22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Një muzë për Albatros Rexhajn

albatros rexhaj,shkrimtarMe “Zonja Z” ka mbyllur një fazë të krijimtarisë së tij. Dhe gjithë vazhdimi do varet nga muza që ende nuk e ka gjetur

Pse merresh me letërsi, kur projekti yt është tej saj, kur një hapësirë virtuale për t’u shprehur e ke krijuar?

Sepse letërsia i ka paraprirë gjithmonë procesit të ndryshimit, nëse shohim historinë e mendimit njerëzor. Letërsia ka fuqi të frymëzojë njerëzit; ka frymëzuar filozofët, artistët e tjerë, e ka bërë këtë në kohën e Greqisë së Lashtë, në Rilindje e më pas edhe në shekullin XX me Beckett-in, Pirandello-n. Letërsia e ka këtë fuqi. E thotë edhe Zonja Z në libër, që “një mendim i mirë i lexuar në një libër, ka fuqi të ndryshojë botën”, sepse bën bashkimin intim me shpirtin e lexuesit. Dhe unë, nëse kam plan të shkruaj traktate personale filozofike, do i shkruaj si ese letrare, sepse mendoj që kjo është forma më e bukur. Sot, letërsia është gjithçka nga pak. Ky është një problem që kritika shqiptare e ka me të madhe, që vazhdon të quajë letërsi të mirëfilltë letërsinë e dikurshme, por mua nuk më shqetëson aspak kjo gjë.

Sot, sipas teje, nuk duhet të kërkojmë e të presim më të njëjtën gjë nga letërsia?

Letërsia ka ndryshuar. Nuk është më ajo e viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar. Ato janë vitet e arta të letërsisë shqiptare, por nuk jemi më në ato vite. Klasikët kanë vendin e vet, por letërsia, si shprehje e shpirtit njerëzor, evoluon bashkë me njeriun dhe letërsia bashkëkohore është gjithçka nga pak, sepse sot njeriu është gjithçka nga pak. Thuhet që kjo nuk është “letërsi e mirëfilltë”. Po kush e përcakton çfarë është letërsia e mirëfilltë? Në shekullin XXI nuk ekzistojnë këto filtra. Sot i vetmi filtër është publiku, o të pranon, o të refuzon, sepse njerëzit sot kanë shumë informacion dhe janë të aftë të krijojnë një mendim vetjak. Nëse kritika jonë do t’i vendosë gjërat brenda skemave, unë nuk ndaloj, sepse e ndjej që jam në anën e duhur të historisë.

Ti jeton me letërsinë?

Jo. Unë kam një punë tjetër, si shumica e njerëzve. Punoj për Kombet e Bashkuara, jam këshilltar politik, merrem me analizat politike. Duke marrë parasysh që bota shqiptare është treg i vogël për librin, letërsia nuk mjafton për të krijuar komoditetin financiar. Dhe unë shkoj në punë si gjithë të tjerët, por gjej dhe dy orë në ditë për veten, kur shkruaj. Kjo ma jep atë që quhet peace of mind, harroj që ekziston pjesa tjetër e botës dhe arrij të ekuilibroj dozën e helmit që marr nga e përditshmja.

Dhe nuk kërkon ta shmangësh këtë dozë helmi që të jep realiteti. Është e qartë që idetë, librat e tu nisin aty… në përditshmëri

Unë frymëzohem nga ajo që shoh çdo ditë, prandaj nuk dua të shkëputem nga jeta e ashtuquajtur e rëndomtë. Unë nuk dua të bëhem pjesë e klubeve elitare, e panaireve të ndryshme të kotësive, unë dua të vazhdoj të jetoj sikur nuk kam qenë i njohur, do vazhdoj të shkoj për të ngrënë në të njëjtat vende, do të rri në të njëjtat vende, sepse ato më kanë krijuar. Kam nevojë për dozën ditore të intrigave. Në qoftë se shkëputem, nuk arrij të flas, por unë dua të jem zëri i brezit tim, zëri i kësaj mënyre të jetuari.

Dhe do fort që kjo mënyrë jete të ndryshojë… është shumë e dukshme në librat e tu. Ofron dhe një mënyrë për këtë?

Gjëja e parë që duhet bërë është thyerja e mureve të heshtjes. Drama ime e parë, “Në kërkim të daljes”, ka pikërisht këtë motiv dhe tërë krijimtaria ime më pas. E ndjej që ndryshimi ka filluar dhe është çështje kohe. Nëse ka diçka tjetër që e bashkon veprën time është që shqiptari duhet të rebelohet, nuk po flas për revolucionet në sheshe. Është rebelim individual. Duhet të refuzojmë të jetojmë si kanë jetuar prindërit tanë. Ky është refuzim estetik, sepse ne na imponojnë shijet. Ne jemi në një flluskë, gjithçka duket OK, por është boshe. Dhe nëse nuk e bëjmë këtë refuzim individual, nuk do ndryshojmë, le të dalim në shesh çdo ditë.

