22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Për një universitet të mirëfilltë

Ramadan ZejnullahuShkruan: Ramadan Zejnullahu

(Pjesë nga Platforma Programore e prezantuar para Këshillit Drejtues të Univesitetit të Prishtinës)

Që nga themelimi i tij, Universiteti i Prishtinës luajti rol kyç në zhvillimet politike në Kosovë dhe, njëkohësisht, ishte edhe viktimë e ndërhyrjeve politike. Universiteti i Prishtinës ka meritë të madhe për zhvillimin e kësaj shoqërie, por edhe nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për gjendjen e përgjithshme në shoqëri, sepse pikërisht këtu janë shkolluar shumica dërrmuese e njerëzve që sot bëjnë politikën e këtij vendi, drejtojnë ekonominë dhe veprojnë në fushat e tjera të jetës shoqërore. Kosova është ndër të fundit në Evropë, si përkah zhvillimi i burimeve njerëzore, ashtu edhe përkah zhvillimi ekonomik dhe, krahas faktorëve objektivë, ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë për këtë gjendje.

Situata e krijuar në fillim të vitit 2014, e cila kulmoi me dorëheqjen e rektorit dhe të një pjese të Këshillit Drejtues, ka nxitur një proces reflektimi për gjendjen në Universitet, si brenda institucionit, ashtu edhe në nivel të institucioneve të shtetit dhe në opinionin e gjerë publik. Si rezultat i këtij debati joformal, jo të planifikuar dhe jo të strukturuar, ndonjëherë edhe jo të dëshiruar,i cili e ka vënë Universitetin në qendër të vëmendjes, duket se është kuptuar një gjë –në kontekstin tonë,Universitetit të Prishtinës duhet t’i mundësohet të veprojë jashtë ndikimeve të politikave ditore dhe interesave të veçanta të grupeve dhe individëve.

Ka shumë faktorë që Universitetin e kanë sjellë në një pozitë aspak të volitshme në raport me institucionet simotra, për çka flasin edhe rangimet ndërkombëtare. Në mesin e tyre janë keqmenaxhimi shumëvjeçar i institucionit, papërgjegjësia në punë, mosrespektimi i kritereve akademike dhe profesionale, tolerimi i shkeljeve ligjore dhe statutare, fshehja e problemeve dhe hezitimi për të diskutuar për to, krijimi i grupeve të interesit brenda Universitetit, ndërhyrjet politike, e kështu me radhë.

Në periudhën gjashtëmujore të kaluar janë bërë disa hapa të rëndësishëm për stabilizimin e gjendjes në Universitet, është shtuar transparenca, dhe, në përgjithësi janë krijuar disa parakushte që të fillojë adresimi i problemeve të shtresuara me vite, madje edhe me dekada. Tani, Universiteti ndodhet në udhëkryq: këto probleme ose duhet të adresohen në mënyrë sistematike dhe të plotë ose të vazhdojë degradimi i institucionit me pasoja të paparashikueshme për vet Universitetin dhe për shoqërinë në tërësi.

Në dy vitet e ardhshme vëmendja duhet të përqendrohet në stabilizimine gjendjes dhe në ndërtimin e një baze të shëndoshë për zhvillimin e Universitetit. Nuk e kemi komforin e mosveprimit me çfarëdo qoftë arsyetimi. Përkundrazi, do të duhet ndërmarrë veprime të cilat nuk janë ndërmarrë deri tani, por janë të domosdoshme për të siguruar mbarëvajtjen e punës në Universitet. Një qasje e tillë kërkon përkushtim dhe përgjegjësi të lartë nga të gjitha organet e Universitetit dhe njësitë akademike, e cila, shpresoj se nuk do të mungojë.

Më poshtë janë shtjelluar pikat kryesore të platformës programore për mandatin dyvjeçar vijues. Kjo platforme do të operacionalizohet deri në fund të shtatorit në një plan të mirëfilltë pune, me afate dhe bartës të përcaktuar, i cili do të jetë dokument publik.

