Shkruan: Abdullah V. THAÇI
Kur isha fëmij, shumë kush nga më të mdhenjët më thoshte po flet si plak! Ndoshta nga fakti se prindërit e mi kanë punu në arsim dhe një pjesë të ditës për mua dhe vëllau janë kujdes gjyshi dhe gjyshja, ndjesë paqin.
Nga ajo kohë, nën kujdesin e tyre, shumë tregime për ngjarje dhe ndodhi të shkuara edhe sot më kujtohen. Një pjesë e tyre edhe sot më shërbejnë si pikënisje për një përgjigje me argumente.
I tillë është edhe ky fragment. Gjyshi im, Avdyli, mes tjerash më pati tregu për truallin e vjetër të shtëpisë ku kishte lind e rrit, e ku fqiu i parë i familjes kishin qenë një familje shqiptare e besimit katolik me të cilët nuk kishin pas as mur as gardh ndarës! E ku përveç oborrit edhe gjitha mjetet tjera të punës i kishin nda bashkë. Në gëzime, hidhrime e festa kishin qenë të pa ndashëm, ku edhe drekën e Bajramit dhe të Krishtlindjeve i kishin hangër së bashku.
Kjo nuk është për tu habitë, përkundrazi është për tu admiru.
Kur e pyta si ishte e mundur kjo, ku sot as vllëzrit e lindur nga e njëjta nënë me të njëjtin baba nuk i gjenë me të njëjtat raporte? Ai për këtë kishte një shpjegim. Kemi pas respekt maksimal për nënat tona, asnjëherë nuk më kanë pengu lutja para kryqit apo atyre lutjet tona me drejtim ka Kibla e me duar nga qielli. Secili nga ne në ndërdije e kemi pas të vulosur, se respektimi i tjetrit, ndryshe prej meje, është respektim i vetvetës.
Në një rast tjetër, deri sa më tregonte për vështërsitë e jetës, për rrugën drejt Tivarit dhe mbijetesën e tij nga masakra famkeqe, i ulur në një trung, deri sa fliste ishte duke e gdhend një shkop, ku në të dy anët i kishte nxjerrë maje, pothuajse si të gozhdës!
Pa një pa dy ndërprehu muhabetin e më tha ngrihu në këmbë. Derisa e hoqi kësulen e tij e zhveshi stomakun, më urdhëroi edhe mua të bëja të njëjtën gjë, e të cilën gjë edhe e bëra. Mes stomakut të tij dhe timit e vendosi shkopin e gdhendur me maje të mprehtë edhe më tha: “tash ngulma sa të mundesh”! Provova pak, por jo shumë, natyrshëm nga dhimbja që e ndjeva në trupin tim!
Mesazhin që e mora nga ky moment nuk do ta harroj kurrë, i njëjti po më shërben për gjithë jetën.
Në kohën e sotit që po jetojmë, si duhet shumica absolute këto m’prehjet e shkopave po i bejnë vetëm në një anë, në anën e kundërt prej vetës së tyre.
E me këso shkopinjë mund të shkohet vetëm deri tek dera e turpit tonë, e as një hap më tutje.
Kështu po ngjet këto ditë, po debatohet e po ofendohet një mësuese e zellshme e matematikës në një shkollë të komunës së Malishevës e cila për kod të veshjes së saj ka zgjedh ta ketë edhe shaminë. Pavarësisht që ajo me këtë nuk ka bërë krim e as ndonjë shkelje tjetër, derisa ajo përveç numrave dhe ekuacioneve, nuk flet për gjana që nuk i parasheh plan programi i punës së saj, ajo vazhdon të sulmohet, ndoshta për ta nxjerrë nga puna e për ta punësuar ndonjë dylber të partisë në vend të saj.
Absurditet i llojit të vet. Kjo edhe një herë e tregon nivelin dhe krizën tonë morale si shoqëri. Mediat e shpifura të afërta me pushtetin dhe parapolitikën, nuk merren me tema jetike për Kosovën, por krijonë debate fantome sa për ta larguar vëmendjen nga problemet aktuale e për të prodhuar konflikte me pasoja afatgjate!
Personalisht, për një kohë kam punu mësimdhënes në një shkollë të mesme në Prizren, aty kam pa se si publikisht kishin raporte intime jashtmartesore kolegu me kolegën, aty kam pa persona të caktuar se si me mburrje flisnin se si mbrëm e ka shfry epshin e tij mbi nxënësen të cilës i jepte “mësim”!
O Zot, si është e mundur të jemi kaq mendje prishur, e që asnjëherë të mos i trajtojmë këto kriza morale si alarm për degjenerimin tonë të skajshëm? Si është e mundur të mos flasim e mos të shqetësohemi për nivelin e konsumimit të alkoolit dhe drogave në shkollat tona? Si është e mundur që mos të kemi strategji kombtare për këto fatkeqësi ?!
Unë do të isha detyru të pajtohesha me rregullat dhe ligjet e shtetit, sikur ato të ishin unike dhe të vlenin për të gjithë njejtë. Si për shumicën si për pakicën, si për të pasurin si për të varfërin.
Po jo kjo nuk po ndodhë për fat të keq!
Nëse shteti dhe shoqëria e konsideron shamin në kokën e një mësusese edukatore, propagandë fetare, i njejti shtet e njejta shoqëri duhet të reagoj me të njëjtën gjuhë edhe për edukatoret dhe mësueset e besimit tjetër.
Unë jam prej atyre që udhëhiqem prej kualitetit dhe cilësisë. Prej këtij parimi me admirim kam fol dhe vazhdoj të flas për rezultatet dhe sukseset e gjimnazit “Loyola” në Prizren. Në këtë shkollë mësimet i ndjekin fëmijet nga klasa e parë deri në maturë. Por, për Ju që ndoshta nuk e dini se, për sjelljen dhe formimin e tyre në këtë shkollë, në masë të madhe, kujdesen murgeshat me veshje kishtare e me kryq të ekspozuar mbi veshje!
E tash, a nuk po ju duket kjo pak e quditshme? Apo ndoshta instrument të caktuar dhe disa media, reagimin për tema kaq të ndishme e kanë vetëm në një drejtim, në drejtimin e kundërt të majës së shkopit ?! Ku i dihet.
Pasi e fillova me tregimin e gjyshit, po e përfundoj pikrisht me një tregim po nga ai: “ Në jetën time ka pas shumë kope me dele ku në mesin e tyre ka pas edhe disa dhi, por asnjëherë s’kam pa kope dhish ku kishte ndonje kokë delesh”.
Krejt për fund shoqëria dhe vet shteti duhet të sillen me përgjegjësi. Pavarësisht a na pëlqejnë apo jo, nëse një rregull duhet të jetë e zbatushme, ajo duhet të vlejë për gjithë. Asessi mos të lejojmë të krijojmë standarde të dyfishta, se ato nuk na bëjnë nder si popull.
Ne vlejmë vetëm kur nisemi nga vetja!