëzimin e armës në Shirokë dhe vrau komandantin famëkeq të milicisë serbe, Dragan Shoshkiq.
I lindur më 10.10.1956 në fshatin Maqitevë të komunës së Suharekës, Besim Ndrecaj, para aktit heroik të rënies, do të mbahet mend si një kundërshtar i madh i regjimit jugosllav, i cili e kishte vënë në shënjestër që në rininë e tij.
I shkolluar për gjeodezi, Ndrecaj në vitin 1978 nisi ta ushtrojë këtë profesion në komunën e Suharekës, por u largua nga puna dhe u dënua pasi kishte sulmuar fizikisht drejtorin serb të asaj kohe.
Ndjekja ndaj Besimit nuk u ndal kurrë, por këto veprime duket se vetëm sa e forcuan atë.
Disa vite pas rënies, me vendim të ish-presidentes Atifete Jahjaga, ai u shpall Hero i Kosovës.
I udhëhequr nga kjo bindje, historia tregon një ngjarje në stacionin e autobusëve, kur Besim Ndrecaj merr urdhër të ndalet pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest.
Por befasia ndodh kur Ndrecaj nxjerr revolen, çarmatos policët serbë dhe i detyron ata të kthehen në stacionin policor në Suharekë, i vetëdijshëm se për të po fillonte një etapë edhe më e rrezikshme.
Me aksionin për mbledhjen e armëve, në vitin 1995, policia niset për ta çarmatosur Besim Ndrecajn, i cili në atë kohë punonte në Shirokë.
Ky aksion udhëhiqej nga komandanti Dragan Shoshkiq, por që doli të ishte i fundit për të.
Gjatë kësaj përballjeje, Besim Ndrecaj e vrau Shoshkiqin dhe plagosi zëvendëskomandantin Dragan Dobrosavleviq.
Beteja e radhës e Besim Ndrecajt, që mbante pozitën e komandantit të njësitit gueril për Suharekë, “Zjarri 002”, ishte në Malësi të Re të Prizrenit, ku jetonte me familjen.
Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste
Forcat serbe nisën aksionin, kësaj radhe, siç thonë familjarët, për ta kapur të gjallë Besimin, i njohur me nofkën “Forca”.
Pas një lufte disaorëshe, Besimi bie në këtë betejë, duke u kthyer në një hero dhe shembull se si vdiset për atdhe.