Rikthimi i besimit

Nuk ka dyshim se zhvillimet në Universitet dhe rreth Universitetit kanë lëkundur besimin që ky institucion gëzonte në opinionin publik, si dhe reputacionin e tij në rajon dhe më gjerë. Qytetarët e Kosovës, jo pa bazë, e perceptojnë Universitetin e Prishtinës si një institucion ku, në masë të konsiderueshme, janë të pranishme forma të ndryshme të korrupsionit akademik, përfshirë këmbimin e favoreve, anashkalimin e kritereve, por edhe format më ekstreme siç janë regjistrimet e paligjshme kundrejt pagesave dhe shitjae notave, që i takojnë domenit të veprave penale. Përveç kryerësve të drejtpërdrejtë të këtyre veprave të shëmtuara, fajtorë jemi edhe ne, stafi akademik, që, me ndonjë përjashtim, kemi heshtur me vite karshi dukurive negative duke shikuar vetëm interesin tonë. Për çudi, kanë heshtur edhe shumica e organizatave studentore, liderët e të cilëve shpesh kanë qenë ndër përfituesit e qasjes klienteliste në Universitet, e në disa raste, edhe vet të përfshirë në afera korruptive. Besoj se ka ardhur koha që për këto gjëra të flasim pa dorëza dhe këtyre dukurive t’u kundërvihemi me vendosmërinë më të madhe, sepse, duke heshtur dhe zbukuruar situatën, nuk mund të arrihet cilësia dhe as të rikthehet reputacionii institucionit.

E dyta, duhet të ndërtojmë një sistem që nxit përgjegjësinë në punë. Ne i kemi pagat e mira në këtë Universitet dhe nuk mund të lejojmë që njerëzit që paguhen me orar të plotë të punojnë në dy-tri e më shumë vende të tjera, duke kaluar më shumë kohë jashtë Universiteti sesa brenda tij. Kjo ndikon drejtpërdrejte në cilësi, prandaj nuk mund t’i mbyllim sytë karshi papërgjegjësisë. Nëse dikush paguhet si profesor e ka obligim ta mbajë mësimin dhe nuk ka asnjë autorizim që këtë punë t’ia delegojë asistentit ose dikujt tjetër, pavarësisht çfarë posti mban. Ose, mund të heq dorë nga angazhimi në Universitet derisa mban postin, siç kanë vepruar disa kolegë tonë, e që do t’i mundësonte Universitetit të angazhojë njerëz të tjerë, me kualifikime adekuate.

E treta, do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë transparencës. Të gjitha vendimet dhe dokumentet relevante do të publikohen ose do të jenë të qasshme për publikun e gjerë. Kështu, secili do të mund të kontestojë saktësinë e të dhënave në një raport vlerësimi me rastin e pranimit të stafit akademik, ose arsyeshmërinë e secilit vendim të organeve të Universitetit dhe të njësive akademike, ose vlerën e një punimi të masterit ose të doktoratës. Këtë ia kemi borxh qytetarëve, pasi kemi institucion publik dhe jetojmë nga taksat e tyre dhe kjo do të na ndihmojë ne që të jemi më të kujdesshëm kur marrim vendime

Zbatimi i kritereve akademike dhe ligjshmërisë

Titujt akademikë janë këta që janë dhe janë fituar mbi bazën e kritereve që kemi aplikuar me vite. E dimë të gjithë se, me ndonjë përjashtim, nuk bëhet fjalë për standardet më të larta akademike, edhe pse shpesh e kemi mashtruar veten se jemi rang botëror. Për shembull, këtu ka pasur dhe vazhdon të ketë interpretime fleksibile se çfarë quajmë punim me recension ndërkombëtar, kështu që ka ndodhur që si punime të tilla janë pranuar edhe ato që nuk e kanë vlerën e një artikulli informativ në gazetë, e që, me të drejtë janë denoncuar publikisht. Edhe nëse nuk do të jetë e mundur, ligjërisht, që dikujt t’i merret titulli i fituar, të gjitha rastet ekstreme duhet të procedohen te Komisioni i Etikës që ka themeluar Senati i Universitetit. Kështu, të paktën, do të nxjerrim mësime për te ardhmen dhe do ta definojmë çka është e pranueshme e çka jo. Ne duhet t’i vendosim vetes disa standarde të arritshme dhe të matemi në raport me to, përndryshe do të kemi gjendje kaotike në të gjitha fushat.

