I., E., B., dhe E. S. dhe B. B., të cilët akuzohen se duke hedhur koktej molotovi në konsullatën turke në Prizren, kanë shkaktuar rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe rrezikim të përgjithshëm, nuk e kanë pranuar fajësinë.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, aktakuza është quajtur e lexuar, ndërsa më pas të akuzuarit kanë dalë jashtë sallës për t’u konsultuar me mbrojtësit e tyre dhe pasi janë kthyer në sallë kanë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.
Prokurorja Ervehe Gashi, në fjalën e saj hyrëse, ka thënë se gjendja faktike nga aktakuza do të vërtetohet në tërësi gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor në këtë rast penal, ku ndër të tjera do të shikohen DVD-të nga vendi i ngjarjes. Ajo ka thënë se aktakuza do të vërtetohet duke u bazuar në incizimet e kamerave të sigurisë së konsullatës turke, të kompanisë “Al Petrol” dhe firmës “XL Studio” në të cilat vërehen të akuzuarit duke blerë benzinën dhe duke planifikuar sulmin ndaj konsullatës turke.
Mbrojtësit e të akuzuarve, në fjalët hyrëse kanë argumentuar se aktakuza nuk mund të qëndrojë sa i përket veprës penale të rrezikimit të personave nën mbrojtjen ndërkombëtare, pasi që objekti i konsullatës është sulmuar në ora 04:20 dhe nuk ka pasur njerëz brenda. Sipas tyre, në këtë rast, të akuzuarit mund të ngarkohen vetëm me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm e për të cilën veprën kanë qenë të gatshëm të hyjnë në negociata për pranimin e fajësisë.
Mbrojtësi i të akuzuarit, I. S., avokati Rexhep Kabashi, ka thënë se i mbrojturi i tij nuk ka ditur se ai objekt është konsullatë dhe se atë natë ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk ka menduar për pasojat e veprimeve të tij. Për më tepër, ai ka thënë se i akuzuari Saramati, nuk ka urrejtje ndaj komunitetit turk sepse edhe gruan e ka turke e që dëshmon se ai më së shumti mund të akuzohet për dëmtim të pasurisë ose zjarrvënie.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit B. B., avokati Hajrip Krasniqi ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të akuzuarit nuk e kanë ditur se objekti është konsullatë turke sepse e kanë sulmuar objektin nga pjesa që nuk përmban simbole shtetërore.
Më pas, përmes pajisjeve teknike janë shikuar DVD-të e natës kritike, ku shiheshin tre persona të veshur me xhaketa dhe kapela në kokë, duke ndezur gjerat që kishin në duar dhe i kanë hedhur në objekt të konsullatës turke.
Pasi që në këtë seancë mungonte dëshmitari i propozuar nga prokuroria, Sefer Krasniqi, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka shtyrë shqyrtimin për 18 gusht 2017, në ora 10:30.
Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe zëvendëskonsulli turk i konsullatës në fjalë, Ismail Censen, së bashku me përfaqësuesin e tyre, avokatin Skender Morina.
Më 22 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Ilirijan, Egzon, Bledjan, Edon, të gjithë Saramati dhe B. B., me të cilën i akuzon se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Sipas aktakuzë në fjalë, të akuzuarit, më 28 nëntor 2016, në orët hershme të mëngjesit, me automjet “Pik Up”, pasi marrin benzinë në një nga pompat e benzinës, i janë afruar konsullatës turke në Prizren dhe të njëjtën e kanë sulmuar me “koktej molotovi”.
Aktakuza përshkruan se si i akuzuari E. S. ka qëndruar afër automjetit të parkuar në afërsi të konsullatës, Bledjani dhe Egzoni kanë vëzhguar terrenin përreth konsullatës, ndërsa I. S. dhe B. B., kanë hedhur nga një koktej molotovi ne drejtim të konsullatës.
Sipas organit të akuzës, të akuzuarit me këto veprime kanë rrezikuar seriozisht lirinë e konsullit dhe personave tjerë në atë konsullatë.
Të akuzuarit nëse shpallen fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen, rrezikojnë burgim prej 6 muaj deri në 10 vjet./betimiperdrejtesi/