Mjetet lokale të informimit në kryeqytetin Des Moines, të shtetit Iowa i kanë dhënë publicitet vizitës së Guvernatorit të Shtetit në Kosovë dhe binjakëzimit të Kosovës me këtë shtet amerikan. Guvernatori Terry Branstad ka deklaruar se Kosova dhe Iowa kanë zhvilluar dhe ndërtuar një partneritet të veçantë gjatë misionit paqësor të Gardës Kombëtare të Iowa-së në Kosovë.
Guvernatori tha se kishte shumë mundësi për këmbime midis dy vendeve në bujqësi, në arsim si dhe në fushën e biznesit dhe industrisë. “Janë një numër i bizneseve që më kanë shoqëruar në këtë udhëtim që janë të interesuar të bëjnë biznes në Kosovë. Edhe pse është një shtet i ri, ata kanë bërë një progres të madh,” citohet të ketë thënë guvernatori Branstad,shkruan RTK.
Me një sipërfaqe e radhitur si shteti i 26-të në mesin e 50 shteteve amerikane, megjithatë 13 herë më e madhe se Kosova dhe me mbi 3 milion banorë, Iowa paraqet një mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit ekonomik dhe thellimit të marrëdhënieve të mëtejshme midis Kosovës dhe SHBA në të gjitha fushat.
Partneriteti i Iowa-së me Kosovën është rezultat i përzgjedhjes së shtetit Iowa nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, atij të Mbrojtjes dhe Zyrës së Gardës Kombëtare.
“Programi i Partneritetit është jetëgjatë nga i cili do të përfitojnë si Garda Kombëtare e Iowa-së ashtu edhe Forca e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Branstad i cili e ka quajtur Kosovën, ‘një mike të madhe të Amerikës.