Me zbatim të përpiktë të Ligjit, Statutit dhe rregulloreve të Universitetit do të synojmë sigurimin e ligjshmërisë në Universitet. Me konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit nacionale do të sigurohemi të aprovohen ndryshimet statutare që do të krijojnë kushte për një shkallë më të lartë të autonomisë së Universitetit, si dhe respektimin e ligjshmërisë dhe të standardeve akademike dhe etike. Në afat të gjatë kjo do të na mundësojë një “pavarësim” akoma më të madh nga politika dhe do ta nxisë sundimin e ligjit brenda Universitetit.

Përmirësimi i menaxhimit

Raporti i auditimit për vitin 2013 përmban 18 gjetje kryesore për parregullsi që shoqërohen me 18 rekomandime për marrjen e masave, shumica prej të cilave i adresohen drejtpërdrejte rektorit dhe kanë të bëjnë me aspekte vitale të funksionimit të Universitetit: Për shembull, një gjetje bën fjalë për zbatimin e procedurave joadekuate të prokurimit, që mund të sjellë deri tek keqpërdorimet financiare; tjetra për ekzekutimin e buxhetit për investime kapitale vetëm në masën 59% që është pasojë e planifikimit jo të mirë; gjetja tjetër i adresohet pagesave të pabaza që zbatohen në Universitet e që, po ashtu, hap rrugën për keqpërdorime të mundshme. Po ashtu, raporti thekson se rekomandimet nga vitet e mëhershme nuk janë adresuar në tërësi dhe me seriozitetin e duhur. Të gjitha rekomandimet e raportit do të adresohen deri në fund të këtij viti, ndërsa në vitin 2015 nuk do të ketë gjetje të shkeljeve thelbësore siç është rasti tani, sepse do të vendosim rend e rregull në procedurat e prokurimit dhe ato financiare.

Përmirësimi i mësimdhënies dhe i shërbimeve për studentë

Ky Universitet jeton nga studentët, prandaj duhet t’i kushtojmë kujdes të veçantë cilësisë së mësimdhënies dhe rezultateve të të nxënit. Për ta përmirësuar mësimdhënien, duhet riaktivizuar Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie, e cila do të ofrojë kurse dhe këshillime për personelin akademik Është me rëndësi ta kuptojmë se nuk mjafton të jemi specialistë të mirë të fushës që të jemi edhe mësimdhënës të mirë, ndërsa ajo çfarë studentët shohin tek ne është, jo ekspertiza jonë shkencore, por pikërisht aftësia për t’ua përcjellë atyre njohuritë.

Gjithashtu, nuk do të rreshtim së përmirësuari shërbimet për studentë, duke shfrytëzuar deri në maksimum teknologjinë informative. Në web faqen e Universitetit duhet të publikohen të gjitha materialet mësimore që studentët të mund t’i shfrytëzojnë ato, ndërsa, përveç mësimit të rregullt, do të kemi orar për konsultime me studentë dhe për këshillimin e tyre.

Sistemi efektiv për sigurimin e cilësisë

Për momentin i kemi rreth 200 programe të ndryshme studimore dhe dimë shumë pak për cilësinë e tyre. Nuk mund të jetë cilësia vetëm çështje e akreditimit, i cili bëhet një herë në tre vjet. Ne do t’i zbatojmë me përpikëri procedurat për sigurimin e cilësisë, duke filluar nga zhvillimi i programeve mësimore deri te mbikëqyrja e zbatimit të tyre. Në njësitë akademike dhe në Senat cilësia duhet të jetë tema qendrore e diskutimeve, ndërsa menaxhmenti i Universitetit dhe ato të njësive akademike duhet të merren aktivisht me këtë temë. Gjatë dy vjetëve në vijim do ta ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm për vlerësimin e mësimdhënies dhe për dhënien e informatës kthyese atyre që vlerësohen. Kështu, do të krijojmë një cikël që ndërlidhë vlerësimin me planifikimin dhe do të tregojmë se i kushtojmë kujdes aspektit më të rëndësishëm të punës sonë.

