Telekomi i Kosovës brenda 13 vjetësh ka ndërruar 14 kryeshefa ekzekutivë. Ndërrimi i shpeshtë i tyre thuhet se i ka pamundësuar kësaj kompanie të zhvillohet dhe të tejkalojë problemet financiare që ka tash e disa vite.
Disa nga punët e këtyre udhëheqësve kanë qenë zhvillimi strategjik i kompanisë, zbatimi i planeve për përmirësimin e performancës financiare si dhe arritja e rezultatit pozitiv financiar.
Gjatë kësaj javë është dorëhequr nga pozita e kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina. Në këtë pozitë, bordi i drejtorëve të kësaj kompanie ka emëruar si ushtrues detyre, Burbuqe Hanën.
Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet e shpeshta që janë bërë në Telekomin e Kosovës, por edhe kërcënimet e vazhdueshme për falimentim, kanë penguar operimin e kompanisë.
“Faza më e keqe e Telekomit ka qenë kur ministra e kryeministra kanë thënë se Telekomi po falimenton dhe në këtë mënyrë e kanë dërguar drejt humnerës. Telekomi nuk mund të falimentojë nëse menaxhohet mirë, nëse ka bashkëpunim të mirë dhe nëse përgjegjësinë e merr qeveria. Nëse ‘dora e keqe’ largohet nga Telekomi, kjo kompani brenda një viti del nga kriza dhe brenda një viti e gjysmë është e gatshme të japë edhe dividendë për Kosovën”, thotë ai.
Dividendi është fitimi i kompanisë që duhet t’i dorëzohet pronarit, në këtë rast qeverisë.
Nga viti 2008 deri në vitin 2015, Telekomi i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Këto mjete, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015, kur edhe ka filluar kriza financiare në Telekom.
Telekomi i Kosovës, dikur kompania më fitimprurëse në vend, është duke u përballur me një situatë të rënduar financiare si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.
Kjo kompani i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit. Nga 15 janari i këtij viti, Telekomi është e obliguar që brenda 24 muajsh të shlyejë komplet borxhin ndaj kompanisë.
Menaxhimi jo i duhur në Telekomin e Kosovës ka munguar, thotë Balaj dhe sipas tij, në këtë mënyrë është rënduar situata financiare dhe gjendja e punëtorëve.
“Aspekti financiar e pengon operimin në punë. Tani e një kohë të gjatë për shkak të keqmenaxhimit, borxheve të mëdha, jemi obliguar t’i ulim pagat e punëtorëve dhe tani nuk po i marrin pagat me kohë”, thotë Balaj.
Për pesë vjet, 115 milionë euro humbje
Sipas një raporti të auditimit të bërë në vitin 2019 nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, thuhet se kompania ka vazhduar trendin e operimit me humbje për pesë vjet radhazi.
Brenda pesë vjetëve, sipas raportit të auditorit, humbjet që ishin shënuar kapën vlerë e mbi 115 milionë eurove.
Kjo situatë, sipas auditorit, hedh dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar në vijimësi. Të hyrat e realizuara në Telekomin e Kosovës në vitin 2019 ishin në vlerë prej afër 55 milionë euro.
Në raportin e auditorit, po ashtu ishte theksuar se gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese vazhdon të jetë e rëndë.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërrimet e shpeshta të bordeve e kryeshefave në Telekomin e Kosovës, e bën të pamundur daljen nga kriza të kësaj ndërmarrje.
Ai thotë se situata është pesimiste dhe se Qeveria e Kosovës do të duhej ta ndihmonte me mjete financiare këtë ndërmarrje.
“Telekomi i Kosovës ishte kompani fitimprurëse. Vetëm në vitin 2007 ishte konstatuar fitim në vlerë 120 milionë euro, prej të cilave 75 për qind ishin derdhur në buxhetin e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 me keqmenaxhim e keqpërdorime, kompania ka ardhur në një pozitë që edhe nëse dëshirojmë ta shesim nuk e blen askush sepse është para falimentimit”, thotë Shatri.
Privatizimi i dështuar
Telekomi i Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.
Në tetor të vitit 2011, ky proces ishte mbyllur i pasuksesshëm, pasi nga gara ishte tërhequr Telekomi kroat, meqë, siç thuhej, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshoheshin për korrupsion.
Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos-Capital’, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.
Por, më 31 dhjetor të vitit 2013, privatizimi është shpallur i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të kësaj prone publike. /rel/Telegrafi/