Mendon që Shqipëria dhe Kosova ngjajnë për sa u përket këtyre problemeve të mentalitetit?

Po, po. Të gjithë ziejmë në të njëjtin “kazan të stresit” dhe nuk ka ndonjë dallim të madh. Skemat, komplekset, intrigat, thashethemet janë të njëjta. Këto janë skemat e jetës, me konceptin e çarshisë që, më shumë sesa 100 vjet pas largimit të otomanëve, vazhdojnë të jenë të njëjta. Mendoj që është e njëjta gjë, pak a shumë, për gjithë rajonin. Në këtë pikë jemi njëlloj. Dallimi mes Prishtinës dhe Tiranës është që Prishtina është më mendjehapur sesa Tirana, por me këtë shkëmbim kulturor që po ndodh për 5 vjet do nivelizohet. Brezat e rinj nën 25 vjeç, as sot, nuk dallojnë shumë.

Si njeri publik, si shkrimtar, si artist, si e përballon këtë mjedis, këto sulmet që të presin krahët?

Me shumë durim dhe shumë mirëkuptim. Kam krijuar një mekanizëm të shëndoshë. E kam pranuar që dyshimi është gjëja më legjitime, çdokush ka të drejtë të bëjë pyetje. E pranoj dhe nuk e sfidoj. Unë nuk kam pse jap shpjegime për veprën, një autor nuk ka pse e bën. Ç’kam dashur të them, e kam thënë në libër dhe kaq mjafton. Unë e kuptoj që njerëzit ndonjëherë nuk merren me veprën, por me jetën e shkrimtarit, por unë kam ç’të them: unë jam shkrimtar, nuk jam shenjtor. Më duket budallallëk me brirë ideja e disa njerëzve që shkrimtarët duhet të jenë modele sjelljeje, kanë dëgjuar ata për Hemingëay-n apo të tjerë? Unë jam shkrimtar, nuk jam prift ose hoxhë, nuk kam rolin e edukimit të masave popullore, ndoshta në realizimin socialist ka ekzistuar ky rol, por jo tani. Përgjigja ime është që jam mëkatar, nuk jam shenjtor. Po të isha, do isha shumë i mërzitshëm. Unë dua ta ndjej pasionin, ta shpreh pasionin, ta ndjej hidhërimin ta shpreh hidhërimin, dua të jem njeri. Artistët janë njerëz si gjithë të tjerët, kanë sfida, probleme, budallallëqe si gjithë të tjerët. Unë eci tutje dhe jam i lumtur që nuk bëj pjesë në grupin e atyre që ndihen fajtor për gjëra që nuk i kanë menduar, sepse kjo shoqëri të bën të ndihesh fajtor për gjëra që as nuk i ke menduar. Unë e kam lënë atë pikë. Jam liruar nga kthetrat e diktaturës së të dëshpëruarve.

Cilët janë lexuesit e tu?

Janë kryesisht dy grupe. I pari është lexuesi vital, 18 deri në 25 vjeç, që është edhe lexuesi më sfidues, kanë shumë pyetje, janë shumë kureshtarë, kanë ide shumë dinamike për botën, jetën, veten. Kam edhe lexuesin e moshave më të shtyra, 50 vjeç e lart, që gjejnë tek unë një shprehje të asaj që nuk kanë mundur të bëjnë, më pëlqen feedback-u i tyre, kur më thonë “këtë e kam menduar dhe unë” ose “sikur të kthehesha dhe një herë në këtë moshë”. Janë të ndryshëm, grupi i parë më sfidon, i dyti më nxit të mendoj, është qasja dinamike dhe meditative. Dhe… nuk është e vërtetë që femrat më lexojnë më shumë.

Zonja Z, kjo grua e lirë, që lufton me paragjykimet e shoqërisë sonë mbështetet në gra që i keni njohur gjatë jetës, apo e ke krijuar nga dëshira për të krijuar individë si ajo?

Unë i takoj atij brezi shkrimtarësh që dua ta zbeh vijën ndarëse mes rrëfimtarit dhe shkrimtarit. Sigurisht, shkrimtari nuk është kronikan, por ndjesia është e vërtetë. Unë këmbëngul në këtë ide, që një piktor dhe një skulptor ka të drejtë ta ketë një model, qoftë edhe lakuriq, pse një shkrimtar nuk ka të drejtë ta ketë!? Unë nuk krijoj në abstrakt, unë përdor modele, nuk mund të funksionoj pa to.

Dhe në këtë rast janë disa, apo është një model i vetëm?

Si bosht, Zonja Z është modeli i një gruaje, që ka kaluar në këto gjëra që kam shkruar, si ndjesi, jo domosdoshmërish si ngjarje, që nga problemet me shoqërinë, keqkuptimet me të dashurin, meshkujt, familjen, vëllain dhe pastaj prej modelit kam krijuar modelin universal, sepse kjo është detyra e shkrimtarit. Prandaj unë kam thënë “ky nuk është rrëfimi im, është rrëfimi i Z-së”, sepse kam dashur të tregoj që marrëdhënia ime me personazhin tim nuk është si ajo e shkrimtarëve të tjerë, që thonë që personazhi është pjellë e fantazisë.

Pse vdes zonja Z?

Kjo është një nga pikat që ka shkaktuar kundërshtime. Janë dy arsye. Në shoqërinë tonë, një grua si Z ende nuk e pranojnë, ajo e ka të vështirë të mbijetojë. Nuk nënkuptoj jetën fizike, sepse njeriu mund të vdes në shpirt, për këtë arsye, në qoftë se Z do mbijetonte dhe do vazhdonte të luftonte, do ishte joreale. Qëllimi i dytë është të ngjall reagimin e lexuesve, të cilët revoltohen pse ajo është dorëzuar, por unë e them që revolta nuk i takon personazhit tim, i takon lexuesit dhe nëse ata revoltohen, atëherë duhet ta lënë të jetojë. Më duket hipokrite, kur thonë që duhet të jetonte. Unë e vrava si shkrimtar, por pse ju në jetën e përditshme e vrisni çdo ditë nga pak? Mendoj, megjithatë, që Z-ja ka krijuar një model, por caku im final janë meshkujt, sepse si e them edhe në libër, “It’s a man ëorld”. Ata duhet të ndryshojnë.

Ke shkruar edhe në vargje brenda librit. Është një sprovë drejt poezisë?

Jo, por unë edhe poezi po të shkruaj, mendoj “a do interpretohej në skenë?”. Nëse funksionon, e publikoj. Nëse nuk funksionon, nuk e publikoj. Unë nuk shkruaj për vete, shkruaj për të tjerët, unë e imagjinoj veten në mes të skenës me një sallë plot dhe nëse nuk arrin të komunikosh me sallën, nuk ia ke dalë. Dhe më mirë, shprehem kur i shkruaj mesazhe një femre, një personi që më ka lënë përshtypje, një miku, kur më ngacmon diçka, unë ulem e i shkruaj një mesazh, sepse kam dhe atë idenë që dua të lë përshtypje. Një profesor imi thoshte që “skena e gjithë botës në fund përfundon me dy njerëz: ti dhe ajo, ose ai”. Për mua ajo është sprova më e madhe, frymëzimi im lind aty, sepse bota bëhet një njeri dhe të luftosh për një njeri lufton për botën.

Është një person për ty, ajo, që formon këtë skenë për të cilën ti ke shkruar jo pak libra, tre?

Po, absolutisht. Me librin “Zonja Z” kam mbyllur një epokë të jetës. Tani jam në kërkim të muzës së re. Kam një model që e ricikloj në të gjitha veprat e mia, këtu është Zonja Z, tek “Edith” është Hana, te “Ditar dashurie i një shkrimtari” është Rita. Është një dashuri e madhe, e parealizuar, sepse ne si qenie njerëzore vrapojmë pas asaj që nuk realizojmë. Por unë them që duhet të bëjmë hapin e madh përpara, tani është koha ta bëj hapin tim. Tani jam në kërkim të frymëzimit tim të ri, që të them të drejtën nuk e kam gjetur.

Si duhet të jetë kjo grua që të frymëzojë?

Mua nuk më frymëzon thjesht një grua e bukur, stili i saj i jetës, mua më frymëzojnë disa gjëra shumë të vogla, nëse në sytë e saj shoh të njëjtat pyetje që i bëj dhe unë, nëse është e bukur është plus. Dhe jam në kërkim të kësaj dhe gjithë krijimtaria e ardhshme do varet nga ky model. Dhe një gjë e kam kuptuar, që nuk është mirë t’i tregosh dikujt që e ke model, sepse ajo pastaj futet në rol dhe nuk është më interesante. Unë si shkrimtar kam nevojë për bashkëbisedimin imagjinar me modelin tim, është si të përpiqesh t’i vjedhësh shpirtin, por ajo që më frymëzon është gjetja e një shpirti binjak. Unë e kam lënë të kaluarën anash, do eci tutje. Më duhet një model i ri, mesazhe të reja. Jam në atë pikë të karrierës që duhet të jap mesazhe të reja.

*Marrë nga Revista Class

Më Shumë

Festa e ‘Karabashit’ shënohet me aktivitete të ndryshme në Prizren

Në Prizren ka filluar festa e Karabashit në Prizren e cila paralajmëron ardhjen e verës. Festa tradicionale ka mbledhur qytetarë të shumtë në Prizren. Festa tradicionale...

Pretendentët për titull me përballje të lehta

Albi Mall Superliga do të vazhdojë në fundjavë me xhiron e radhës (32), ku në program janë pesë ndeshje për t’u zhvilluar. Kampioni dhe lideri...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit