19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Nëntori, muaji i shenjtë mbarëkombëtar

Prof.dr. Xhafer Beqiraj

Zonja dhe zotërinj, sot jemi mbledhur këtu për të festuar një nga ditët më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ditë të shenjtë, flamuri ynë kuq e zi valëvitet me krenari, duke simbolizuar luftën tonë për liri dhe pavarësi.

Në këtë Nëntor kremtojmë 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndiejmë krenari për këtë ditë të veçantë e historike. Kjo është dita kur ne shqiptarët bashkohemi për të nderuar flamurin, simbolin e identitetit tonë kombëtar.

Kjo ditë nuk është vetëm për të përkujtuar momentin e shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por kjo datë na kujton edhe Nëntorin e Parë, atë të vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë dhe merr hulli bashkimi i shqiptarëve, lufta për liri dhe për një jetë të pavarur. Njëherazi është edhe një rast për të përjetuar krenarinë e një kombi që ka kapërcyer sfida e ka bërë shumë sakrifica ndër shekuj dhe tani punon për një të ardhme edhe më të mirë. Është momenti kur përkujtojmë vlerat, historinë dhe traditat tona që na bëjnë shqiptarë.

Në këtë ditë të shenjtë, nuk mund të mos përmendim dhe të nderojmë edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila jo rastësisht doli botërisht për herë të parë më 28 Nëntor. Me të drejtë, 28 Nëntorin e vitit 1997 mund ta quajmë Nëntori i Tretë, që na solli lirinë e na çliroi njëherë e përgjithmonë nga zgjedha shekullore e Serbisë. Andaj, sot i kujtojmë me respekt dhe admirim heronjtë tanë edhe të kësaj periudhe të lavdishme që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe u jemi mirënjohës pjesëtarëve të UÇK-së, që pa gjakun, pa sakrificën e pa mundin e tyre sot nuk do ta gëzonim lirinë. Liria e Kosovës e ka madhështuar edhe më shumë këtë ditë të shenjtë mbarëkombëtare.

Nuk do lënë pa vënë në pah që në këtë ditë kemi një ditëlindje të veçantë, atë të komandantit legjendar, Adem Jashari. Ai që me guxim, trimëri e vizion sakrifikoi familjarisht çdo gjë dhe mbetet për jetë e mot themel i lirisë sonë. Ditëlindja e tij bëhet një rast për të përkujtuar gjithçka që ka bërë për lirinë tonë, duke lënë një trashëgimi frymëzuese për brezat e ardhshëm.

Këto ngjarje, të ndodhura më 28 nëntor, janë të ndërlidhura e me peshë të jashtëzakonshme në historinë e lavdishme të popullit shqiptar, të cilat janë të ngulitura thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare. Andaj, Nëntori për ne është muaji i shenjtë mbarëkombëtar.

Kjo ndërlidhje e ngjarjeve nuk është e rastësishme, e cila dëshmon se historia jonë është e mbushur me heroizëm, guxim, trimëri, rezistencë, sakrificë dhe dashuri për atdheun. Kemi kaluar sfida të mëdha, por kemi fituar, sepse kemi pasur në kujtesën kolektive mësimet e paraardhësve tanë, ata që ngritën flamurin dhe luftuan për lirinë e kombit tonë që nga koha e Skënderbeut e deri në luftën e fundit të vitit 1999.

Në këtë ditë të veçantë e shumëpërmasëshe, le të jemi krenarë për identitetin tonë kombëtar, për historinë tonë të lavdishme dhe t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë bërë dhe atyre që vijojnë të bëjnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme. Le të jemi të përkushtuar për të ruajtur dhe për të zhvilluar atë çka kemi, duke ndjekur rrugën e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë dhe duke punuar edhe në të ardhmen për të mirën mbarëkombëtare.

Kombi ynë është zhvilluar sot, andaj promovon kudo të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të vet, pa dallime fetare e kombësie dhe nxit e kultivon përparimin, dhe dashurinë e vlerave të përbashkëta.

Vetëm të bashkuar jemi të pavarur dhe përpara nesh është një e ardhme e ndritur.
Gëzuar Festat e Nëntorit!

(Fjalë rasti me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit në Universitetin “Ukshin Hoti”, 27. 11. 2023)

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit