13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ngërçi në Kuvend dhe Gjyqësia Kushtetuese!

Shqiprim PulajShkruan: Shqiprim Pula, doktorant

1. Është fakt notor dhe i njohur botërisht, se kushtetutshmëria nënkupton; respektim të shtetit juridik, respektim të rendit juridik dhe aplikim të së drejtës, në veçanti nga bartësit e funksioneve publike. Gjykata Kushtetuese, në Republikën e Kosovës, është brenda fazës së zhvillimit të gjyqësisë kushtetuese, këtu, marrë parasysh parashtrimin e kërkesave të ndryshme nga shumë drejtime për shqyrtim brenda kuadrit të së drejtës materiale, mbi ligjshmërinë, rregullat, dhe aspektet procedurale të vendim-marrjes kushtetuese, nëse po apo jo!? Kështu që, konform kushtetutës (Kapitulli VIII) dhe Ligji (Nr. 03-L-121/2008) për Gjykatën Kushtetuese, i njihet e drejta e ushtrimit të sigurimit të parimit mbi sundimin e së drejtës dhe shtetit juridik, si dhe ruajtjes së hierarkisë së rendit juridik, duke interpretuar kushtetutshmërinë në vend. E me të drejtë mund të themi se kushtetuta është deklarata zyrtare e detyrimeve, kufizimeve, procedurave dhe institucioneve themelore të saj.

2. Mbrojtja gjyqësore e vendim-marrjes institucionale, në vete ngërthen faktorë të ndryshëm që ndikojnë në kërkesën për mbrojtje gjyqësore kushtetuese, dhe mund të jenë rrethanat politike e administrative nëpërmjet të cilave kërkohet manifestimi i shtetit të së drejtës. Ç’është e vërteta, kërkesa për gjyqësinë kushtetuese, madje shikuar edhe kronologjikisht ka qenë dhe mbetet vlerësimi kushtetues i kushtetutshmërisë së akteve ligjore, mbështetur dhe vlerësuar rrethanat politike të kohës. Madje në terminologjinë juridike quhen edhe padi kushtetuese, e që përmes saj mund të atakohen si aspektet ligjore ashtu dhe ato faktike, të secilit akt, nga autoritetet publike në këtë rast edhe nga kuvendi, dhe se, gjeneza e saj buron nga praktika gjermane e gjyqësisë kushtetuese. Por, themelet e demokracisë kushtetuese moderne u hodhën gjatë iluminizmit Europian – rrymë filozofike e shekullit XVIII, e përfaqësuar nga filozofi Anglez, Xhon Llok dhe juristi e filozofi Francez, Monteskie. Prandaj, të gjithë ne, duhet kuptuar se, gjykata kushtetuese ‘apriori’ nuk e shkruan të drejtën, por ajo e shqyrton, vlerëson dhe vendos se çka nuk është e drejtë dhe në pajtueshmëri me kushtetutën. Andaj, si organ i jurisprudencës, si pushtet gjyqësor, mbetet kontrollues i akteve të autoriteteve publike. Dajena Revic, me të drejtë thekson se, ‘demokracia kushtetuese ka të bëjë me sjelljet, praktikat dhe normat që përcaktojnë aftësinë e një populli për tu qeverisur’.

3. Jo-stabiliteti politik apo vakumi ligjor në të drejtën materiale, padyshim, që ka reflektim institucional, e nganjëherë, situata të caktuara jo të parapara me ligj, krijojnë mundësinë e të thirrurit edhe në vakum ligjor mbi rrethanën e krijuar. Jo rrallë herë, krijon edhe mundësinë e jo-stabilitetit institucional, ngase rrethanat mund të bëhen edhe pengesa serioze të ndërtimit institucional; zhvillimit ekonomik; mirëqenies sociale; madje edhe gjendja e veriut të Republikës etj., kështu që, karakteri institucional i gjykatës kushtetuese në vete ngërthen edhe karakter politik, sepse vendimet e gjykatës kushtetuese, kanë përcaktuar (Shih rastet; Sejdiu, Ref. Nr. AGJ 43/10 dhe Pacolli, Ref. Nr. AGJ 107/11) dhe përcaktojnë raportet politike të marrëdhënieve ndër-institucionale. Pra, për këto arsye, dhe mbi kërkesat e natyrave të tilla mbi zgjidhjen e situatave ngërç (kur dyja palët mendojnë se kanë të drejtë), bie në kompetencë të gjykatës kushtetuese për interpretim të kushtetutshmërisë, e në një aspekt, paraqitet edhe si institucion politik ‘sui-generis’ ngaqë, ofron zgjidhje të një situate politike-juridike mbi interpretimin e të drejtës, duke ndihmuar aspektet e rregullimit shtetëror.

4. Eksperti i të drejtës kushtetuese, Xhon Frenk, thekson; ‘gjykata kushtetuese nuk duhet lënë vend për padrejtësi’, andaj, vendimi i gjykatës kushtetuese, cilido qoftë ai, zbardh paqartësitë mbi aspektin e rregullimit normativ; në vete poashtu bartë porosinë e pjekurisë demokratike të vendit; respektimin e së drejtës; ndikimit për shkak të zgjidhjes së procesit dhe rrugëtimit politik; përcaktimit të legjitimitetit apo jo të veprimeve të ndërmarra në kuvend; si dhe përcaktimit të rolit të faktorëve politikë; për më tepër, vendimi i gjykatës kushtetuese për nga përmbajtja mund të jetë këshillues, neutral, apo i karakterit juridik-politik. Me këtë dhe raste të tjera zhvillohet gjyqësia kushtetuese.

(Autori është Njohës Ligji dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Më Shumë

Lajmet e Fundit