19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Nehat Llovca, heroi i udhëtarëve në aeroplanin e linjës Cyrih-Prishtinë

Nehat LlovcaE shtuna e 10 majit për pak sa nuk u bë ditë zie për Zvicrën, por edhe për Kosovën. Aeroplani i kompanisë ajrore “Air Berlin”, i linjës Cyrih-Prishtinë, i cili ishte nisur në orën 6:50 me 150 pasagjerë në bord, i shpëtoi më të keqes falë sportistit të njohur Nehat Llovca, i cili me familje jeton dhe vepron në Solothurn të Zvicrës.

Më poshtë mund ta lexoni rrëfimin e Llovcës, i njohur në karate, kik-boks dhe tay-boks, për Dialog Plus.

“Isha ulur në mes të aeroplanit. Dëgjoja zëra të ndryshëm, edhe britma, por më dukej vetja se jam në ëndërr. Zërat rriteshin gjithnjë e më shumë, prandaj më doli gjumi. E pashë veten me rripin e sigurisë dhe përnjëherë më shkoi dora për ta hequr. Shihja njerëz me lot në sy, të mëdhenj e të vegjël duke qarë, kurse në hyrje të aeroplanit, te dera e parë, një person ishte në këmbë dhe e kishte një shishe në dorë. Herë pas here shihej drita e shkrepëses. U mundova ta qetësoja veten, apo ta freskoja nga gjumi, por menjëherë trupi mu rrëqeth kur dëgjova zërin tij që bërtiste: ‘Allahu ekber! Do të shkojmë në xhenet të gjithë’! Nuk e di se si kam shkuar deri tek ai, ngase isha në mes të aeroplanit. Sapo i jam afruar nuk e kam pyetur asgjë, por vetëm e kam kapur fort. I thashë që të mos lëvizte…

Personi në fjalë e dinte gjermanishten. Ishte aty ndërmjet 35-40 vjeç. Se nga ishte, nuk e di. Nuk e pyeta as për emrin, as se nga vjen. Doja ta ndaloja që të mos e bënte më të keqen. Prandaj, nuk më interesonte se kush është, por vetëm të mos e bënte atë që donte…

Nuk e godita, por e mora me të mirë që të qetësohej, të mos lëvizte. Ai gjithnjë lëvizte dhe më kërkonte që ta liroja. Kur e pashë se po përpiqej të lëvizte dhe nuk kishte gjasa që të më sulmojë, menjëherë u detyrova ta shtrija për toke.

Kur e shtriva në korridorin e aeroplanit, njëra nga stjuardesat m’i afroi prangat dhe e lidha. Njerëzit filluan të qanin edhe më shumë, sidomos fëmijët, vajzat dhe gratë. Por, qanin edhe stjuardesat. U thashë të rrinin rehat, ngase gjithçka është në rregull. Sa e mbaj ashtu të shtirë, ai më kërkonte ta liroja, se tani do të sulmonin shokët që kinse i kishte në aeroplan. Në fakt, ai nuk kishte shokë, por dëshironte të më mashtronte. Nuk e liroja, duke i thënë në rregull, le të vijnë shokët tu, t’i shohim kush janë ata. Por, sinqerisht, më dukej se ishte i ngarkuar psikikisht, se një njeri me gjendje të mirë nuk e bën një gjë të tillë rrezikshme e shumë të rëndë…”, thotë Llovca, i cili nuk e di se çfarë kishte ai në shishe.

“Nuk e kisha mendjen se çfarë ka aty, por doja që të mos ndodhte më e keqja. Fati që u zgjova menjëherë dhe e ndala…

Sapo arritëm në Prishtinë, menjëherë erdhën policët dhe e morën. Policia më falënderoi dhe deshën ta marrin emrin tim, të dhënat e mia. U thashë që nuk ka asnjë problem, ngaqë unë kam ardhur në vendin tim, kurse fati deshi që nuk ndodhi më e keqja. Jam sportist dhe falë Perëndisë, isha shumë i shpejtë…

Piloti më përqafonte, bashkë me ndihmësin, sikur edhe i gjithë ekipi i aeroplanit. Dilnin në foto me mua edhe pasagjerët. Mu duk vetja vërtet një hero”, thekson Nehati nga Llovca e Gjilanit, i cili bashkë me familjen e tij jeton dhe vepron në Zvicër.

Më Shumë

Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

2 mijë e 384 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe 18 aksidente me...

Deponohen dy mijë euro të falsifikuara në Prizren

Në Prizren janë deponuar dy mijë euro të falsifikuara. Policia njofton përmes raportit 24 orësh se rasti është duke u hetuar. “Është raportuar se nga klient...

Lajmet e Fundit