20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Në “DokuFest”, fantazitë prej kinemasë në kinema

Derisa festivali po hapej zyrtarisht, shumë kishin zgjedhur të merreshin me Edward Snowden-in. Djali simpatik biond që doli kundër Amerikës dhe i tregoi njerëzve se ata po përgjoheshin, telefonat e tyre dhe e-mailet elektronike po ashtu ishin cak i përgjimit, momentet e tij më të tensionuara kur vendosi të dalë para publikut i ka të xhiruara në një film dokumentar.

Regjisorja Laura Poitras ishte afër Snowden-it kur ai doli haptazi kundër politikave amerikane të përgjimit. “DokuFest” – të shtunën, më 8 gusht 2014, u hap edhe me Snowden-in – jo fizikisht, edhe me filmin “Those Who Feel the Fire Burning”, për kauzën e cila kërkon viza për qytetarët e Kosovës, që edhe ata të mundë të udhëtojnë lirshëm.

Historia e zhvillimit të aktivizmit nga homoseksualët në Shqipëri, këngët dhe defet e traditës shqiptare ndër vite, gjenocidi serb ndaj kosovarëve, tentimi i një kitare për ta thyer monotoninë brenda një familjeje, gjak, dashuri, vrasje, prapë gjak, ekspedita e dy të rinjve që tregojnë mbi trafikuesit e seksit në Kaliforni. Paketa e “Dokufest”-it sivjet i përmban këto rrëfime dhe shumëçka tjetër.

Revolucioni Egjiptian në Prizrenin e Kosovës

Dita e djeshme ka nxjerrë në një prej skenave të “DokuFest”-it filma mbi Revolucionin e Egjiptit, Tahririn dhe Mubarakun në vitin 2011-të. Amal Ramsis është marrë me motrën e Mina Daniel – ky i fundit një djalë i vrarë në masakrën e Masperos në Egjipt në vitin 2011.

Ajo ka marrë motrën e Daniel e cila qysh në ditën kur iu vra vëllai, nisi revolucionin e saj personal. Ajo la burrin dhe jetën tradicionale, doli në shtyp me zërin e arsyes dhe u bë një ndër zërat kryesorë në revolucionin e Kajros.

“Ka pasur momente kur kam dashur të ndaloj, por prapë personazhi im më ka shtyrë drejt xhirimit. Në Egjipt, nuk ka hapësirë konvencionale për të xhiruar, por ne si regjisorë kemi trikat tona. Unë e mora motrën e martirit, u nisa me të nëpër rrugë dhe nisëm të xhironim situata që na vinin aty për aty. Ka shumë pak intervista”, tregon Ramsis.

Mahmoud Darwish, shkrimtar palestinez, e ka një poezi me të njëjtin titull sikur filmi i saj. “Gjurma e fluturës” është një tregim interesant që erdhi në “DokuFest” në këtë pjesë të javës.

Njësoj, me Revolucionin është marrë edhe Karim Aitouna. “Je suis le puple”. Janari i 2011-ës në Egjipt u shënua nga demonstratat antiqeveritare. Derisa dhjetëra-mijëra protestues u mblodhën në Kajro, fshatarët e varfër në jugun e vendit ndoqën situatën e tendosur në Sheshin Tahrir në ekranet e tyre televizive dhe në gazetat ditore. Ky dokumentar i kap ndryshimet politike në Egjipt, pikërisht nga perspektiva e tyre, nga rrëzimi i presidentit Mubarak në zgjedhjen e Mohamed Morsit. Filmi shpalos shpresat dhe zhgënjimet e fshatarëve, dhe shfaq se pavarësisht nga ngjarjet e egra, shumë pak në të vërtetë ka ndryshuar në jetët e tyre.

“Filmin ma anuluan në Festivalin e Kajros, besoj dihet arsyeja. Në Egjipt nuk ka një ambient normal të punës për regjisore, dhe gjithçka duket se ndodh “underground”, në mënyrë të fshehtë. Për mua, ardhja në ‘DokuFest’ nënkupton çlirimin artistik për dokumentarin tonë”, tregon Aitouna për “Zërin”.

“DokuKids”, zhonglim, palaço e performancë

Mbi 50 fëmijë po bëhen gati për debutimin e tyre artistik. Zhonglerë, performues e palaço janë rolet e tyre përgjatë këtyre ditëve, drejt finalizimit në ditën e fundit të “Dokufest”-it, më 16 gusht. “DokuKids” është programi më simpatik i festivalit, me fëmijët të cilët bashkë me aktoren Arta Gashi janë duke përjetuar kënaqësinë e një aktrimi.

“Është viti i tretë që unë jam pjesë e ‘DokuKids’ dhe për mua është kohë shumë produktive. Fëmijët janë shumë të interesuar dhe japin 100 për qind prej vetes së tyre, janë shumë të gatshëm e të zellshëm për punë. Performancat gjithmonë dalin të suksesshme, pavarësisht nga ditët që ushtrojmë”, tregon Arta Gashi.

Fëmijët janë të familjarizuar tej mase me konceptin e migrimit dhe vizës. Ata madje gjatë ditës ushtrojnë me duart e tyre, kinse japin viza, fjalime dhe tjera gjestikulacione, të tillat janë tipike në një proces të tillë burokratik.

Vioni, një prej vogëlushëve në këtë formacion, tregon sa i lumtur është që mund të performojë për shikuesit në “Dokufest”.

“Me datë 16 e kemi performancën. Jam shumë i kënaqur me Artën dhe me shokët e mi. Jam në grupin performancë dhe është hera e tretë për mua në këtë program. Dua të them se duhet të udhëtojmë të lirë kudo, dhe nëse të tjerët nuk na lejojnë nuk duhet edhe ne t’i lejojmë ata”, thotë duke buzëqeshur Vioni nga Prizreni.

Homoseksualizmi shqiptar, këngët dhe defet e grave

Nuk është skandal të jesh homoseksual, por është me patjetër të shohësh “SkaNdal” që ta kuptosh se si ka ecur komuniteti në Shqipëri. Dokumentari i realizuar nga Elton Baxhaku dhe Eriona Cami, dhe tregon rrugëtimin e komunitetit LGBT në Shqipëri.

Më aktiv se në Kosovë, dokumentari rrëqethshëm tregon mbi atë se çka ka ndodhur në linjën e këtij komuniteti. Lesbiket nisin të “come out of the closet”, njësoj bëjnë homoseksualët, e më pas duhet bërë pjesë e emisionit “Opinion” te Blendi Fevziu ku kërcënohesh me jetë.

“Është një prej dokumentarëve më të mirë që e kam parë ndonjëherë. Nuk muj me e besu që jemi shoqëri e tillë, me këso qëndrimesh ndaj një komuniteti që nuk është i smutë”, thotë Fjolla, një prej shikueseve të dokumentarit, të martën e 11 gushtit në “Kino Klubi”.

Ballafaqimi me të kaluarën, skepticizmi i financave

Është debat që nuk harxhohet kurrë dhe fjalimet e përgatitura janë kaq të llojllojshme në këtë pikë. Ballafaqimi me të kaluarën është proces pa të cilin shtetet e ish-Jugosllavisë nuk mund të mbijetojnë, u tha në debatin që u organizua në “DokuFest”.

“Procesi i ballafaqimit me të kaluarën është i vështirë prandaj edhe ka dalë të jetë jo i suksesshëm. Procesin herë pas here e kanë helmuar dhe dekompozuar edhe qeveritë e shteteve përkatëse, duke dashur të kundërtën e një pajtimi. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë arti dhe kultura janë fushat në të cilat është provuar të pajtohet, të ketë një gjuhë dhe sens të përbashkët”, tha në këtë debat Marijana Toma nga Fondi për të Drejtën Humanitare nga Serbia.

Oliver Setiç nga Zagrebi tregon se edhe pse spektri politik është ftuar në këto bashkëpunime kulturore mes vendeve rajonale, asnjëherë askush nuk ka qenë prezent.

“Romeo dhe Xhulieta”, është ndoshta tentimi i parë serioz mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa rezidencat letrare, botimi i veprave dhe përkthimi i tyre nga shqipja në serbisht dhe anasjelltas, festivalet e librit e filmit, përfshirë këtu edhe vetë “DokuFest”-in, janë vetëm një tjetër dëshmi që ky bashkëpunim ka nisur qëmoti dhe pretendon të jetë sa më i sinqertë. /Zëri/

Më Shumë

Zhduket policja nga Rahoveci

Një zyrtare policore nga Rahoveci, është larguar nga shtëpia e saj të dielën. Të marten, ajo u raportuar e zhdukur nga familjarët. Rasti u konfirmua për...

34-vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës të Pajtimit të Gjaqeve

Sot është 34- vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës të Pajtimit të Gjaqeve. Sado që ai u mbajt në rrethim të plotë nga forcat...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit