19.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Opozita sërish bllokon seancën

Sot (e hënë), në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e radhës, në të cilën do të shqyrtohen 28 pika të rendit të ditës, mes të tjerash do të shqyrtohet në lexim të dytë edhe Projektligji për buxhetin e vitit 2016. Por, përfaqësuesit e tri partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje!, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kanë deklaruar për “Epokën e re” se nuk do të ndryshojnë qëndrim sa iu përket metodave që kanë përdorur deri më tani. Ata kanë thënë se nuk do ta lejojnë mbajtjen e seancës, pavarësisht se në këtë seancë do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për buxhetin e vitit 2016.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e PDK-së, deputetja Safete Hadërgjonaj, ka thënë për “Epokën e re” se pozita do ta gjejë mundësinë për ta kaluar buxhetin për vitin 2016, duke shprehur optimizëm se opozita këtë herë do të reflektojë pozitivisht.

“Ne do ta mbajmë seancën. Opozita do të kishte bërë mirë që më në fund të reflektojë pozitivisht, pasi veprimet të cilat janë duke ndodhur, edhe ajo e sheh se janë veprime jo në harmoni me ligjin dhe rregullat me të cilat veprojmë dhe punojmë aty”, ka thënë Hadërgjonaj, duke shtuar se nëse opozita vepron në mënyrë të njëjtë siç ka vepruar deri më tani, pozita do të bëjë përpjekje maksimale që ta mbajë seancën dhe ta miratojë në lexim të dytë Projektligjin për buxhetin e viti 2016.

“Shpresoj shumë se nuk do të ketë probleme të tilla siç ishin deri më tani, por nëse do të ketë, do të gjejmë mënyra për ta mbajtur seancën”, ka deklaruar Hadërgjonaj.

Frashër Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se deputetët opozitarë nuk do të lejojnë që Kuvendi ta aktrojë normalitetin, përderisa sovraniteti i Kosovës cenohet nga marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara me Serbinë, nga “Zajednica” dhe nga tri marrëveshjet e tjera të 25 gushtit, si dhe nga marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi. Ai ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

“Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të tërhiqet nga marrëveshjet, ashtu që të mund të funksionojnë normalisht institucionet e Kosovës. Nëse Isa Mustafa në asnjë mënyrë nuk guxon të tërhiqet nga marrëveshjet, atëherë le t’i hedhë në referendum, ashtu që populli i Kosovës të vendosë për to. Nëse as referendumin nuk kanë guxim ta organizojnë, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Krasniqi.

Kurse Haki Shatri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se po të mos ishin problemet e tjera, ky subjekt politik nuk do të ishte sot kundër seancës, në të cilën do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për buxhetin e vitit 2016.

“Qëndrimi i Aleancës do të jetë i njëjtë. Ne s’kemi marrë pjesë në shqyrtimin e buxhetit dhe pozita e ka shqyrtuar buxhetin në mënyrë komode, pa opozitën. Po të kishte qenë gjendja normale, deputetët e AAK-së do të merrnin pjesë në seancë, ku do t’i jepnin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre sa i përket buxhetit. Por meqë pozita nuk ka reaguar në kërkesat e opozitës, duke e mohuar çdo kërkesë tonën (opozitës), atëherë edhe ne jemi të gatshëm për të reaguar”, ka thënë Shatri, duke shtuar se i vetmi instrument që Qeveria e ka në dorë për t’i realizuar politikat e veta është buxheti. Ai ka thënë se në kushte normale opozita nuk pajtohet me atë buxhet.

I pyetur në rast se dështon të kalojë në lexim të dytë Projektligji për buxhetin e vitit 2016, a është e vetëdijshme opozita se Kosova rrezikon humbjen e 185 milionë eurove nga FMN-ja. Shatri ka thënë se ky është arsyetim i Qeverisë, vetëm për ta gjetur mënyrën e kalimit të buxhetit.

“Buxheti ka kohë për t’u miratuar. Janë edhe dy muaj pas vitit të ri, por këto janë arsyetime sa për ta tejkaluar buxhetin shpejt e shpejtë. Nëse i kanë 83 vota dhe nuk kanë gajle për ne, atëherë pse po na thërrasin”, ka deklaruar Shatri.

Po ashtu, edhe anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë për “Epokën e re” se të gjitha përgjegjësitë për situatën e bllokuar në Kuvend i ka Qeveria.

“Ne nuk po e pengojmë seancën, por jemi duke i mbrojtur qëndrimet tona që janë në interes të republikës. Të gjitha përgjegjësitë i mban Qeveria, e cila ka krijuar këtë krizë politike për shkak të gabimeve të veta. Përgjegjësia bie mbi këtë Qeveri”, ka thënë Hoti.

Më Shumë

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit acarohet me vendimin e MPJ-së ku iu ndalua hyrja në Kosovë, patriarkut serb

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare, të cilat i ndaluan hyrjen në territorin e Kosovës, patriarkut serb, Porfirije. Nga...

Ish- kandidati për kryetar të Suharekës nga PDK-ja aderon te Nisma

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Në një konferencë për media të mërkurën, Limaj...

Lajmet e Fundit