Deklaratat e dhëna me rastin e vizitës në vendin tonë të mikut të madh të shqiptarëve të Kosovës zëvendëspresidentit të SHBAsë, Jo Biden, ku ky i fundit kërkoi nga krerët më të lartë të shtetit që të procedohen për miratim në Kuvendin e Kosovës dy marrëveshjet e kontestuara nga opozita dhe ekspertët, ajo për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe themelimi i “Zajednicës” serbe në Kosovë, sipas përfaqësuesve të opozitës dhe ekspertëve nuk do t’i bëjnë projektet më të mira për të ardhmen e vendit tonë. Ndërkaq, opozita dhe njohësit e kësaj fushe thonë se me gjithë deklaratat e tilla të Biden-it , prapëseprapë ata që e kanë kundërshtuar Demarkacionin dhe themelimin e Asociacionit serb në asnjë mënyrë nuk do të lëvizin nga pozicionet e tyre. Sipas opozitës, “Zajednica” e krijon Republikën Serbe brenda Kosovës dhe se e njëjta marrëveshje me Serbinë është antikombëtare dhe në mospërputhje të plotë edhe me Kushtetutën e vendit tonë.
VV-ja: Marrëveshja është e korruptuar
Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka bërë të ditur se më 1 shtator do të protestohet në sheshin e Prishtinës.
“Edhe pse kundër kësaj marrëveshje janë nënshkruar mbi 200 mijë nënshkrime, janë mbajtur protesta dhe forma të tjera të kundërshtimeve, ky regjim i korruptuar po paraqitet i vendosur në ratifikimin e kësaj marrëveshje. Andaj, ky do të përballet me vendosmërinë edhe më të madhe të qytetarëve, andaj sot po shpallet organizimi i protestës gjithëpopullore më 1 shtator”, tha Ymeri.
Në frymën e përmbylljes së procesit të Demarkacionit, kryetari i ‘Vetëvendosjes’, Visar Ymeri, ka thënë se marrëveshja e arritur nga Qeveria aktuale është e dëmshme dhe si e tillë do të kundërshtohet në Kuvend dhe në rrugë. “Ne nuk do ta këmbejmë asnjë pëllëmbë të territorit me asgjë dhe nuk do ta shesim asnjë pëllëmbë të territorit për asgjë. Demarkacionin duhet ta ndalim me çdo kusht dhe me çdo mjet demokratik. Kjo marrëveshje e Demarkacionit është e korruptuar, sepse është marrëveshje të cilën e ka nënshkruar koka e korrupsionit në Kosovë”, është shprehur Ymeri.
Përderisa ‘Vetëvendosje’ ka ritheksuar pozicionin e saj kundërshtues për Demarkacionin, duke besuar se Biden nuk ka kërkuar decidivisht që të ratifikohet marrëveshja aktuale, por që të përmbyllet një demarkacion i drejtë dhe i pranueshëm si për Kosovën ashtu edhe Malin e Zi, dy subjektet e tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, dje janë përmbajtur nga prononcimet.