15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Një lopë në ballkon…

Rudolf Marku

Në psikën e popujve të lashtë, sidomos të popujve dhe qytetërimeve lindore, Lopa shihet me simpati dhe adhurim. Në Egjiptin e Vjetër, Lopa Ahet është nëna e Diellit. Tek asirianët, trupi i Zotit Misterioz është i fshehur brenda një koke Lope të gdhendur me përkushtim në një trung druri. Qytetërime të tjera e pikturojnë kokën e Lopës së Shenjtë me një disk diellor brenda hapësirës së brirëve. Mund të vazhdonim shumë gjatë me shembuj të pafundmë të shenjtërimit të Lopës tek indianët (adhurim dhe shenjtërim që vazhdon dhe sot e kësaj dite), tek arabët, turqit e kështu me radhë…

Çuditërisht ky përfytyrim simpatizues mungon te keltët dhe te shumë popuj dhe qytetërime të tjera, gjë që mund ta vëresh dhe në sistemin kuptimor të fjalëve. Në gjuhën angleze fjala Cow (Lopë) është e lidhur me paburrërinë, me frikën, me pabesinë, me squlljen e karakterit, me langarosjen. Edhe një nxënës i fillores e di se frikacakut në anglisht i thuhet –Coward (me rrënjën e fjalës-Cow) dhe paburrëria dhe mungesa e shtyllës kurrizore thërritet Cowardice. Cowardly është gjendja kur njeriu vepron në atë mënyrë kur të lënë gjunjët a kur zemra e njeriut zëvendësohet me një zemër lepuri. Këtë ka patur parasysh Fan Noli ynë kur andej nga viti 1926 i shkruan një miku të vet se në Shqipëri karakteret lopësohen- me pak fjalë, na sqaron Noli, atë që dje e ke parë si trim të çartun, veç një ditë më vonë mund ta shohësh duke ia lëpirë duart armikut të vet, ndërsa atij që i çirrej zëri duke sharë dhe kërcënuar, sot ia sheh kallot në duar nga duartrokitjet për armikun që dje betohej se do ta vriste…

Në romanin Vjeshta e një Patriarku, Gabriel Garcia Marquez që në faqet e para na pikturon tmerrin e Ferrit të një Qeverie të korruptuar nën hijen e një skandali gazmor. Rrëfimtari anonim i romanit që këmbëngul gjatë gjithë kohës të tregojë në vetën e parë të numrit shumës, na thotë se “…në një pasdreke janari ne pamë me sytë tanë një Lopë, e cila po kundronte perëndimin e diellit që nga ballkoni presidencial; ja, merreni me mend se çfarë tmerri është, një Lopë në ballkonin e Kombit, merreni me mend se çfarë vend muti është ky vendi ynë…’’.

Siç shihet dhe nga këto fare pak rreshta të cituar, edhe për Gabriel Garcia Marquez-in, ashtu si dhe për gjuhën angleze dhe ashtu si dhe për Fan Nolin tonë, për shkakun e një tradite të qytetërimit perëndimor, Lopa është personifikimi i dhjamosjes së shpirtit, i korrupsionit, i squllosjes, i langarosjes. Ndërsa rrëfimtari anonim i romanit është i obsesionuar nga çudia se si ka mundur një Lopë të ngjisë shkallët e Pallatit presidencial për të dalë në ballkon, për lexuesin shqiptar, falë një përvoje të gjatë në lëkurën e vet, kjo nuk përbën as dhe ndonjë enigmë a kureshtje të çfarëdollojshme. Lexuesi shqiptar, po aq sa dhe Fan Noli i vitit 1926, e di se janë pikërisht lopët ato që ngjisin shkallët: shkallët e Pushtetit, shkallët e Politikës, shkallët e Parlamentit, shkallët e Presidencës, shkallët e Akademisë, për të zënë vende nderi në ballkonet presidenciale, në llozha, në tribuna, në parlament a në krye të qeverisjes. Fan Noli do ta quante pa asnjë mëdyshje- Lopësim i Kombit tonë!

Në të kundërt me përfytyrimin Perëndimor të Lopës për të cilën folëm deri më tani, politikanët tanë kanë një përfytyrim tepër favorizues, Lindor, simpatizues, adhurues, për Lopën. E shohin me adhurim, me simpati, me shenjtërim: Lopa që vilet, që jep qumësht, që mbahet për mish dhe mishi pastaj që shtrohet në bankete dhe drekëra dhe darka! Për politikanët, Lopa është Populli, janë votuesit, është turma pa tru (përsëri Noli) – ah, qumështi i votave, i parave nën dorë, i ryshfeteve, i duartrokitjeve, i artikujve lavdërues, i udhëtimeve nëpër botë, i vilave dhe shtëpive luksoze, i milionave në llogari bankare, qumështi i shpërblimit të kokëtrashësisë dhe injorancës.

Dy konceptet, ai Lindori dhe ai Perëndimori, të unifikuar harmonikisht (njëlloj si Unifikimi i gjuhës Letrare)! Ec e mos thuaj pastaj se ne shqiptarët jemi një mes i artë mes qytetërimit Lindor dhe atij Perëndimor! Ose, as Lindje dhe as Perëndim! Ose asgjë, gjë prej gjëje! Thjesht një Lopë në ballkon që kundron Perëndimin e diellit. Ose, po të parafrazojmë Gabriel Garcia Marquez, merreni me mend se çfarë vend muti është ky vendi ynë !

Më Shumë

Dramë në kryeqytet, triumfon Trepça

Në një ndeshje dramatike, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 85:86 (28:21, 20:19, 17:20, 20:26) dhe tani avancon në serinë gjysmëfinale 2:0. Për...

Aksident tragjik në Shirokë të Suharekës, humbin jetën dy persona

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të...

Lajmet e Fundit