Nxitja e punës kërkimore-shkencore

UP ka një strategji për veprimtarinë kërkimore-shkencore, artistike dhe zhvillimore e cila parasheh masat për periudhën 2013-2016, prandaj ne na mbetet vetëm ta zbatojmë. Puna kërkimore-shkencore është pjesë integrale e studimeve të avancuara, sidomos të atyre të nivelit të doktoratës, prandaj edhe paraqet aspekt jetik të funksionimit të institucionit. Po ashtu, pa punë kërkimore, pa bashkëpunim ndërkombëtar në këtë fushë, nuk është e mundur të përmirësohet rangimi aktual i Universitetit.Për ata që kanë rezultate kulminante në punën kërkimore-shkencore do të zbatohen privilegjet që ofron Statuti, siç është zvogëlimi i ngarkesës mësimore për deri në 1/3 e normës gjatë një viti akademik.

Avancimi i bashkëpunimit ndërkombëtar

Universiteti, tanimë ka projekte të shumta ndërkombëtare, kryesisht të financuara nga Bashkimi Evropian, por edhe projekte të reja që na presin, si Transformational Leadership Program (TLP) që financohet nga USAID. Ne duhet t’i bëjmë këto projekte të qëndrueshme. Nuk mund të tolerohet që të shpenzohen 1 milion EUR për themelimin e një programi të studimeve në një fushë atraktive dhe të kërkuar, ndërsa programi të mbyllet ditën kur përfundon projekti. Do të ketë përkrahje të plotë dhe stimulime të veçanta për të gjithë ata që i sjellin projekte Universitetit, për çkado të hartohet një rregullore e veçantë.

Me hapjen e programit Erasmus për vendet joanëtare të Bashkimit Evropian, ne duhet të lidhim dhe zbatojmë sa më shumë marrëveshje për këmbimin e studentëve me universitetet evropiane dhe kjo do të bëhet gjatë dy vjetëve në vijim. Ndërkaq, duhet t’i identifikojmë disa partnerë strategjikë me të cilët do të kemi bashkëpunim më të afërt në fushat tona te studimeve, pastaj me ta mund të realizojmë projekte nga më të ndryshmet.

Sigurimi i financimit stabil

Të gjithë e dimë se të hyrat e Universitetit janë përgjysmua me vendimin e Qeverisë për zvogëlimin e pagesës së semestrave, ndërsa shpenzimet janë shtuar me vendimin tjetër për rritjen e pagave. Kështu, tani Universiteti ka një deficit prej afër 5 mil. EUR në vit i cili duhet të mbulohet nga burime të Buxhetit të Kosovës, nëse duam ta ruajmë nivelin e tanishëm të aktivitetit. Mbesim me shpresë se Qeveria do t’i përmbahet zotimit për mbulimin e deficitit. Ndërkaq, Universiteti, për vitin 2015 duhet të hartojë një plan të mirëfilltë buxhetor, si dhe të bëj planifikimin e numrit të studentëve në përputhje me mundësitë që kemi, gjithnjë duke pasur parasysh se përveç kuantitetit duhet ta sigurojmë edhe kualitetin.

Strategjia afatmesme

Nga fundi i vitit 2015 ne do ta kemi një Strategji Afatmesme Zhvillimi të Universitetit e cila do të mund të përqendrohet në çështjet zhvillimore e jo në ato të karakterit emergjent. Ky dokument duhet të na tregojë se si e shohim Universitetin deri në vitin 2020, çfarë duhet bërë për të tejkaluar hendekun në mes të numrit të madh të studentëve dhe numrit të vogël të personelit akademik, cilat disiplina akademike duhet t’i favorizojmë, si ta përmirësojmë infrastrukturën dhe, në përgjithësi, të sigurojmë kushte për funksionimin normal të Universitetit.

(Autori është rektor i zgjedhur i Universitetit të Prishtinës)

Marrë nga Telegrafi

Më Shumë

Interesim i madh për t`u regjistruar në Prizren

Një ditë para përmbylljes së procesit të Regjistrimit të Popullsisë, në Prizren ka interesim shumë të madh të qytetarëve për t`u regjistruar.   Në ndërtesën e...

Kanosi dhe fyu policët, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti gjatë shqiptimit të një tikete kundërvajtëse në trafik, ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë. Në...

Lajmet e Fundit